E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e Gjirokastrës, lë qelinë një tjetër i akuzuar

Që prej ditës së enjte ka lënë qelinë personi i pestë nga 10 të arrestuarit dhe të akuzuarit prej Prokurorisë së Gjirokastrës për shembjen e një pallati më 9 nëntor të vitit të kaluar në lagjen "11 Janari" të Gjirokastrës. Në këtë tragjedi humbën jetën dy gra dhe një fëmijë dhe organet e drejtësisë ngritën akuza për drejtuesit dhe inxhinierët e firmës së ndërtimit "Arti" sh.p.k., që gërmonte pak metra nën themelet e pallatit pesëkatësh që u shemb. Aristotel Haxhi, një nga bashkëpronarët e firmës ndërtimore "Arti" sh.p.k., që ishte dorëzuar në polici një ditë pas ndalimit nga Prokuroria e Gjirokastrës të 9 personave të tjerë, të akuzuar si shkaktarë të tragjedisë, ka lënë qelinë pas një vendimi të Gjykatës së Lartë dhe në vazhdim ai do të hetohet dhe gjykohet në kushtet e sigurisë "arrest shtëpie".

Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë në Tiranë bënë të ditur se seanca ku është rishikuar vendimi i Gjykatës së Rrethit dhe të Apelit të Gjirokastrës është zhvilluar të mërkurën e javës së kaluar dhe nga trupi gjykues është marrë vendim i formës së prerë, që ai të hetohet nga institucioni i akuzës, në kushtet e masës së sigurisë "arrest shtëpie". Vendimi zyrtar i formës së prerë nga Gjykata e Lartë është marrë pas kërkesës së bërë nga mbrojtja e të akuzuarit për shkelje të rregullave të sigurisë në punë, për ndryshimin e masës së arrestit të dhënë më parë nga dy shkallët më të ulëta të gjykimit në Gjirokastër. Por, sipas informacioneve nga prokuroria, çështja penale në ngarkim të tij nuk do të pushohet. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati pesëkatësh, i ngritur në një kodër në lagjen "11 Janari", u shemb për shkak të punimeve për hapjen e themeleve të një godine të re shumë pranë tij.

Fillimisht për këtë ngjarje janë ndaluar dhe arrestuar 10 persona, por më pas për tre shtetas, një arkitekt, një ekskavatorist dhe një inxhinier gjeolog, nga prokuroria është pushuar çështja penale, ndërsa për dy të tjerë, ish-sekretaren e këshillit teknik të zyrës së urbanistikës, Afërdita Papamihali, dhe bashkëpronarin Aristotel Haxhi, nga Gjykata e Lartë është marrë vendimi për gjykimin e tyre në kushtet e masës së sigurisë "arrest shtëpie".

Në ditët e para të janarit 2009, inxhinieri gjeolog Thanas Llahana, autori i studimit gjeologo-inxhinierik të projektit të ndërtimit për qendrën tregtare, u shpall i pafajshëm nga organi i akuzës, pas një raporti të paraqitur nga një grup ekspertësh të kësaj fushe. Sipas përfaqësuesve të mbrojtjes së disa prej të akuzuarve të tjerë, pushimi i çështjes ndaj inxhinierit gjeolog rëndon edhe më tej pozitën e tetë të arrestuarve të tjerë për këtë tragjedi, me pasoja të rënda njerëzore.

Lista

10 të arrestuarit pas tragjedisë

Në burg

Alfred Mamani, shef i urbanistikës në Bashkinë e Gjirokastrës, i akuzuar për "shpërdorim detyre"

Admir Shehaj, përgjegjës pranë Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, i akuzuar për "shpërdorim detyre"

Sotiraq Janora, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit "Arti" sh.p.k., i akuzuar për "shkelje të rregullave në punë"

Gjergji Meçe, inxhinier zbatues i shoqërisë së ndërtimit "Arti" sh.p.k., i akuzuar për "Shkelje të rregullave në punë"

Luan Bufi, inxhinier ndërtimi i shoqërisë së ndërtimit "Arti" sh.p.k., i akuzuar për "shkelje të rregullave në punë"

Në arrest shtëpie

Afërdita Papamihali, sekretare e KRRT-së pranë Bashkisë Gjirokastër, e akuzuar për "shpërdorim detyre"

Aristotel Haxhi, bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit "Arti" sh.p.k., i akuzuar për "shpërdorim detyre"

Të lirë

Njazi Çobani, arkitekti i projektit të qendrës tregtare dhe shoqërisë së ndërtimit "Arti" sh.p.k., i liruar nga akuza për "shkelje të rregullave në punë"

Jani Ndriço, ekskavatoristi i firmës "Arti" sh.p.k., i liruar nga akuzua për "shkelje të rregullave në punë"

Thanas Llahana, inxhinieri gjeolog, i liruar nga akuza për "shkelje të rregullave në punë"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›