Dosjet e Kosovës, si tautologji politike, mashtrim e kurth
Sipas fjalorit të Gjuhës së sotme shqipe, “Përsëritja zakonisht pa nevojë e po atij mendimi, e po asaj gjëje a ideje me fjalë të tjera të afërta nga kuptimi, përsëritja e asaj që sëhtë thënë jo me të njëjtat fjalë” paraqet kuptimin e asaj që quhet “tautologji”. Kur fjalës “tautologji” i japim kuptim politik, atëherë fitojmë termin sintagmatik “tautologji politike”. Tautologjia politike, me këtë rast, del si mendim politik, si qëllim politik, e pse jo edhe si veprim politik. Nëse gjithë këtë e konkretizojmë në kuazidebatin për hapjen e dosjeve në Kosovë, a mund të shihet dhe të kuptohet si mashtrim dhe si kurth? Në fund të fundit pse të lidhet tautologjia politike me këtë gjoja debat?
Nga Rexhep Kastrati
Njerëzit që kanë një koefecient mesatar të intelegjencës si dhe ata që sado pak kanë përcjellë historinë e çështjes së hapjes së dosjeve në Tiranë, e kanë shumë të qartë se në Prishtinë po provohet të thuhet me fjalë të tjera ajo që më parë është thënë në Tiranë. Dhe kjo është një tautologji e pastër politike. Pse është kështu? Është kështu se rimarrja e legjërimit politik të bërë në Tiranë për çështjen e dosjeve nga individë të ndryshëm në Prishtinë, bëhet në mënyrë joprofesionale, jo përkatëse dhe duke mos marrë parasysh kontekstet e ndryshme edhe socio-politike dhe socio-historike. Nxitësit e debatit për hapjen e dosjeve në Kosovë nuk e kanë parasysh se miratimi i paradokohëshëm i Ligjit të Lustracionit në Tiranë ishte përmbyllje e një debati dhe një procesi politik dhe shoqëror që kishte filluar qysh në fillim të viteve ’90, debat dhe proces që ishte shoqëruar nga miratime dhe kundërshtime, nga akuza dhe kundërakuza etj. Në anën tjetër, konteksti socio-politik dhe socio-historik që ka karakterizuar Tiranën, është kontekst i një ekzistimi të një regjimi diktatorial në një shtet të pavarur, e që nënkupton ekzistimin e mekanizmave insititucionalë dhe joinstitucionalë që kanë vepruar në përputhje me ligjin e kohës apo pa të. Kjo do të thotë se i gjithë konteksti socio-politik dhe socio-historik i krijimit dhe i ekzistimit të dosjeve në Tiranë është kontekst i ngjashëm me kontekstin e të gjitha shteteve të pavrura të kohës që kanë pasur regjim të ngjashëm, e rrjedhimisht edhe konteskti i debatit dhe i procesit politik lidhur me hapjen e dosjeve, është kontekst i raportit të shtetit ndaj qytetarëve të tij. Dhe ky kontekst i raportit të shtetit ndaj qytetarëve të tij i ka pasur të qarta palët që kanë krijuar dosje dhe palët për të cilët janë krijuar ato dosje: në njërën anë kanë qenë institucionet politike të shtetit, kurse në anën tjetër kanë qenë qytetarët e atij shteti. Dhe të gjithë janë aty edhe sot e gjithë ditën, edhe pse jo në pozita të njëjta. Aty janë edhe dosjet, edhe dëshmitarët, edhe krijuesit e dosjeve.
