E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, digjet një tjetër biznes në autostradë

Bizneset, sërish në flakë. Një tjetër objekt i biznesit vendas që ngrihet pranë superstradës Tiranë-Durrës është përfshirë nga flakët. Zjarri i fuqishëm ka shkaktuar dëme të shumta materiale, por jo viktima në njerëz. Disa dhjetëra mijëra euro llogaritet paraprakisht dëmi që i është shkaktuar subjektit "Shala sh.p.k." nga djegia e magazinës së materialeve të ndryshme hidrosanitare, duralumini dhe inertesh, ndërkohë që dyshohet se shkak i këtij shkatërrimi prone nga zjarri është një qark i shkurtër elektrik. Zjarrfikëset e Durrësit dhe Tiranës, që kanë mbërritur pak minuta pas njoftimit në vendngjarje, kanë mundur të izolojnë flakët, pas disa orësh në luftë me gjuhët e zjarrta të favorizuara dhe nga era e lehtë. Nga magazina është shpëtuar pak gjë, por është parandaluar përhapja e zjarrit në ndërtesat e tjera.

Zjarri ra rreth orës 10.15 të ditës së djeshme, në afërsi të mbikalimit të Fllakës, në superstradë. Ai përfshiu ambientet e brendshme të magazinës, me një sipërfaqe prej afro 830 metrash katrorë, ndërkohë që nuk mundi të prekë objektet e tjera të kësaj firme. Burime nga zjarrfikësit lokalë bënë të ditur se lënda drusore dhe gomat që ndodheshin në objekt kanë favorizuar përhapjen e flakëve në brendësi.

Përhapja e shpejtë e flakëve në godinë ka bërë që gjendja të konsiderohet emergjente dhe të kërkohet ndihmë nga Tirana. Pesë automjete zjarrfikëse të Durrësit dhe Tiranës kanë qenë në vendin e ngjarjes, duke u përballur me flakët dhe atëherë kur objekti magazinues është shkatërruar thuajse plotësisht, flakët janë shuar. Ndërhyrja ka bërë të mundur shmangien e përhapjes së flakëve, duke ulur tensionin te drejtuesit e këtij biznesi, po dhe atyre që ndodhen pranë magazinës në flakë, si dhe banorëve të zonës.

Shpeshtësia e zjarreve që kanë prekur muajt e fundit biznese të ndryshme që ushtrojnë aktivitetin e tyre përgjatë superstradës kryesore në vend, si dhe në atë të Fushë-Krujës, ka bërë që të hidhen dyshime të forta dhe në drejtim të zjarrvënieve të qëllimshme, qoftë nga kundërshtarët në biznes, qoftë nga vetë pronarët e tyre, për të përfituar nga kompanitë e sigurimeve. Me gjithë ngritjen e këtyre pistave, hetimet kanë zbardhur se në shumë raste ka qenë i njëjti shkak që ka sjellë dëmtim serioz të aktivitetit prodhues e tregtar të bizneseve shqiptare. Shkëndijat elektrike kanë qenë ato që kanë prodhuar zjarret masive që kanë djegur gjithçka, por për fat të mirë nuk kanë shkaktuar viktima në njerëz.

Vetëm tri javë më parë, një tjetër magazinë mallrash u shkrumbua në superstradën Fushë-Krujë - Lezhë, duke i shkaktuar pronarit të saj nga Tirana një dëm prej 30 mijë eurosh. Në këtë rast hetimet zbardhën se zjarri kishte ardhur si pasojë e një kontakti elektrik. Edhe për rastin e djeshëm mendohet të jetë i njëjti shkak, ndërkohë që ekspertë të Komisariatit të Policisë së Durrësit, zjarrfikësve të qytetit dhe ndërmarrjes elektrike kanë nisur hetimet për të saktësuar natyrën e zjarrit të rënë. Ditët e fundit, në rrethin e Durrësit ka pasur ndërprerje të herëpashershme, si dhe luhatje të tensionit të energjisë elektrike, të cilat janë shoqëruar me pasoja dhe në shumë familje durrsake.

Ndërkohë, në muajin dhjetor ishin firmat "Henry" dhe "Ardeno" ato që u dëmtuan nga flakët e zjarrit. Për rastin e firmës "Ardeno", ku u shkaktua një dëm prej afro 10 milionë eurosh, u vërtetua nga një kasetë sigurie se zjarri kishte nisur nga një shkëndijë elektrike.

Zjarret vazhdojnë, ndërsa në asnjë rast Kompania Energjetike Shqiptare dhe strukturat e saj të transmetimit të energjisë nuk kanë marrë përsipër pasojat e rënda të shkaktuara nga një shërbim jocilësor, që dëmton konsumatorët, qofshin këto biznese me dëme në miliona lekë, apo konsumatorë familjarë, të cilëve u kanë dalë jashtë funksionimit shumë prej pajisjeve elektroshtëpiake. Në zjarrin e rënë dje në superstradën Tiranë-Durrës, pranë mbikalimit të Fllakës, dëmtimet gjithashtu janë të mëdha, ndonëse vlera e dëmit nuk është përcaktuar ende me saktësi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›