Topalli takon ambasadorin e ri të Japonisë
Shqipëria i cilëson marrëdhëniet me Japoninë në një stad të ri. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli u takua dje me ambasadorin e ri japonez në Tiranë, të cilit i shprehu vlerësimet e saj për marrëdhëniet dypalëshe. “Mes Japonisë dhe Shqipërisë ka nisur një erë e re bashkëpunimi”, - u përgjigj ambasadori i ri i Japonisë, Hiroyasu Ando. I emëruar rishtas në këtë detyrë dhe i ardhur për herë të parë në Shqipëri, ambasadori Ando shprehu kënaqësinë për rritjen e nivelit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit, veçanërisht, siç u shpreh ai, pas vizitës së suksesshme të Kryeministrit Berisha në Japoni. Kryetarja e Kuvendit nga ana e saj shprehu dëshirën për një rritje të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë që tashmë ofron një klimë shumë inkurajuese për investimet e huaja dhe Japonisë, këtij vendi me një zhvillim të admirueshëm ekonomik në nivel global. Kryetarja e Kuvendit tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Japonia ishte një mbështetje e madhe jo vetëm për Kosovën, por për paqen e qëndrueshme në Ballkan, ndërsa ambasadori Ando theksoi se ashtu siç iu premtua edhe Kryeministrit Berisha gjatë vizitës së tij, Japonia e njohu shtetin e Kosovën brenda një kohe shumë të shkurtër.