E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Dosjet" bashkojnë opozitën

Partitë opozitare kanë kritikuar vendimin e marrë nga Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, për t‘i kërkuar nëpërmjet një letre Gjykatës Kushtetuese të mos shqyrtojë ligjin e "dosjeve". Sipas përfaqësuesve të opozitës, ky është një shantazh i hapur ndaj institucionit të Gjykatës Kushtetuese dhe një veprim i paparë ndonjëherë.

Deklarata e Gjinushit

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, gjatë një prononcimi për "Shqip" është shprehur se "letra e Topallit është një shantazh i hapur ndaj institucionit të Gjykatës Kushtetuese". Me tone kritike, ai ka deklaruar se nga shumëkush kjo është vlerësuar si një përplasje e PD-së me opozitën dhe Gjykatën Kushtetuese, por ka theksuar Gjinushi, kjo është një përplasje e PD-së me gjithë faktorin ndërkombëtar dhe institucionet kushtetuese. Mazhoranca dhe qeveria, tha kryetari i PSD-së, po përplasen me SHBA dhe BE duke përdorur argumentin se me këtë ligj po luftojnë korrupsionin. Kjo, tha Gjinushi, nuk është aspak e vërtetë, mazhoranca me këtë ligj po mbron korrupsionin, po godet organet e drejtësisë, duke u përpjekur t‘i vërë ato nën komandën e saj. Deklaratat e PD-së, ka theksuar Gjinushi, kanë shkuar deri atje sa kanë akuzuar SHBA dhe BE-në se po mbrojnë komunizmin, ndërsa qeveria e Berishës po e lufton me miratimin e këtij ligji. Një tjetër pikë e ligjit që është komentuar nga kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, ka qenë konflikti i interesit i cili trumbetohet kaq fort nga Kryeministri Berisha, Topalli dhe deputetët e mazhorancës. Kjo sipas kreut të PSD-së është thjesht një mashtrim për të mbuluar qëllimin e ligjit, sepse ka theksuar ai, po të bësh një ligj antikushtetueses dihet se ai do të bjerë ndesh me institucionet kushtetuese dhe me përbërjen e tyre dhe pastaj nuk ke sesi ta shfuqizosh. Duke sjellë një shembull të thjeshtë, Gjinushi tha se mazhoranca mund të sjellë një ligj ku kërkon shkrirjen e organeve kushtetuese dhe shkarkimin e Presidentit dhe më pas e shet si një ligj të suksesshëm dhe që duhet për t‘u integruar. Për Gjinushin, kjo mënyrë e të sjellit e PD-së nuk është e re, kështu tha ai e mbyll gjithmonë mandatin e djathta me ligje antikushtetuese dhe me qëndrime anti-SHBA dhe BE.

Deklarata e Brahos

Kundër veprimit të Topallit është shprehur edhe deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Po ashtu si Gjinushi edhe deputeti Braho gjatë një prononcimi për "Shqip" është shprehur se "Topalli ka bërë një presion të hapur ndaj institucionit të Gjykatës Kushtetuese me letrën që i ka dërguar". Sipas Brahos, veprimi i Topallit është i paparë dhe është një ndërhyrje direkte në kompetencat e institucioneve të tjera kushtetuese. Duke sjellë një shembull konkret, Braho ka theksuar se kjo ndërhyrje është si të kërkojë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetares Topalli të mos zhvillojë seancën parlamentare të radhës dhe të mos marrë në shqyrtim për të miratuar ligje të caktuara. Dhe kjo tha Braho, është një gjë absurde dhe që në mënyrë të drejtpërdrejtë, publikisht nuk ka ndodhur ndonjëherë. Por Braho ka shtuar se nuk është Topalli kryesorja e gjithë këtyre lëvizjeve. Sipas tij, para Topallit fshihet Kryeministri Berisha ai që i lëviz të gjitha këto fije duke krijuar konflikte dhe përplasje të pastra me institucionet kushtetuese.

Të vegjlit e PD heshtin për letrën në Kushtetuese

Ndryshe nga partitë e vogla të opozitës, të cilat e shprehin hapur qëndrimin e tyre kritik ndaj Kryetares së Kuvendit, Topalli, për presionin që po i bën Gjykatës Kushtetuese, paritë e vogla të djathta duken më të tërhequra. Asnjëra prej tyre nuk pranon të bëjë publikisht një koment për letrën që Topalli dhe në emër të tyre ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Partitë e vogla të djathta kërkojnë të mbeten jashtë këtij debati duke theksuar jo publikisht se në gjithë këtë debat askush nuk i ka pyetur dhe marrë mendim, si për hartimin e ligjit ashtu edhe për dërgimin e letrës në Kushtetuese. E vetmja forcë politike e djathë që nuk është rreshtuar në krah të Topallit dhe PD-së për këtë ligj ka qenë PDK-ja e Ndokës, e cila si në sallën e Kuvendit ashtu edhe në deklaratat mediatike e ka kundërshtuar një veprim të tillë, duke theksuar se ligji i miratuar në formën e servirur nga PD-ja është antikushtetues.

