E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e dosjeve - domosdoshmëri për përspektivën e Shqipërisë dhe të Kosovës


           1. Hapja e dosjeve është hap i duhur i qeverisë së Sali Berishës. Se shoqëria shqiptare duhet ta përjetojë katarsisin e vet. Një shoqëri, një komb, ngritet në çdo aspekt  kur udhëhiqet nga njerëzit me biografi të pastër. Njerëzit me biografi kriminale, me biografi spiunazhi etj. e mbajnë peng për t'u zhvilluar shoqëria, kombi. Ish-spiunët, që  ngjiten nëpër institucione demokratike, pushtetin e mbështesin duke krijuar spiujt të ri. Ata i hapin hapësirë krimit dhe spiunazhit, për ta shndërruar shoqërinë në një shoqëri uniforme spiunësh dhe kriminelësh, me qëllimin që të mos merret vesh më kush është i ndershëm e kush i pandershëm. Që të mos mund  të dihet  më se  çka është etike e çka  është joetike. Strukturat e tilla të ish-spiunazhit e sollën Shqipërinë në buzë të greminës më 1997. Ato u infiltruan në institucionet e reja demokratike pas 1990, kur ra regjimi i Everit. Dhe, për të mos ardhur deri te katarsisi i shoqërisë shqiptare, deri te katarsisi i kombit, u bënë bashkë dhe e sollën Shqipërinë në gjendje mjerimi shtetëror. E bënë këtë  për të vetmin qëllim: që të mos ndodhte katarsisë i shoqërisë shqiptare dhe ish-spiujt ta vazhdonin jetën institucionale edhe në demokraci. Ish-spiujt, ashtu siç u bënë bashkë më 1997, është shumë e mundshme që edhe tash të përpiqen që ta bëjnë ndonjë kaos në shoqëri , për të mos u anatemuar përgjithmonë nga jeta institucionale. Ata që i kanë përcjellë rrjedhat politike në Shqipëri, e dinë mirë se  Sali Berisha që atëherë e pati filluar iniciativën për katarsisin e shoqërisë shqiptare. Pas asaj iniciative  të tij, ndodhi ajo që ndodhi më 1997. Andaj, qeveria shqiptare duhet që, krahas vënies në jetë të hapjes së dosjeve, ta mbyllë çdo hapësirë të ish-spiujve për të mos u përsëritur 1997-ta. Dhe, që të vihet në jetë katarsisi i shoqërisë shqiptare, qeverisë së Berishës duhet t'i vihen në mbështetje të gjitha strukturat e shëndosha të saj. Se kjo është në të mirën e Shqipërisë. Në të mirë të së ardhmes së saj. Shqipëria duhet të udhëhiqet nga njerëz që nuk e kanë ndërgjegjen e kriminalizuar nga spiunazhet që kanë bërë. Ato spiunazhe u kanë kushtuar me jetë qytetarëve të Shqipërisë. Familjeve më të shëndodha dhe më kombëtare të saj. Për të ndodhur katarsisi i shoqërisë, katarsisi i kombit, duhet të angazhohen edhe të gjithë liderët dhe anëtarët e partive opozitare. Se, kësisoji, partitë e tyre do ta kenë një të ardhme të ndritur. Edhe Edi Rama, Ilir Meta etj. duhet ta kenë shumë të qartë se pas vetes duhet të kenë  struktura të shëndodsha e jo  edhe ish-spiuj, të cilët, si të tillë që kanë qenë, gjithmonë janë rrezik edhe për rrënimin e partive të tyre, për faktin se ata, përmes përçarjes së partive, mëtojnë t'ua zgjasin jetën vetes nëpër parti dhe nëpër institucione shtetërore. Prandaj po e përsëris: katarsisi i shoqërisë, katarsisi i asaj pjese të kombit tonë, duhet të ndodhë. Dhe, për këtë, Shqipëria duhet të jetë me vendimin e dr. Sali Berishës për hapjen  e dosjeve. Madje, para se të ndodhë kjo, do të ishte njerëzore që ata që kanë qenë ish-spiuj të fillojnë të largohen vetë nga strukturat partiake dhe strukturat shtetërore. Së paku, kështu, do të dëshmonin se u ka mbetur pak njerëzillëk.