Në Prishtinë, ndërkaq, konteksti socio-politik dhe socio-historik ka qenë krejt i ndryshëm me atë në Tiranë. Është e qartë se në këtë kontekst, për shqiptarët nuk ka qenë i papranueshëm vetëm regjimi, por edhe vetë shteti në kuadër të të cilit jetonin pa dëshirën e tyre. Dhe ky shtet në të cilin jetonin historikisht ka qenë i disponuar negativisht ndaj shqiptarëve, dhe ndaj tyre ka vepruar si pushtues. Dhe kur them këtë, kam parasysh jo vetëm kohën e mbretërisë SKS apo të mbretërisë së Jugosllavisë, por edhe kohën e Jugosllavisë socialiste. Të kujtojmë me këtë rast se akademik Vasa Çubriloviq, qysh më 1944 kishte hartuar një projekt për shfarosjen e shqiptarëve, e që ishte version i rishikuar i projektit të vitit 1937. Në bazë dhe në përputhje me këtë projekt ishin kryer krime ndaj shqiptarëve jo vetëm si indiividë të veçantë, por edhe si kolektivitet. Gjatë asaj kohe bëhet fjalë për qindra mijëra shqiptarë të shpërngulur për në Turqi, për dhjetra mijëra që kanë kaluar nëpër kalvarin e tmerrshëm të burgjeve të kohës, dhe për qindra mijëra të tjerë të ekspozuar ndaj dhunës sistematike. Dhe qendra komanduese e gjithë këtyre ishte në Beograd e jo në Prishtinë, pasi që Prishtina, edhe me kushtetutën e vitit 1974, i subordinohej Beogradit, qoftë edhe në nivelin federal. Me shkatërrimin e Jugosllavisë socialiste, dihet se u krijua një surrogat i Jugosllavisë e përbërë vetëm nga Serbia dhe Mali i Zi, e që u bë trashëgimtare e Jugosllavisë socialiste. Kjo nënkupton se edhe të gjitha atributet tjera të ish-RSFJ-së i kanë kaluar sërish Beogradit, e që do të thotë se edhe atributet e insitucioneve të sigurisë dhe të zbulim-kundërzbulimit i kanë kaluar sërish Beogradit. Ish-republikat ndoshta kanë qenë në pozitë më të mirë, pasi që edhe pas pavarësimit të tyre arkiva e insitucioneve të ndryshme republikane mund të ketë mbetur në kryeqytetet e tyre, kurse në rastin e Kosovës, nuk mund të pohohet me sigurinë e plotë se Serbia mund t’i ketë lënë arkivat në Kosovë, ose të mos ketë bërë përzgjedhje negative të arkivit. Para shkatërrimit të ish-RSFJ-së, Beogradi kishte vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke i vendosur nën kontroll të plotë insitucionet e Kosovës, apo thënë më mirë i kishte pushtuar për fare ato. Për çfarë dosjesh bëhet fjalë atëherë? Po edhe nëse e marrim si të mirëqenë supozimin se të gjitha dosjet janë në Prishtinë, dhe i hapëm ato: dhe na del se një pjesë të krimeve në Kosovë i kanë kryer serbët qoftë në krye të Republikës së Serbisë, qoftë në nivele të tjera, qoftë edhe në Kosovë, si mund të veprohet kundër tyre. Si mund t’ua kufizojmë atyre të drejtën për të qenë në funksione të ndryshme në Kosovë, kur ata janë qytetarë të një shteti tjetër dhe as që kanë pretendime të tilla, ose edhe nëse janë në Kosovë, jo vetëm që nuk janë penduar për ato që kanë bërë, por janë duke vazhduar veprimtarinë e tyre edhe sot e gjithë ditën? E nëse mendohet vetëm te shqiptarët, atëherë çështja bëhet edhe më e ndërlikuar dhe më tendencioze. Çka nëse iks shqiptari ka qenë vartës injë serbi dhe në kierarkinë shtetërore ka qenë i detyruar ta zbatojë një urdhër apo vendim? Çka nëse një pjesë të madhe të atyre që do të duhej t’i kapte ligji i dosjeve sot janë në krye të politikës në Kosovë, por edhe në strukturat e tjera siç ishte dje UÇK-ja? Apo do të përjashtoheshin “të fortit” dhe do të përfshiheshin “të dobëtit”? Çka nëse do të dilte se shumica e ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së do të na dalin me dosje komproemtuese? Precedent e kemi rastin e vendosjes së udhëheqjes së PKSH-së dhe në krye të Frontit Antifashist në Tiranë të njerëzve nga ana e eksponentëve serbë. Do të dalë dikush t’u thotë se ju zotërinj jeni me dosje? Po nëse këta janë me dosje, çfarë do të na dilte “dosja” e madhe e luftës në Kosovë? Unë që po i shtroj kështu këto çështje, kam një sërë shkrimesh në shtypin e kohës të Tiranës, por edhe në shtypin e Prishtinës, në të cilat kam dhënë vetëm një pjesë të bazës argumentuese dhe faktike në ndihmesë të dhënies së përgjigjeve