Mazhoranca

PD, të hënën pritet të votojë pro ngritjes së komisionit

Mazhoranca pritet që në seancën e ditës së hënë të miratojë e vetme pa opozitën komisionin për ngritjen e autoritetit të kontrollit të figurave. PD-ja ka bërë të ditur se anëtarët e këtij komisioni duhet të jenë patjetër me profesion juristë, ndërkohë që theksojnë se emrat për ngritjen përfundimtare të këtij komisioni që pritet të miratohet të hënën në Kuvend nuk janë ende gati. Për të bërë verifikimin, ligji në nenet 6 dhe 7 të tij parashikon ngritjen e një autoriteti të kontrollit të figurave, i cili në përbërje të tij, ka 5 anëtarë, të cilët propozohen 2 nga mazhoranca, 2 nga opozita dhe kryetari me konsensus. Por deri më tani të majtët kanë deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e një autoriteti të tillë. Pavarësisht këtij qëndrimi nga opozita, ligji parashikon dhe rastet kur vendet mbeten vakante për mungesë propozimesh, Kuvendi emëron anëtarët përkatës me propozime të ardhura nga shoqëria civile. Veprimtaria e autoritetit parashikohet të zgjasë deri më 31 dhjetor të 2014-ës.

Autoriteti Shtetëror i Kontrollit të Figurave fillon një proces verifikimi, për të gjitha subjektet nga Presidenti i Republikës deri te çdo person i dekretuar nga Presidenti i Republikës apo i zgjedhur nga Kuvendi përfshirë këtu anëtarët e KLD-së, si dhe gjyqtarë dhe prokurorë të të gjitha niveleve. Në rastet kur ka një kërkesë nga krerët e institucioneve për funksionarët publikë, si dhe me kërkesë të vetë subjektit që kandidon në mënyrë të pavarur në një proces zgjedhor. Në përfundim të këtij procesi, kur subjekti i verifikuar rezulton i pastër, atëherë ai pajiset me një dëshmi të pastërtisë së figurës morale po e njëjta procedurë ndiqet dhe për personat që rezultojnë me dosje.

Opozita kundërshton: Ligji bie ndesh me Kushtetutën. Presidenti nuk hedh firmën mbi dekret

Ligji i Lustracionit, përplasja e PD-së me PS-ne dhe ndërkombëtaret

Ligji për Pastërtinë e Figurës së Funksionarëve të Lartë të Administratës Publike dhe të të Zgjedhurve është miratuar para dy muajsh nga Kuvendi vetëm me votat e mazhorancës. Opozita e kundërshtoi këtë ligj si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe për këtë shkak vota e tyre në Kuvend ka qenë kundër. Por pavarësisht votës kundër të opozitës, mazhoranca e miratoi ligjin duke ia dërguar për dekretim Presidentit të Republikës. Ky i fundit e mbajti në tryezën e tij të punës këtë ligj deri në afatet e fundit që ia lejonte Kushtetuta dhe më pas e la që të hynte në fuqi pa firmën e tij. Kreu i shtetit zgjodhi rrugën e abstenimit për këtë ligj, duke mos e kthyer për rishikim në Parlament, por as nuk e futi në fuqi me firmën e tij, rast që ia lejon Kushtetuta e vendit. Para se të ndërmerrte këtë veprim, kreu i shtetit për më se dy javë u përball me presione të shumta për ta detyruar që ta firmoste ligjin si nga deputetët e mazhorancës ashtu edhe nga shoqatat pranë qeverisë së ish të përndjekurve dhe dënuarve politikë. Pas dy javëve të hyrjes në fuqi, ligji u botua në Fletoren Zyrtare për të pritur zbatimin e tij. Kohë të cilën opozita nga ana e saj e shfrytëzoi duke e ankimuar ligjin në Kushtetuese ku kërkon prej kësaj gjykate rrëzimin e tij, sepse sipas PS ky ligj bie ndesh me 28 nene të Kushtetutës. Tashmë pritet vendimi i Kushtetueses për këtë ligj nëse është i drejtë apo në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Por gjatë gjithë kësaj kohe nuk kanë mbetur jashtë debatit politik edhe faktori ndërkombëtar. Ambasadorët e akredituar në vendin tonë si ai i SHBA, KE, Britanisë së Madhe, Çekisë e shumë të tjerë janë shprehur kundër këtij ligji dhe i kanë kërkuar qeverisë që ta tërheqë dhe të mos e fusë në zbatim pa u shprehur Gjykata Kushtetuese. Qëndrim ky i cili para dy ditësh ka ardhur dhe nga BE. Deri më tani, mazhoranca nuk ka marrë parasysh asnjë deklaratë të ndërkombëtarëve dhe si për ta dëshmuar këtë, Topalli ditën e premte i ka dërguar një letër Gjykatës Kushtetuese ku së pari i kërkon që të mos e marrë në shqyrtim ligjin dhe së dyti, ata anëtarë të cilët kanë konflikt interesi me ligjin të mos jenë pjesë e seancës së shqyrtimit të tij. Vetë ligji është i përbërë nga 30 nene dhe është përcaktuar qartë sipas mazhorancës objekti dhe qëllimi i tij, si dhe subjektet që preken nga ky verifikim.

