Topi, Fixherald: SHBA, ndihmë për demontimin e armëve
Në prag të samitit të NATO-s të datës 4 prill, kur Shqipëria do të marrë përgjigjen përfundimtare për anëtarësimin e plotë në strukturat e euroatlantike të Veriut, SHBA-ja është e gatshme të ndihmojë në procesin e eliminimit të municioneve të tepërta. Po ashtu, SHBA-ja premton se do të ndihmojë në hartimin dhe miratimin e ligjeve të duhura për sa i përket reformës në sektorin e sigurisë. Kjo është siguria që dha dje në Tiranë komandanti i Forcës së Bashkuar Aleate në Napoli, Admirali Mark Fixherald, gjatë takimit që zhvilloi me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Ndaj, dhe kur kanë mbetur vetëm dy muaj nga ftesa për të qenë anëtare me të drejta të plota në NATO, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u kërkon ndihmë SHBA-ve përmes Admiralit Fixherald për eliminimin e municioneve të vjetra luftarake si një çështje prekëse për shoqërinë shqiptare. Admirali Fixheraldi u tregua i gatshëm që aleanca të ndihmojë Shqipërinë në këtë drejtim, ndërkohë që Presidenti Topi evidentoi se është i nevojshëm një proces konstant dhe i vazhdueshëm me qëllim parandalimin e situatave dramatike. "Natyrisht, diskutuam dhe për çështje që janë mjaft sensitive për shoqërinë shqiptare, çështjet e çaktivizimit të municioneve, në mënyrë që ky të jetë një proces konstant, i pandërprerë, i ndjekur në mënyrë profesionale, në bashkëpunim me strukturat e NATO-s dhe në mënyrë që të mos kemi më situata dramatike, që vijnë pikërisht nga ky lloj aktiviteti”, - theksoi z. Topi. Menjëherë ka ardhur dhe garancia për mbështetje në procesin e demontimit të armëve të vjetra luftarake nga admirali amerikan. Z. Fixherald vuri në dukje se partneriteti ynë me shtabin tonë të NATO-s këtu në Tiranë, i udhëhequr nga gjenerali Dimitrov, ka qenë kyç në integrimin e Shqipërisë në NATO. “Ashtu si e përmendët dhe ju, ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë për eliminimin e municioneve të tepërta dhe gjithashtu do t’ju ndihmojmë për hartimin dhe miratimin e ligjeve të duhura për sa i përket reformës në sektorin e sigurisë”, - theksoi Komandanti i NATO-s. Ai shtoi se hyrja e Shqipërisë në këtë organizatë ushtarake është fillimi i një rruge të re. "Ashtu si dhe e diskutuam, hyrja në NATO nuk është një fund, por është një fillim dhe megjithëse ka shumë gjëra të tjera për të bërë, ne do t’i bëjmë këto bashkë si partnerë", - theksoi z. Fixheraldi. Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Presidenti Bamir Topi, shprehu gjithashtu mirënjohjen për ndihmën e vyer që ka dhënë NATO-ja për ushtrinë shqiptare. Në këtë aspekt, Fixheraldi përgëzoi Shqipërinë për Forcat e Armatosura dhe kontributin e tyre si paqeruajtës në vende të ndryshme. "Ka qenë shumë përshtypjelënëse ajo që ju keni bërë si Shqipëri, ashtu dhe me Forcat tuaja të Armatosura për NATO-n. Kontributi juaj në forcat ndërkombëtare në Afganistan, në vende si Iraku, Bosnje-Hercegovina, ashtu dhe në Mesdhe, gjithashtu dhe pjesëmarrja juaj në misionet e Kombeve të Bashkuara në Gjeorgji dhe në Çad. Që të gjitha këto kanë provuar se Shqipëria është me të vërtetë një anëtare e bashkësisë ndërkombëtare", - deklaroi admirali amerikan.