Dosjet e privatizimit 40 milionë euro, ja çfarë po shitet
Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, gjatë një raportimi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë tha se, këto objekte në privatizim janë reparte ushtarake, depo armatimesh, etj, ish-kombinati i tekstileve Tiranë, ish-Metarlugjiku në Elbasan, etj. Zbardhet bilanci i plotë e privatizimeve
Qeveria shqiptare ka shpallur si prioritet madhor privatizimin e rreth 1280 aseteve shtetërore, të cilat aktualisht janë prona në përdorim nga Ministria e Mbrojtjes. Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, gjatë një raportimi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë tha se, këto objekte janë reparte ushtarake, depo armatimesh, etj, apo uzina dhe fabrika që nga periudha e sistemit socialist, si p.sh, ish-kombinati i tekstileve Tiranë, ish-ndërmarrja e Duhan-Cigareve në Durrës, ish-Ndërmarrja e prodhimit të Çeliqeve në Elbasan, etj”. Naço tha se, pjesa dërrmuese e të cilave tashmë janë jashtë funksionit publik dhe me mungesë të “rentabilitetit” ekonomik.
Gjithashtu qeveria ka planifikuar shitjen e aksioneve të mbetura shtetërore në shoqëritë strategjike, 24 për qind e aksioneve të CEZ, aksionet e ARMO-s, INSIG, aksionet e Albpetrol, etj, në dobi të një efiçience më të madhe të një ekonomie tregu.
Nëpërmjet këtij procesi nuk synohet vetëm arkëtimi i një shume të konsiderueshme parash, për arkën e buxhetit, në një kohë afat-shkurtër, që do të përkthej në shumë investime publike për qytetarët, por mbi të gjitha privatizimi i këtyre aseteve i shërben rigjallërimit të iniciativës private, për të zgjeruar aktivitetin e biznesit, për të prodhuar më tepër zhvillim ekonomik dhe të zgjeruar mundësitë e punësimit, sidomos në zonat më pak të zhvilluara. Sipas një bilanci zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë për privatizimet, gjatë vitit 2010 dhe gjatë muajit janar-shkurt 2011 kanë përfunduar së përgatituri 118 dosje vlerësimi, me rreth 350 objekte me vlerë totale rreth 4.22 miliardë lekë, nga të cilat janë dërguar për të vazhduar procedurën e shitjes në Ministrinë e Financave, 101 dosje vlerësimi, me rreth 30 objekte, me vlerë gjithsej 4 miliardë lekë. 17 dokumentacione vlerësimi janë në procedurën e përpunimit dhe kontrollit. Kështu në zbatim të procedurës ligjore në fuqi për privatizimin, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka urdhëruar ngritjen e 380 komisioneve të vlerësimit, për vlerësimin e rreth 455 objekte në administrim të institucioneve të ndryshme. Këto objekte, aktualisht janë në procedurë vlerësimi. Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë ka në procedurën e verifikimit, të miratimit për privatizim dhe të ngritjes së komisioneve të vlerësimit, rreth 485 objekte, në bashkëpunim me ministritë që kanë në varësi administrative këto objekte. Sipas ministrit Naçe, procesi i privatizimeve po hyn në një fazë finale, ku ftohen të marrin pjesë të gjithë ish –pronarët, me të drejtën e parablerjes, ish-punëtorët, sipërmarrës vendas e të huaj.
Disa nga asetet më të rëndësishme shtetërore në proces privatizimi
-Depo armatimesh
-Ish-kombinati i tekstileve Tiranë
-Ish-ndërmarrja e Duhan-Cigareve në Durrës
-Ish-Ndërmarrja e prodhimit të Çeliqeve në Elbasan, etj”
-24 % e aksioneve të CEZ
-24% e aksionet e ARMO-s
-INSIG
-Albpetrol
Bilanci i privatizimeve
-Do të privatizohen 1280 aseteve
-Deri në shkurt 2011 ka përfunduar vlerësimi për privatizim për rreth 350 objekte
-Vlera e pritshme 4.2 miliardë lekë
-Janë në procedurë shitje 30 objekte
-Vlera e pritshme, 4 miliardë lekë
-17 dokumentacione vlerësimi janë në procedurën e përpunimit
-Funksionojnë 380 komisione vlerësimi për rreth 455 objekte.
Objektet për privatizim, procedurat që duhet të kalojnë
Nëse një objekt, në pronësi të shtetit, përfshihet në procedurat të privatizimit, procedura nis kështu. Kryetari i Degës së Shoqërive Publike, që kryeson komisionin e vlerësimit, kërkon nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme përkatëse të dhëna për objektin që do të privatizohet. Pas përgjigjes nga ZRPP, kryetari i Degës së Shoqërive Publike, si kryetar i komisionit të vlerësimit, i kërkon Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave konfirmimin nëse për truallin e këtij objekti janë dhënë vendime nga Komisionet e Kthimit e Kompensimit të Pronave. Më pas, me marrjen e këtyre shkresave nga eksperti vlerësues i pasurive të paluajtshme, bëhet raporti i vlerësimit të objektit, sipas vlerës reale të tregut, duke pasur parasysh edhe gjendjen faktike të objektit, etj. Pas këtij hapi, dosja e vlerësimit të objektit, e cila përmban të gjithë informacionin e mësipërm, dërgohet në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, dhe më pas në Ministrinë e Financave, e cila kryen procedurën e shitjes. Në këtë proces, strukturat përkatëse të Ministrisë së Ekonomisë janë impenjuar duke evidentuar problemet e ndryshme dhe komplekse, me të cilat është ballafaquar për finalizimin e tyre. I gjithë ky proces, sipas ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço, ka pasur në konsideratë maksimale të drejtën e parablerjes ish-pronarëve, duke inaguruar një vlerësim maksimal të pronës shtetërore. Ministria e Ekonomisë, me të drejtën e përfaqësuesit të pronës shtetërore, do të vazhdojë punën, për ndjekjen dhe mbikëqyrjen e këtij procesi. Në bashkëpunim me ministritë administruese të pronës publike do të verifikojë dhe përcaktojë të gjithë asetet, që plotësojnë kushtet për t’u përfshirë në procesin e privatizimit. Gjithashtu, në bashkëpunim me strukturat përkatëse, që janë pjesë e procesit të privatizimit, do të përgatisë dokumentacionin e vlerësimit përkatës, për të gjitha pronat shtetërore që do të privatizohen dhe do të dërgohen në Ministrinë e Financave, për vazhdimin e procedurës së shitjes.