PS: Berisha-Topalli të tërhiqen nga ligji i "dosjeve"

Opozita nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj kundër ligjit të "Dosjeve". Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka reaguar dje ndaj veprimit të ndërmarrë nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila nëpërmjet një letre i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të mos marrë në shqyrtim ligjin e "dosjeve". Gjatë një konference për shtyp, Leskaj i ka bërë thirrje dyshes Berisha - Topalli, të tërhiqen nga ligji i "dosjeve", pasi po e fusin vendin në një rrugë pa krye. Sipas kryetares së grupit të PS-së, Berisha dhe Topalli po e bëjnë këtë me konfliktet e krijuara me institucionet kushtetuese, e për këtë shkak edhe me partnerët ndërkombëtarë, të cilët natyrisht nuk mund të pranojnë që një vend aspirues për integrim të bëjë standarde të dyfishta. "U bënë mbi dy muaj që komuniteti ndërkombëtar i përcjell në mënyrë të përsëritur qeverisë shqiptare, mesazhin për rishqyrtimin e ligjit të "dosjeve", duke e konsideruar atë si antikushtetues. Thirrjet kanë qenë si asnjëherë tjetër intensive", është shprehur numri një i grupit parlamentar të PS-së. Më tej Leskaj i ka kujtuar mazhorancës deklaratën më të fundit të bërë dje nga BE-ja e cila, ka bërë të qartë se rrezikohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Por kësaj deklarate, ka theksuar Leskaj, kryeparlamentarja shqiptare i është përgjigjur me kryeneçësi, duke theksuar se ditën e hënë do miratojë në Kuvend komisionin për autoritetin e verifikimit, pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Leskajt, ky është një injorim i qëllimtë nga ana e dyshes Berisha - Topalli, të këtyre mesazheve, duke abuzuar me krimet e së kaluarës komuniste, me qëllimin e vetëm për të mbuluar mëkatet e sotme. PS-ja, nëpërmjet Leskajt, ka shprehur frikën e saj se këto refuzime kanë vënë në rrezik serioz hapat integrues të Shqipërisë në strukturat euroatlantike. PS-ja e konsideron detyrë historike dhe mision kushtetues e kombëtar, të kërkojë ndalimin e metodave dhe mentaliteteve komuniste që rrezikojnë të ardhmen evropiane të Shqipërisë, prandaj, tha Leskaj, ne u bëjmë edhe njëherë thirrje protagonistëve të shkeljes së Kushtetutës, të dëgjojnë kritikat dhe kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë se Shqipëria nuk mund të hyjë në familjen euroatlantike me mendësitë enveriste të dyshes Berisha - Topalli. Të respektojë Gjykatën Kushtetuese me atributet që i jep ligji, sepse nuk hyjmë dot në familjen euroatlantike duke u sjellë me të si në republikat e bananeve. Të reflektojë ndaj opozitës dhe ne jemi gati të japim një variant kushtetues dhe evropian që ka në themel parimet dhe kriteret e Këshillit të Evropës e ta votojmë atë jo duke turpëruar, por duke nderuar Shqipërinë. Leskaj ka theksuar më tej në deklaratën e saj për shtyp, se PS-ja ka qenë dhe mbetet koherente në qëndrimin e tyre për një trajtim të së kaluarës sipas standardeve, jo sipas interesave përveçme apo ato të çastit. Gjithashtu, kryetarja e grupit të PS-së, i ka kujtuar Topallit dhe mazhorancës se axhenda parlamentare është integrimi përmes konsensusit të gjerë për problemet madhore të vendit dhe jo aktet si ky që na ndajnë nga integrimi duke e kthyer atë në një mision të pamundur.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›