2. Jam me të gjithë ata që janë për hapjen e dosjeve në Kosovë. Këtë temë jam nga të parët që e kam përkrahur më 2004 në gazetën "Pavarësia". E kam trajtuar disa herë edhe në "Bota sot", ku që nga paslufta kam qenë komentator dhe redaktor i saj. Këtë temë e patën nisur  disa anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Por, pas një muaji, u hesht. Dhe u bë mirë që disa publicistë të Kosovës e rihapën. U bë mirë që ekzistuakan dosjet e çdo qytetari edhe në Kroaci e Slloveni. Dhe po qe se kjo është e vërtetë, hapi i parë që duhet ta bëjë Shërbimi Inteligjent i Kosovës, do të duhej të ishte kërkimi i atyre dosjeve nga Kroacia e Sllovenia. Atje, sigurt, se nuk kanë mundur të retushohen, nëse janë retushuar në Beograd, ku thuhet se janë (Unë besoj se ato nuk janë atje, por gjenden në Prishtinë nën mbikqyrjen e UNMIK-ut). Edhe në Kosovë nuk është shumë e qartë se kush kanë qenë atdhetarët e mirëfilltë e kush kanë qenë spiuj. Madje, ish-spiujt në Kosovë janë rrezik për shtetësinë e Kosovës, sepse shumica e tyre edhe sot mund të jenë peng i Beogradit. Ky (Beogradi) mund t'i ketë aktivizuar gjithë pasluftën kundër Kosovës. Mund t'i ketë të aktivizuar edhe tash. Mu për këtë rrezik, duhet të demosakohen sa më shpejtë, që të mos mund ta vazhdojnë aktivitetin e tyre antiKosovë. Kjo(Kosova) ende është në udhëkryqin e shtetësisë nga armiqtë e pavarësisë sonë, që ditë e natë po punojnë për ta frenuar zgjerimin e njohjes së shtetësisë së saj. Sa më parë që të ndodhë hapja e dosjeve në Kosovë, është më mirë për rrugën e saj të ardhmërisë së sigurtë. Hapjen e dosjeve duhet ta mbështesë tërë shoqëria e shëndoshë shqiptare. Dhe le të dihet haptas se kush ishin bashkëpunëtorët e vërtetë të Serbisë, që fshihen sot nën  perden e demokracisë. Të këtillët janë të rrezikshëm, sa kohë që të mos denoncohen publikisht, që  ta nëpërkëmbin pjesën e shëndoshë të kombit tonë. Se ish-spiujt, për të bërë shumë shokë, përpiqen t'i  intrigojnë shumë figura të pastra kombëtare. Dikur i kanë spiunuar nacionalistët. Me spiunazhe, i kanë futur nëpër burgje. Pasi i kanë burgosur, kanë hapur propagandë se ata janë spiuj të paguar të Serbisë, për t'jua dyfishuar fatkeqësinë që ua kanë sjellë. Pastaj, pasi nacionalistët kanë dalë nga burgjet, iu janë qepur pas këtyre në aktivitetet kombëtare. Duke u shtirë si atdhetarë, janë bërë gjithë bashkë dhe, në një moment, i kanë rrëzuar nga postet politike. Këso rastesh kanë ndodhur shumë pas luftës në Kosovë. E, kur luftohen atdhetarët me gjithë atë energji në Kosovën e lirë, kujt s'i shkon mendja se Beogradi i ka dirigjuar që t'i rrëzojë nga skena politike, për ta pasur më lehtë që ta destruktivizojë shtetësinë e Kosovës. Edhe në këtë aspekt, shtrohet urgjentisht vënia në jetë e hapjes së dosjeve. Kushdo që të ketë qenë bashkëpunëtor i UDB-së, e bajtë me shëndet, si thotë populli. Le të ketë qenë kushdoqoftë  ai.
   Askush s'duhet ta ketë kompleksin e dosjeve. E kam fjalën pë ata që s'i vret ndërgjegja e gogolit"dosje".  Askush s'e njeh më mirë veten se vetvetja. Edhe këtu, ata që e dinë se kanë qenë bashkëpunëtorë të UDB-ës, duhet të largohen nga skena publike, para se të hapen ato. Së paku, kështu, do të dëshmonin që në Kosovën e lirë nuk janë më mekanizëm i Serbisë kundër Kosovës. E, ata që s'e bëjnë këtë me vetëdëshirë, po duan të kamuflohen nën petkun e lirisë, duhet detyruar të largohen përmes hapjes së dosjeve. Gjithë liderët tanë duhet të jenë në përkrahje të hapjes së dosjeve. Pa u hapur ato, shtetësia e Kosovës gjithmonë do të jetë në rrezik nga ish-spiujt. Ata që mendojnë se hapja e dosjeve nuk duhet të bëhet tash, për shkak se kjo gjë mund ta destabilizojë shoqërinë tonë, e kanë gabim. Përkundrazi, hapja e tyre e forcon Kosovën. Dhe e bën me përspektivë shtetësinë e saj. Çka nëse ish-spiujt janë edhe sot peng i Serbisë? Kjo është pyetja që çdo atdhetar duhet t'ia bëjë vetes. Kjo është pyetja që duhet ta ketë të vetmen përgjigje: të gjithë për hapjen e dosjeve…

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›