në këto pyetje. Cilat kanë qenë pasojat? Sulme bombash në shtëpi, kërcënime, shpifje. Procese të montuara gjyqësore dhe tendenca bllokuese, për të mos thënë të vërtetën. Dhe në këtë kontekst kur viktimë bie e vërteta, si mund të pretendojmë për të vërtetën e hapjes së dosjeve dhe të vërtetësisë së tyre? Dhe të gjitha këto i kanë pasur parasysh ata që e hapën çështjen e hapjes së dosjeve në Prishtinë. Në të vërtetë, kush janë këta q e e nxitën këtë debat? Nga ajo që unë kam përcjellë në lidhje më këtë debat, del se fëmijë të funksionarëve të niveleve të ndryshme kanë nxitur dhe janë përfshirë në këtë debat. Dhe kur them këtë kam parsysh Baton Haxhiun, të birin e Fazli Haxhiut, një nëpunës në administratën komunale të Prishtinës, dhe i cili sipas Batonit na paska qenë i burgosur i regjimit. Dhe kur e kam lexuar këtë më herët, kam pyetur veten: Si është e mundur që të shtrembërohet kaq shumë e vërteta? Ose pse Baton Haxhiu nuk ka treguar se nga cila datë e deri në cilën datë, babai i tij paska qenë në burg, në cilin buirg ka qenë, cila ka qenë akuza që i është ngarkuar atij? Një tjetër personazh që është përfshirë në këtë debat, është edhe Shkëlzen Maliqi, i biri i Mehmet Maliqit, njeriut që ka qenë Sekretar i Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme, që i bie ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në kuadër të të cilës binte edhe Drejtoria për Siguri Shtetërore si degë e UDB-së. Mund të imagjinohet në Tiranë një djalë të ndonjë ish-ministri të Ministrisë së Punëve të Brendshme në kohën e regjimit komunist të përfshirë në debatin për dosje? Në anën tjetër shumë aktiv në skenën politike dhe shoqërore e kemi edhe djalin e ish-ambasadorit të Jugosllavisë, Rexhai Surroi, i cili ka një kontribut shumë të madh në çështjen e trashëgimisë kulrturore dhe fetare në Kosovë gjatë negociatave për stausin e Kosovës. Dhe nuk janë vetëm këto, por edhe mund dhe duhet të shtrohet çështja e tillë: a ka dosje komprometuese për Baton Haxhiun vetë, apo për Shkëlzen Maliqin, apo për Veton Surroin dhe për të këtillët? Si mund të kuptohet regjistrimi i gazetës “Koha ditore” në Minsitrinë i Informatave të Serbisë në kohën kur Kosova kishte shpallë pavarësinë dhe kur asnjë partii politike shqiptare e kohës nuk kishte pranuar të regjistrohej në Beograd? Atëherë pse pikërisht Baton Haxhiu apo të ngjashëm si ai, të kërkojnë sot hapjen e dosjeve? A mos kanë marrë garanci nga Beogradi se dosjet e tyre mund të jenë pastruar? Po çfarë do të ndodhë me foto, me xhirime audio dhe video dhe me fakte të tjera për veprimtarinë e individëve të ndryshëm dhe të cilët nuk ka pasur mundësi të pastrohen nga Beogradi? Të kenë qenë kaq naivë këta kur e kanë nxitur debatin për hapjen e dosjeve në Kosovë? Natyrisht se do të dilnin naivë të gjitha ata që do të mendonin kështu. E vërteta është se nxitësit e debatit dhe ndonjë që është përfshirë në këtë debat, po mundohen që nëpërmjet kësaj tautologjie politike lidhur me hapjen e dosjeve në Prishtinë, si vazhdimësi të veprimtarisë së tyre destruktive. Të kujtojmë me këtë rast se një pjesë e atyre që e kanë nxitur dhe që janë përfshirë në debatin për hapjen e dosjeve në Kosovë, kanë qenë pjesëtarë të asaj që unë e kam quajtur linja udbasho-jugosllavokomuniste, e në të cilin bënin pjesë fëmijë biologjikë dhe ideologjikë të ish-zyrtarëve të regjimit komunist në Beograd, e cila bashkë me linjën tjetër që unë e kam quajtur linja e Tiranës/Kretës, për shkak se ishte konsoliduar pas takimit të Fatos Nanos me Milosheviqin në Kretë gjatë samitit ballkanik të 1997-së dhe që ishte përkrahur nga Tirana e atëhershme zyrtare, e që përbëhej nga bijë ideologjikë të regjimit eneverist të Tiranës, ka bërë gjithçka për ta rrënuar linjën institucionaliste të udhëhequr nga dr. Ibrahim Rugova dhe të vetë projektit të tij për pavarësinë e Kosovës, e që ishte projekt shumë i ndryshëm nga projekti që u shfaq në shoun televiziv të 17 shkurtit të vitit të kaluar, në kuptimin se nuk ishte enklavizues, nuk ishte kontonizues, nuk ishte fragmentarizues dhe