Qytetarët nuk paguajnë ujin, Ujësjellësi nuk paguan punëtorët
Prej dy vjetësh, punonjësit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Koplik nuk i marrin rrogat. Shkak është bërë mospagesa e faturave të ujit dhe në këto kushte drejtuesit e ndërmarrjes kanë kërcënuar me ndërprerjen e ujit të pijshëm në qytet. Qyteti i Koplikut, i vetmi qytet në rrethin e Malësisë së Madhe, e që për ironi ndodhet buzë liqenit të Shkodrës, i cili është më i madhi në Ballkan, vuan në mënyrë të theksuar mungesën e ujit të pijshëm. Qyteti furnizohet vetëm dy orë në ditë me ujë. Kjo situatë ka bërë që edhe qytetarët të tregohen indiferentë ndaj pagesës së faturave të ujit. Por mospagesa e asaj sasie uji që konsumohet ka bërë që Ndërmarrja e Ujësjellësit të shkojë drejt falimentimit. Në një komunikim me mediat, drejtori i Ujësjellësit të Koplikut, Ramdan Tahiri, sqaron se "kjo situatë e krijuar është dhe pasojë e neglizhencës së strukturave vendore. Është e pafalshme që lagje të tëra të mos paguajnë faturat e ujit të pijshëm. Kemi bërë disa herë paralajmërime dhe tërheqje vëmendjeje, por nuk kanë dhënë rezultat. Kemi kërkuar ndihmën e përfaqësuesve vendorë, por s‘kemi pasur rezultat. Në këto kushte do të nisim masat ekstreme. Do të bëjmë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë ata që nuk paguajnë. Tashmë nuk ka zgjidhje tjetër, pasi kemi dy vjet pa marrë pagat". Aktualisht për qytetin e Koplikut është duke u kryer një investim në lidhje me furnizimin e ujit të pijshëm. Ky është një investim i qeverisë austriake, me një fond prej 1 milion e 390 mijë eurosh, që është dhënë ndërmjet Kooperacionit Austriak të Zhvillimit. Edhe qeveria shqiptare është pjesë e ndërtimit të këtij ujësjellësi me një fond prej 80 mijë eurosh. Mendohet se me përfundimin e këtij ujësjellësi, që do ndërtohet në burimet e fshatit Rrjoll, qyteti i Koplikut do të ketë furnizimin me ujë të pijshëm për 24 orë pa ndërprerje.