E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët, në zgjedhje më 28 qershor



Shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjen e Parlamentit të ri, më datën 28 qershor 2009. Presidenti i vendit, Bamir Topi, dekretoi dje datën 28 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Dekretimi i kreut të shtetit erdhi tri javë pas miratimit përfundimtar të Kodit Zgjedhor. Sipas Kodit, fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare do të nisë më 28 maj dhe zgjedhjet do të zhvillohen vetëm një javë para datës së zgjedhjeve të kaluara, që u bënë më 3 korrik 2005. Kjo datë është dekretuar dje në mesditë nga Presidenti Bamir Topi. Kreu i shtetit kishte afat prej 7 ditësh menjëherë pas hyrjes në fuqi të Kodit Zgjedhor për të shpallur datën e zgjedhjeve. Mes dy datave të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, 21 dhe 28 qershor, ai zgjodhi këtë të fundit. Pikërisht e diela e fundit e qershorit është dita kur do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, menjëherë sapo Kodi Zgjedhor ka hyrë në fuqi, ka dekretuar datën e zgjedhjeve të përgjithshme. Pas një sërë debatesh që shoqëruan kthimin e ligjit zgjedhor nga ana e kreut të shtetit, kjo firmë mbyll të gjithë ciklin e detyrimeve presidenciale lidhur me procesin zgjedhor që do të zhvillohet pas rreth 5 muajsh. Tashmë, detyrimet për realizimin e standardeve në këto zgjedhje i takojnë tërësisht qeverisë shqiptare dhe Parlamentit i cili duhet të ngrejë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në bazë të Kodit të ri Elektoral, pjesa më e madhe e afateve lidhen pikërisht me datën e zgjedhjeve, që do të thotë se duhet të vazhdojë puna për krijimin e administratës zgjedhore. Kështu, sipas ligjit të ri, 15 ditë pas dekretit presidencial që përcakton datën e zgjedhjeve, duhen shpallur listat paraprake të votuesve, proces që përgjithësisht është shoqëruar me një debat të fortë politik. Kjo periudhë në fakt nuk do të jetë thjesht një provë për qeverinë, por edhe për Kodin e ri Zgjedhor, për të testuar nëse këtë herë Shqipëria do të realizojë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare. Pas dekretit të Presidentit për datën e zgjedhjeve, tashmë 28 qershori do të jetë data kur të gjithë shqiptarët që kanë të drejtën e votës, do të hedhin votën në kutitë e votimit për të vendosur për Parlamentin e ri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›