nuk ishte kundërhistorik. Çdo kush mund t’i shfletojë gazetat qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë dhe gjetiu dhe të lexojë se çka ka shkruar Baton haxhiu për dr. Rugovën, çka ka shkruar Shkëlzen Maliqi, apo edhe Veton Surroi. Por jo vetëm kaq: përcjellësit e veprimtarisë politike në Kosovë e kanë të qartë edhe gjithë atë që këta dhe të tjerë, si p.sh., Blerim Shala kanë bërë në nivelin diplomatik kundër dr. Ibrahim Rugovës dhe kundër projektit të tij për shtetin e Kosovës, qoftë para, qoftë gjatë dhe pas saj. Këta njerëz që veprimtarinë e tyre e ushtruan dhe e ushtrojnë edhe nga pozitat e njerëzve të shoqërisë civile dhe të mediave, kanë pasur mundësinë që të vjelin informacione nga ish-drejtues apo ish-punëtorë të Sigurimit të Shtetit, dhe të cilat informacione i kanë përdorur si mjet shantazhi dhe si kërcënim ndaj individëve të ndryshëm. Dhe këtë e bëjnë jo pse të shantazhuarit mund të kenë çështje kontestuese, pasi që këta që shantazhojnë mund të kenë çështje kontestuese dhe komprometuese shumë më tepër se ata, por për të bërë përpara në angazhimet e tyre madhore për t’u bërë e ardhmja politike e Kosovës. Tashmë kur dr. Ibrahim Rugova nuk është më dhe LDK-ja e ka humbur rrugën në mes të oborrit dhe PDK-ja e Hashim Thaçit vlon nga çarjet e brendshme dhe e përbër nga ata që edhe sot e gjithë ditën shënojnë përvjetorin e Enver Hoxhës, nga ish-bijtë e zyrtarëve të regjimit komunist në ish-Jugosllavi, e konsiderojnë se ka ardhur koha për të bërë përpjekje për të marrë pushtet, ose për të vendsour në krye të shtetit njerëz të varur nga ata. Për më tepër kur kemi një opozitë të çoroditur dhe shumë imune ndaj ndikimeve të ndryshme. Me këtë rast, duhet përmendur padyshim servilizmin që kanë treguar drejtues dhe ish-drejtues të LDK-së apo nga LDK-ja ndaj pamfletit politik “Express” të Baton Haxhiut në kohën kur zhvillohej fushata për kryetar të LDK-së. Një arsye tjetër, pse u shtrua çështja e hapjes së dosjeve në Prishtinë për kohën e ish-regjimit, është edhe synimi për t’u mbajtur të mbyllura dosjet e kohës së pushtimit klasik të Kosovës, kohë kur bie veprimtaria publike e Baton Haxhiut dhe e të tjerëve si ky. Dhe për ne, në rrethana normale do të ishte shumë interesante të dihej veprimtaria jopublike e këtyre njerëzve edhe në kohën e këtij pushtimi klasik. Dhe janë këto çështje që e bëjnë mashtrues dhe një kurth vetë tautologjinë, përkatësisht marrjen e debatit për hapjen e dosjeve të zhvilluar në Tiranë, nga njerëz mjaft interesantë në Prishtinë. Dhe në këtë kontekst, morali politik, bëhet një viktimë e tautologjisë politike, pasi që në këtë rast as që bëhet fjalë për një moral shoqëror të mirëfilltë, për të mos thënë edhe nuk mund të bëhet fjalë për një moral politik. Këtë e bën edhe më të ndërlikuar dhe më të pamoralshëm, ekzistenca e një shërbimi sekret në krah të linjës së Tiranës/Kretës, përkatësisht në krah të PDK=së së Hashim Thaçit. Fjala është për SHIK-un e drejtuar nga Kadri Veseli, një shokë i hershëm i Hashim Thaçit, i cili shërbim ka vepruar në Kosovë dhe ka krijuar edhe ai dosjet për njerëz të caktuar të politikës dhe jo vetëm të politikës. Duhet parë edhe varësinë që SHIK-u i Kosovës ka pasur nga SHIK-u i Tiranës në kohën e dy Fatosave, sepse në atë kohë bien vrasjet shumë interesante të ushtarkëve, të politikanëve dhe të personaliteteve të ndryshme publike qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë. Në këtë kontekst, do të duhej edhe të hapeshin dosjet edhe të këtyre që kanë bërë dosje, sidomos sot kur po konturohet shërbimi intelegjent i Kosovës dhe ku ka synime që ish-SHIK-u, ose së paku njerëz të tij të vihen qoftë në krye të këtij shërbimi intelegjent, qoftë zë përbëjnë dubstancën e tij. Nxitësit e debatit për hapjen e dosjeve në Prishtinë i kanë pasur parasysh të gjitha këto, prandaj e kanë shtruar çështjen e hapjes së dosjeve të ish-regjimit komunist në Jugosllavi, duke synuar që debati të mbetet për atë kohë, e jo edhe për kohën e mëvonshme kur kanë qenë dhe janë aktivë pikërisht nxitësit e këtij debati.