E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Topi i jep fuqi vepruese ligjit



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, refuzon hedhjen e firmës mbi ligjin e hapjes së dosjeve. Një vendim i tillë i kreut të shtetit, rrezikon rrëzimin e ligjit të lustracionit nga Gjykata Kushtetuese në rast të një ankimimi nga palët kontestuese. Në një kohë kur dje i përfundoi dhe afati i fundit kushtetues, kreu i shtetit vendos të zgjedhë heshtjen për t’i dhënë ligjit të dosjeve fuqi vepruese. Neni 84 i Kushtetutës parashikon pikërisht të drejtën e Presidentit për të mos u shprehur për ligjin, i cili hyn në fuqi menjëherë pas kalimit të afatit 20-ditor që përfundon pikërisht sot. Ligji i dosjeve u kundërshtua jo vetëm nga opozita e vendit, por edhe nga ndërkombëtarët, të cilët kërkuan rishqyrtimin e tij. Disa orë pasi denoncoi presionin e mazhorancës për ligjin e dosjeve, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk mori vendim për ta rikthyer në Kuvend, por nga ana tjetër nuk ia dha pëlqimin e tij këtij ligji aq të debatueshëm. Ligji i dosjeve u kundërshtua nga opozita e vendit dhe disa institucione ndërkombëtare, të cilat kërkuan rishqyrtimin e tij. Edhe brenda vetë mazhorancës kishte zëra se ligji është i butë, krahasuar me diktaturën e egër komuniste që sundoi Shqipërinë për afro 50 vjet, por që në momentet e fundit e djathta unifikoi votat pro ligjit për lustacionin. Por ndërkohë që dje pritej prononcimi i Presidentit për ligjin e dosjeve, me mosfirmosjen as pro dhe as kundër hapjes së dosjeve, ligji do të marrë fuqi menjëherë pas ditës së djeshme. Vendosja e firmës së Topit për këtë çështje është pjesë e vendimmarrjes personale të Presidentit. Kreu i shtetit ka zhvilluar ditët e fundit konsultime me palët e interesuara për ligjin në fjalë, e pikërisht me shtresën e ish-të persekutuarve politikë. Kjo shtresë ka qenë pro miratimit në Parlament të ligjit, por ka shprehur kundërshtitë e saj, që gjatë diskutimit, ligji ngushtoi hapësirën e personave që duhej t’u hapeshin dosjet. Edhe në rast se Presidenti do ta kthente mbrapsht ligjin për hapjen e dosjeve, Kryeministri Berisha është shprehur qartë se do ta votojë sërish atë në Parlament, duke treguar kështu forcën e kartonëve. Por Presidenti, në të gjitha deklaratat e tij publike është shprehur se pozicioni i tij i njeh të drejtën për t’u konsultuar me palët dhe në fund vendimet janë krejtësisht personale. Presidenti pati deklaruar se është pro hapjes së dosjeve, por kritikoi ligjin në fjalë. Vetëm tri ditë më parë, kreu i shtetit denoncoi ashpër presionet e mazhorancës mbi të për dekretimin e ligjit. Kundërpërgjigjja e Topit arriti deri aty saqë deklaroi se po flasin ata që duhet të heshtin për dosjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›