Malaj: Shitja e pronës publike, e kapur nga shteti
“Procesi i privatizimeve është i kapur nga shteti”, ka deklaruar deputeti socialist, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Arben Malaj. “Nuk jemi kundër privatizimeve. Ne japim garancinë për investimet që të zhduken sa më parë problemet sociale, si varfëria dhe papunësia. Por debati është çfarë ndodh më pas këtyre privatizimeve”, tha Malaj. Ai shtroi pyetjen se, nëse duke i shitur këto objekte dhe kompani i kemi larë hesapet me korrupsionin? “Kur ne kemi deklaruar që nuk njohim privatizimet, kemi pasur parasysh që shumë prej tyre janë përshkuar nga korrupsioni dhe kapja e shtetit”, shtoi ai. “Ne e njohim mirë dhe e respektojmë Kushtetutën, por shumë privatizime janë të kapura nga shteti dhe për këtë ne kërkojmë që të kontrollohet risku në rritje”, tha Malaj, i cili kërkoi më shumë transparencë për procesin e privatizimit.