Dosjet e KLSH-së, pa fakte, vetëm mendime të ekspertëve
Prokuroria i cilëson deklaratat e Robert çekut, kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), si emocionale dhe pa fakte, duke dashur “të fshehë” abuzimet në institucionin që drejton. Prokurorë të njësive hetimore që luftojnë krimin ekonomiko-financiar deklarojnë se dosjet e KLSH-së lënë shumë për të dëshiruar dhe nuk janë hartuar me të gjitha bazat ligjore, por vetëm me mendime të specialistëve. Sipas tyre, një gjë e tillë nuk është ligjore, pasi paraqiten si kallëzim raportet periodike të KLSH-së, ndërkohë që brenda raportit, si pjesë e kallëzimit, mund të duhen rreth pesë faqe. Megjithatë, burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë për gazetën “Shqip” se midis KLSH-së dhe prokurorisë ekziston një memorandum bashkëpunimi dhe një ekspert është i atashuar në njësinë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, i cili është ura ndërlidhëse midis dy institucioneve. Sipas të njëjtave burime, bashkëpunimi ka qenë i frytshëm dhe përgjatë viteve të fundit është shkëmbyer informacion, duke realizuar kështu edhe hetimin e abuzimeve në administratën shtetërore.
Dosjet e KLSH-sëBurimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme deklarojnë se vlerësimi është maksimal nga akuza për KLSH-në, ndërsa përgjatë viteve të fundit janë diskutuar edhe të metat midis dy institucioneve. është bashkëpunuar kryesisht në faktimin e këtyre kontrolleve, si dhe hartimin e tyre në bazë të rregullave ligjore, dhe jo në bazë të rregullave ekonomike. Një nga parregullsitë e dosjeve të KLSH-së, sipas prokurorëve, është se hartimi i tyre realizohet nga ekonomistë dhe jo nga juristë. “Në dosjet e KLSH-së janë vetëm mendime të ekonomistëve. Termat ‘unë mendoj’ apo ‘nga llogaritja ka rezultuar një dëm...’ janë të pasakta për t’u hetuar dhe verifikuar, pasi përfundimi është relativ. Ajo çka kërkohet nga dosjet e KLSH-së është që procedurat apo rezultati i një kontrolli të krahasohet me një ligj apo me VKM. Nëse rezultati i kontrollit është në kundërshtim me ligjet apo me Vendimet e Këshillit të Ministrave, atëherë do të kishin një konsumim të elementëve të veprës penale nga personi apo institucioni që kontrollohet. Në këtë mënyrë do të ishte shumë e lehtë të hetoheshin këto dosje”, deklarojnë prokurorë nga njësitë antikorrupsion, duke rekomanduar se kallëzimet e KLSH-së duhet të hartohen nga juristë dhe jo nga ekonomistë, gjithashtu kontrollet e KLSH-së të kryhen në prani të juristëve të cilët mund të marrin një provë sipas të gjitha ligjeve në fuqi, si dhe për funksionimin e kontrollit.
Prokuroria dhe gjykataZyrtarë të akuzës qendrore saktësojnë se të gjitha pakënaqësitë e KLSH-së për dosjet konkrete u janë dërguar gjykatave të rretheve. Burime nga akuza qendrore deklarojnë se në asnjë rast gjykata nuk ka urdhëruar prokurorinë për të rifilluar hetimet. “Rastet e pretenduara për të cilat ka dyshime për pushimet e dosjeve nga ana e prokurorisë janë dërguar në gjykatë. Nga sa kemi informacion, ka rezultuar se të gjitha ankimimet e KLSH-së për pushimin e kallëzimeve nga prokuroria janë rrëzuar nga gjykata. Në asnjë rast nuk është urdhëruar rifillimi i hetimeve apo pretendimet se prokurorët kanë gabuar në vendimin e pushimit”, deklarojnë burimet nga akuza qendrore, duke saktësuar se vlerësimi i punës së prokurorisë duket në gjykatë dhe jo në raportet e KLSH-së apo në deklaratat e kryetarit të saj, Robert çeku.
#