Rritja dyshifrore në kohë krize
INSTAT-i nxitoi të paraqesë një rritje surprizë të ekonomisë shqiptare para dy ditësh në media. Gjykuar nga vonesat e tjera, këtë radhë, kjo shpejtësi, të paktën të habit. Fakti me i çuditshëm është mirazhi i pagabueshëm i qeverisë për këto shifra, para se ato të mblisheshin, studioheshin dhe të publikoheshin nga organi kompetent për këto analiza. Nuk është kjo hera e parë që qeveria bën orakullin dhe parashikon me një aftësi të admirueshme të ardhmen. Dhe kjo ndodh në fusha nga më të ndryshmet të jetës dhe ekonomisë, që nga mbjelljet në bujqësi, spitalet në shëndetësi, rrugët në infrastrukturë, rritja në ekonomi apo interneti në shkollat pa dritare, anembanë vendit.
Ndryshe nga parashikimet zyrtare të FMN-së dhe nga paraqitja e kujdesshshme mbi gjendjen anemike të ekonomisë në raportin e fundit të Bankës Shqiptare, rritja ekonomike në vendin tonë tejkalon me 2-3 herë parashikimet më optimiste për këtë vit dhe të ardhshmin. Logjika më thjeshtë të thotë që dhe këtë herë qeveria jonë akrobate po bën cirkun e radhës me shifrat në ekonomi, duke paraqitur një situatë tjetër nga ajo që familja shqiptare sheh përditë në tryezë dhe pas portës së shtëpisë. Por, logjika nuk ka të bëjë fare me aftësitë hipnotike të Kryeministrit, i cili sa më shumë afrohen zgjedhjet, aq më shpesh i aplikon këto dhunti të tij të mirënjohura, por dhe të shumëvuajtura nga qytetari i thjeshtë.
Kushtet e ekonomisë botërore nuk mund të jenë pa ndikim te ne, edhe sikur situata jonë të ishte më rozë se bluja e selisë qeveritare. Dërgesat e emigrantëve në ulje kostante, ashtu si vendet e punës, që shkurtohen në fillim për emigrantët shqiptarë në Greqi dhe Itali, ndikojnë fuqishëm në mirëqenien dhe ekonominë tonë, që është e ldhur si enë komunikuese me këta faktorë. Ndaj, një optimizëm i tillë, në rastin më të mirë, është i nxituar, dhe në rastin më të keq, është manipulim qeveritar për të mbuluar dështimet e rënda të saj.
Kohë më parë, vetë Kryeministri pati përgatitur terrenin, kur pati deklaruar se llogaritja e rritjes ekonomike ishte ekzkluzivitet i INSTAT-it, dhe i asnjë organi tjetër të huaj: Këtu nënkuptohet që dhe prashikimet në të ardhmen janë ekzkluzivitet i Këshillit të Ministrave. Këto lajme kaq të mira, të servirura nga instituti që ka të drejtën ekskluzive në këtë fushë, nën vizionin qeverisës të realitetit, duhej të na bënin të ndiheshim të gjithë pak më mirë mbi nivelin tonë të jetesës. Në të vërtetë, ato sa ngulin një gozhdë më shumë në vuajtjet e familjes shqiptare, për sa kohë që ajo përpiqet të ushqehet, të shërohet dhe të mbijetojë para kësaj loje të dhimbshme që shteti i vet i vendos para derës së shtëpisë.
Sa më shumë afrojnë zgjedhjet, aq më shpesh votuesit do të dëgjojnë të qena e të paqena nga kjo qeveri, që përpiqet të na mbushë mendjen, në vend të barkut, se sa mirë po jetojmë. Sa më shumë afrohen zgjedhjet, aq më shpesh halucinacionet e gjalla dhe plot ngjyra të qeverisë do të shfaqen si filma nëpër ekranet, tabelat dhe format nga më inovativet.
ZNë këto kushte “euforie patologjike”, të përsëritur nga ana e qeverisë “Berisha”, do të ishte në të mirë të ekonomisë globale që në Tiranë të mbahej një konefrencë ndërkombëtare me titull: “Mësoni nga Ne: Rritja Dyshifrore në Kohe Krize”. Kështu, qeveria jonë mund të shpaloste eksperiencën e saj të paepur të një rritjeje marramendëse, në një kohë kur kushtet lokale dhe globale flasin për një ekonomi realisht të asfiksuar. Gjithë udhëheqësit e tjerë të politikës dhe financës ndërkombëtare, do të mund të admironin dhe një herë, njësoj si në vitin 1996, po në Shqipëri, se si po ndodhin mrekulli financiare dhe ekonomike, që lënë pa frymë çdo student ekonomie apo qytetar me një njohuri modeste në matematikë.