Arrest shtëpie për vjedhësit e kromit
Arrest shtëpie ka qenë masa e sigurisë dhënë në orët e mesditës së djeshme, nga Gjykata e Shkallës së Parë Dibër, për katër persona të arrestuar në flagrancë për vjedhje kromi në minierën e Bulqizës. Në mbrëmjen e ditës së enjte, katër persona nga qyteti minator i Bulqizës dhe konkretisht: Dëfrim Lica, Agron Truka, Saimir Balla dhe Rexhep Rushiti, u kapën në flagrancë duke vjedhur një sasi kromi prej rreth 80 tonësh, nga galeria 16 në zonën e parë të minierës, pronë e firmës "Albanian Chrome". Arrestimi i tyre u bë nga policia kriminale e Bulqizës, pas një njoftimi të marrë prej policisë private së ruajtjes së minierës. Varfëria ekstreme e qytetit minator, i ka detyruar këta persona dhe të tjerë si këta të pakapur nga policia, që të rrezikojnë jo vetëm burgun, por edhe jetën e tyre, në përpjekje për të mbijetuar, pasi minerali është i vetmi burim jetese për ta. Viti që lamë pas u karakterizua nga një koniunkturë tepër favorizuese e çmimit të kromit në tregjet ndërkombëtare, gjë që nxiti edhe punën e jashtëligjshme të personave e firmave të palicencuara nga Ministria e Ekonomisë, si në zaptimin e galerive, ashtu edhe në stoqet e kromit.