KQZ, PD-PS zgjedhin emrat për votim
Pasi palët kanë rrëzuar disa nga kandidaturat e paraqitura, socialistët dhe demokratët gjetën gjuhën e përbashkët për emrat që duhet të përfshihen në KQZ. PD-PS zbardhin emrat që do të përbëjnë Komisionin Qendror Zgjedhor në bazë të formulës së re. Pas disa negociatash mes kryetarit të grupit të PD-së, Astrit Patozi, dhe sekretarit për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafa, janë paraqitur gjithsej tetë kandidatë nga të cilët, me vendim kolegjial të të dyja palëve janë përzgjedhur katër, dy për secilën palë. KQZ-ja e re pritet të miratohet në seancën e ditës së hënë në Kuvend. Njëkohësisht u bënë të ditura edhe dy kandidaturat e mazhorancës për kreun e këtij institucioni. Flitet se PS-ja ka pranuar emrin e Arben Ristanit, anëtar aktual i KQZ-së si dhe Albana Vokshi, e cila mban detyrën e drejtores së Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj mes katër kandidaturave mes të cilave është dhe kryetari aktual i KQZ-së, Çlirim Gjata.
Emrat për anëtarë të KQZ-së
Partia Demokratike ka propozuar katër emra, mes të cilëve edhe socialistët kanë preferuar emrin e Hysen Osmanit, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të përgjithshëm të Politikave të Qeverisjes Vendore dhe Decentralizimit. Kandidati tjetër është Vera Shtjefni, aktualisht, anëtare e Komisionit të Shërbimit Civil.
Ndërsa socialistët, të lidhur ngushtë me të rinjtë dhe të vjetrit, kanë bërë një përcaktim mes një anëtari aktual që përfaqëson këtë parti në KQZ dhe një emri të ri. Dëshira Subashi gëzon besimin e PS-së dhe është një ndër emrat e pranuar edhe nga PD-ja përballë katër kandidaturave të tjera, ndërsa Artan Laze është emri i ri që socialistët e mbajtën të fshehur. Subashi është anëtare e KQZ-së, ndërsa Artan Laze vjen nga drejtimi i gjykatës së rrethit të Gjirokastrës. Seleksionim dhe negocim mes palëve është bërë edhe për kandidatët për kryetarin e KQZ-së. PD-ja, në bazë të ligjit, ka të drejtë të propozojë katër kandidatura nga të cilat përzgjidhen dy. Mes emrave të Ristanit e Vokshit demokratët propozuan edhe Çlirim Gjatën, kryetarin aktual të KQZ-së. PR-ja dhe PSD-ja i shpallën më parë emrat e propozimeve të tyre. Gjinushi ka propozuar Pavli Zërin, ish-ambasador si dhe Pandeli Varfrin, ish-anëtari i KQZ-së, ndërsa republikanët propozuan Arben Braçen si dhe Klement Zgurin, anëtar aktual i këtij institucioni. Pas kësaj përzgjedhjeje të dy partive të mëdha për anëtarin e 5-të dhe të 6-të, kandidaturat i paraqiten Kuvendit për miratim. PR-ja dhe PSD-ja duhet të mbledhin firmat e duhura për t’u paraqitur për votim, duke marrë edhe firmat e deputetëve të dy partive të mëdha. Ndërkohë që kryetari i KQZ-së, sipas nenit 15 në Kodin Zgjedhor, zgjidhet nga Kuvendi jo më vonë se 7 ditë nga zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së. Neni 17 i këtij ligji parashikon se zëvendëskryetari i KQZ-së zgjidhet mes anëtarëve të KQZ-së dhe i takon partisë më të madhe të opozitës.
Neni 14
Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së
1-Kuvendi i Shqipërisë zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas kësaj procedure:
a-Dy anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e mazhorancës dhe dy nga partia më e madhe e opozitës
b-Subjektet propozuesve në fazën e përzgjedhjes paraqesin jo më pak se dy kandidatura për secilën vakancë. Kryetarët e grupeve parlamentare të këtyre subjekteve përzgjedhin së bashku 4 kandidatura
c-Kandidaturat e përzgjedhura i paraqiten Kuvendit.
d-Anëtari i pestë zgjidhet nga kandidaturat e propozuara nga grupime deputetësh të partive të mazhorancës. Anëtari i gjashtë zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës.
Neni 15
Zgjedhja e kryetarit të KQZ-së
Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht kryetar i KQZ-së, zgjidhet jo më vonë se 7 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së.
a-Grupi parlamentar i partisë më të madhe të mazhorancës i paraqet Kuvendit një listë prej katër kandidaturash.
Në këtë listë nuk mund të përfshihen kandidatura sipas germës a, të pikës 1 të nenit 14.
b-Grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës zgjedh dy nga katër kandidaturat e propozuara dhe më pas i kalojnë Kuvendit për votim.
PD
Hysen Osmani
Vera Shtjefni
PS
Dëshira Subashi
Artan Laze
PR
Arben Braçe
Klement Zguri
PSD
Pavli Zëri
Pandeli Varfri
Propozimet e mazhorancës për kryetarin e KQZ-së
Çlirim Gjata
Arben Ristani
Albana Vokshi
Braho: Konstituimi i KQZ-së, akt formal
Në prag të konstituimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideroi si formal dhe të paracaktuar këtë proces. Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Spartak Braho, tha se për këtë arsye LSI-ja nuk do të propozojë asnjë kandidat për në KQZ. Sipas tij, anëtari i pestë dhe i gjashtë i tij, që vijnë nga e majta dhe e djathta, duke marrë pëlqimin e PD-së dhe PS-së, është formale. “Kodi Zgjedhor e ka emëruar anëtarin e pestë dhe të gjashtë të KQZ-së, zgjedhja është vetëm formale. Tashmë dihet që anëtari i KQZ-së zgjidhet me votat e partisë së madhe, si të pozitës, ashtu edhe të opozitës. Në këto kushte, Partia Socialiste ka bërë marrëveshjen me PD-në për këto emërime thjesht formale”, - tha z. Braho.