Kuvendi miraton dekretin e Presidentit për Kodin Zgjedhor
Deputetët e dy partive të mëdha miratuan dje me 116 vota pro dekretin e presidentit për Kodin Zgjedhor. Komisioni i Reformës Zgjedhore, pasi shqyrtoi dekretin e kreut të shtetit, vendosi hartimin e një dispozite kalimtare vetëm për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Sipas kësaj dispozite, Presidenti i Republikës, në konsultim me partitë politike, ka të drejtë të përcaktojë si datën e zgjedhjeve parlamentare datën 22 ose 28 qershor 2009. Në emër të Komisionit të posaçëm Zgjedhor, relatori i këtij ligji, deputeti i PR-së, Arian Madhi, i paraqiti Parlamentit relacionin e përkatës. “Pasi Komisioni u njoh me arsyet e kthimit të ligjit nga presidenti, i cili shihte pamundësi juridike dhe kushtetuese për dekretimin e datës së zgjedhjeve, zgjidhja u gjet te miratimi i një dispozite transitore, që i hap rrugën caktimit të datës së zgjedhjeve parlamentare 2009 nga kreu i shteti. Dispozita e miratuar nga Komisioni bën të mundur që Presidenti i Republikës të nxjerrë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve pas hyrjes në fuqi të Kodit zgjedhor. Me këtë amendament përjashtohet çdo mundësi për keqkuptim, apo keqinterpretim lidhur me datën e zgjedhjeve. Presidenti është i detyruar që në konsultë me partitë parlamentare, të dekretojë si datë të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare një nga dy datat e ligjshme të mundshme, 22 qershorin, ose 28 qershorin 2009”, - është shprehur Madhi. Ndërsa lidhur me propozimet e paraqitura nga deputetët e LSI-së dhe të PDK-së, “ato nuk u morën parasysh nga Komisioni, pasi dalin jashtë objektit të punës dhe kompetencës së tij”, - sqaroi deputeti Madhi.
30 Dhjetor 2008