E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: Berisha shkeli parimin e paanësisë në garë

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, kritikon qëndrimin e Kryeministrit Berisha lidhur me garën për kreun e PD-së së Tiranës. Një ditë më parë në emisionin “Opinion”, kreu i ekzekutivit u shpreh se zëdhënësi i grupit parlamentar, Aldo Bumçi, është një kandidaturë e shkëlqyer për degën e kryeqytetit, ndërsa lidhur me kandidaturën e Mustafajt u shpreh se nuk e përjashton nga gara. Këtë qëndrim të Kryeministrit Berisha, ish-ministri i Jashtëm e ka konsideruar si një shkelje të parimit të paanësisë në garë. “Mbrëmë Kryeministri Berisha shkeli parimin e paanësisë që duhet të ruaj deri në fund përballë të gjithë kandidatëve. Ai është kryetar i partisë dhe e ka për detyrë të mbajë një qëndrim të paanshëm. Unë i kam bërë disa herë thirrje gjatë kësaj periudhe për një qëndrim të tillë. Ky qëndrim do të ishte edhe në të mirë të rritjes së autoritetit të tij para gjithë shoqërisë shqiptare, e posaçërisht para demokratëve. Emocionin e tij personal ndaj njërit apo tjetrit kandidat, Berisha kishte mundësi ta realizonte përmes votës së tij ditën e konferencës”, u shpreh Mustafaj. Ai vlerësoi faktin që Kryeministri Berisha gjatë intervistës televizive iu referua pikërisht statutit të Partisë Demokratike, duke shtuar se është bërë pjesë e kësaj partie njëherësh me Berishën. “Kam hyrë në këtë garë me bindjen se i shërbej Partisë Demokratike, duke ngjallur brenda saj debatin dhe konkurrencën e ndershme, si parametra që e ndihmojnë partinë të gjallërohet e të demokratizohet për të marrë më mirë përsipër përgjegjësinë e jashtëzakonshme të fushatës që kemi përpara për zgjedhjet parlamentare”, tha dje Mustafaj. Por i pyetur nëse do të vazhdojë garën për kreun e PD-së së Tiranës pas deklaratës së kreut të qeverisë ai tha se, “unë vazhdoj të jem në garë dhe do t’i ndjek me vëmendje zhvillimet deri në fund, duke bërë të gjitha përpjekjet që më takojnë, me qëllim që procesi të ruaj sadopak standardet e garës. Në qoftë se do të krijoj bindjen se këto standarde nuk kapin minimumin e nevojshëm, do të marr vendimin e përshtatshëm. Unë kam hyrë në këtë garë për arsye parimore dhe jo klanore”, u shpreh Mustafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›