E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Xhuveli replikon me Neranxin

30/01/2009  Deputeti i LSI-së i kërkon dorëheqjen

Deputeti i LSI-së Nikollaq Neranxi ka kërkuar dje dorëheqjen e ministrit të Mjedisit Lufter Xhuveli, pasi ka vlerësuar se ai është një ministër i papërshtatshëm për postin që mban. Replikat mes tij dhe ministrit lindën për shkak të kritikave që deputeti Neranxi lëshoi në adresë të Xhuvelit gjatë diskutimit të dy protokolleve që lidheshin me mjedisin. “Ti nuk do të jesh më në këtë parlament”, - i tha Xhuveli deputetit Neranxi, i cili hyri në Parlament si deputet i PAA-së. Kundër deputetit të LSI-së u pozicionua edhe deputeti i PAA-së Petrit Gjoni, i cili gjithashtu foli me gjuhën e ministrit me një kontekst ndryshe. “Bashkohem me mendimin e disave këtu në sallë, sipas të cilëve, nëse ministri kujdeset për mjedisin jashtë, ai duhet të kujdeset edhe për pastrimin nga ndotja edhe të parlamentit”, - tha Gjoni. Pasi nuk i ka pëlqyer aspak kjo batutë, deputeti Neranxi i sugjeroi kolegut t’i lërë servilizmat jashtë sallës. “I them kolegut se nuk gjeti aspak mënyrën e duhur për t’i kërkuar ministrit ta fusë në listën e deputetëve për mandatin e ardhshëm. Por që të dy janë të destinuar të dështojnë”, - përfundoi Neranxi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›