E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Rama fton Berishën për bisedime

Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se kambanat bien sërish për Sali Berishën. “Dosjet e mëkateve të regjimit, nuk hapen për të mbuluar dosjet e mëkateve të qeverisë”

TIRANË- Pas heshtjes së Kryeministrit Sali Berisha lidhur me vërejtjet e ndërkombëtarëve për draftin e dosjeve, është sërish PS-ja ajo që i bën thirrje PD-së për hartimin e një projekti të përbashkët, ku të përfshihet edhe ekspertiza ndërkombëtare. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar dje se kambanat bien sërish për Sali Berishën dhe se dosjet e mëkateve të së shkuarës ndaj një populli nuk duhet të hapen, duke shkelur Kushtetutën. “Opozita shqiptare, qeveria e SHBA-së dhe OSBE-ja, mbrojnë praktikisht të njëjtin mendim në kundërvënien ndaj projektit të papranueshëm të Sali Berishës: Ky është një projekt antikushtetues. Kambanat bien përsëri për Sali Berishën. Ai duhet ta kuptojë se dosjet e mëkateve të së shkuarës ndaj një populli të tërë nën diktaturë, nuk hapen duke shkelur Kushtetutën e votuar nga populli në demokraci. Dosjet e mëkateve të regjimit, të cilit Sali Berisha i shërbente dje, nuk hapen për të mbuluar mëkatet e qeverisë që Sali Berisha drejton sot”, -tha dje Rama. Kreu i opozitës shtoi se, Kryeministri i vendit nuk mund t'i kërkojë llogari, as opozitës dhe as prokurorëve e gjykatësve pse merren me lulet e korrupsionit në oborrin kryeministror. “Ai duhet t'u japë llogari të përndjekurve, që i qan me fjalë e i tall me vepra, se ku kanë shkuar 16 milionë dollarët që ai ka miratuar në Parlament në tre vite, për dëmshpërblimin e tyre, dhe pse asnjë qindarkë e vetme dëmshpërblim nuk u është dhënë sot e gjithë ditën të përndjekurve politikë. Duke falënderuar qeverinë e SHBA-së dhe OSBE-në, për ndihmën e çmuar që ofruan edhe në këtë rast, përsëris se duam hapjen e dosjeve, e të gjitha dosjeve”,- tha ai. Në këto kushte, Rama theksoi se PS-ja është gati të ulet në tryezë me të gjitha palët e interesuara e me ekspertët ndërkombëtare. “Për të kryer me dinjitet e seriozitet një proces të hapur e koherent dhe për të votuar, me të gjithë bashkë, një ligj të standardeve europiane, që garanton realisht shlyerjen e një detyrimi të madh shoqëror, jo vetëm ndaj së shkuarës, po edhe ndaj të ardhmes, jo vetëm ndaj të përndjekurve të së djeshmes, po edhe ndaj qytetarëve të së nesërmes”,- shtoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›