E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet gara për HEC-in e Skavicës

HEC-i me kapacitet 300 – 400 MegaWat, pritet të ketë një kosto ndërtimi prej rreth 600 milionë eurosh

Gjashtë kompani ndërkombëtare, në tender për ndërtimin e HEC-it të fundit mbi Drin

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, hapi garën për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës. Në fazën e parë parakualifikuese janë paraqitur gjashtë kompani ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur interes për ndërtimin e kësaj vepre, e cila konsiderohet më e madhja pas atyre të ndërtuara në periudhën e socializmit. Në këtë fazë, shoqëritë do t’u nënshtrohen kritereve specifike të hollësishme, që kanë të bëjnë me kapacitetet e tyre financiare dhe eksperiencën në vepra energjetike të ngjashme. Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë thuhet se komisioni i vlerësimit të ofertave do të shpallë brenda datës 5 janar 2009 shoqëritë, të cilat do të kualifikohen për në fazën e dytë, në të cilën do të paraqiten ofertat e projekteve, prodhimit të energjisë, fuqisë së instaluar, etj.

Skavica konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme koncesionare në lidhje me energjinë hidrike dhe investimi total parashikohet të arrijë në 600 milionë euro. Hidrocentrali i Skavicës, që ndodhet në zonën e Kukësit është shkalla e pestë dhe e fundit e skemës së shfrytëzimit hidroenergjetik të Lumit Drin, ose thënë ndryshe, hidrocentrali i kreut të kaskadës së Drinit. Parashikohet që kjo vepër energjetike, e ndërtuar mbi Lumin Drini i Zi, të ketë fuqi të instaluar nga 300 – 400 MegaWat. Hidrocentrali i Skavicës u projektua në vitet ‘80-të, me një kapacitet të instaluar prej 250 MW dhe prodhim vjetor prej rreth 1.3 W. Në garën për ndërtimin e kësaj vepre energjetike janë paraqitur konsorciumi italian TGK, i cili ka qenë ndër të parët që ka kërkuar marrjen me koncesion të këtij HEC-i. Korporata Energjetike e Koresë së Jugut (Korea Electric Power Corporation) është një nga kompanitë që ka shprehur interes për ndërtimin e kësaj vepre. Gjithashtu, në garë janë edhe austriakët e Verbund, të cilët po ndërtojnë aktualisht Hidrocentralin e Ashtës në Bushat të Shkodrës. Interes për këtë projekt kanë shfaqur shoqëria norvegjeze Statkraft, austriakët e Kelag Group dhe gjermanët e R.W.E AG.

Kompanitë

-Konsorciumi Italian TGK.Grup kompanish italiane që merren me prodhimin e energjisë elektrike

-Korea Electric Power Corporation –Korporata Energjetike e Koresë së Jugut, e cila siguron energji elektrike prej 120 vitesh dhezhvillon projekte energjetike në disa vende të botës.

- Shoqëria norvegjeze STATKRAFT, një nga shoqëritë më të rëndësishme energjetike në Europë.

-VERBUND- zotëron rreth 90 hidrocentrale. Aktualisht, në Shqipëri

-KELAG GRUP – një nga konsorciumet më të mëdhenj të prodhimit të energjisë në Austri.

-R.W.E AG- kontrollon rreth 2800 MW nga energjia hidrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›