Spiro Ksera: Kriminaliteti ka arritur kulmin dy vitet e fundit
“Gjatë dy viteve të fundit, mafia vepron e pakontrolluar dhe nuk i llogarit ligjet”. Kështu ka deklaruar për gazetën greke “Etnos” ministri shqiptar i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Ministri citohet në një artikull që ka në fokus Lazaratin, të konsideruar si “Kolumbia” vetëm 25 km larg kufirit me Greqinë. Gazeta greke i mëshon idesë se lejimi i Lazaratit jashtë kontrollit bie ndjesh me aspiratën e Shqipërisë për lëvizjen e lirë dhe për këtë ndihmon edhe ministri, që është anëtar i minoritetit grek, por përfaqësues i qeverisë shqiptare.
ArtikulliArtikulli në "Etnos" mban titullin "Kolumbi në Shqipëri" dhe i quan lazaratasit “Kretasit e Shqipërisë”, pasi ngjasojnë për mosbindjen ndaj ligjit dhe kultivimin e bimëve narkotike. Në artikull thuhet se lazaratasit jetojnë me kultivimin dhe shpërndarjen e hashashit dhe drogave të tjera, pjesa më e madhe e të cilave shkon në Greqi dhe ata i mbrojnë të korrat e tyre me kallashnikovë. Më tej shkruhet se në Lazarat, një fshat i vogël vetëm 25 kilometra larg kufirit greko-shqiptar dhe pranë qytetit të Gjirokastrës, rreth 4 mijë banorët jetojnë ekskluzivisht prej narkotikëve dhe nuk ka asnjë familje me të ardhura vjetore më pak se 100 mijë euro. Të gjithë kultivojnë kanabis dhe ata që nuk e bëjnë, konsiderohen "tradhtarë", ndërkohë që policia kufizohet në bërjen e aksioneve dhe arrestimeve, pasi i madh dhe i vogël në Lazarat qarkullon me kallashnikovë. "Situata ka dalë jashtë çdo kontrollit dhe narkotikët qëndrojnë si pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian", citon për "Etnos" ministri shqiptar i Punës, Spiro Ksera.
Përveç kultivimit të hashashit, Lazarati konsiderohet si nyje procesimi dhe magazinimi i sasive të mëdha të heroinës dhe kokainës, e për rrjedhojë si një nga qendrat e mafies shqiptare. Zona konsiderohet e paprekshme nga policia, pasi të gjithë mbajnë armë dhe shfaqja e patrullave të armatosura është shkak lufte. Gazeta greke risjell në vëmendje incidentin me helikopterin italian, kur shkruan se “është i veçantë fakti kur disa vite më parë, autoritetet shqiptare arritën një marrëveshje me policinë italiane dhe organizuan një operacion për të rivendosur ligjin në Lazarat, por u larguan me shpejtësi kur banorët e fshatit goditën me armë kundërajrore helikopterin italian, që po identifikonte plantacionet e hashashit dhe po lajmëronte forcat tokësore”. Më tej gazeta citon përsëri ministrin Ksera, i cili thotë se "Gjatë dy viteve të fundit, mafia vepron e pakontrolluar dhe nuk i llogarit ligjet. Kriminaliteti ka arritur kulmin dhe bashkë me kultivimin e hashashit, si dhe transportin e çdo lloj narkotiku, konsiderohen si pengesat madhore për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe europiane. Dhe përpjekja e madhe që po bëjmë për të liberalizuar regjimin e vizave bie ndesh me rregullat e Traktatit Shengen".
SituataPërveç deklaratës së fortë të ministrit Ksera, gazeta “Etnos” nuk ka dhënë asnjë informacion më shumë se sa jepet çdo ditë në mediat shqiptare për Lazaratin e lënë tërësisht kontrollit. Disa ditë më parë, tre ministra të kabinetit “Berisha”, përfshirë edhe Spiro Kserën, zhvilluan një takim në Gjirokastër, ku pranuan se fshati bastion i PD-së nuk i bindet ligjit dhe se përbën rrezik për integrimin e vendit. Në atë takim, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, u angazhuan për luftë pa kompromis kundër prodhimit dhe trafikimit të drogës, por vetëm disa orë më vonë, policia e Gjirokastrës, që bllokoi një makinë me 180 kg marijuanë pranë Lazaratit, nuk guxoi të kalonte kufirin e fshatit për të ndjekur trafikantin, i cili megjithëse zyrtarisht i shpallur në kërkim, qëndron i qetë në shtëpinë e tij, në Lazaratin e paprekshëm.
#