E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Po përcaktojmë kandidatët

Do të konkludojmë në një marrëveshje bashkëpunimi të suksesshme dhe që garanton fitoren

Pas përcaktimit të zonave të lira, në kuadër të marrëveshjes me Partinë Demokratike, Ilir Meta ka përcaktuar emrat e kandidatëve të saj. Sekretari i përgjithshëm, Luan Rama, deklaroi dje se “kemi emra kandidatësh për të konkurruar në të gjithë vendin, duke filluar që nga Bashkia e Tiranës, dhe në tryezën e bisedimeve me PD-në do të ofrojmë argumentet, kontributet dhe ermin që garanton fitoren, jo thjesht nën emrin apo nën flamurin e partisë, por nën e emrin e qytetarëve që votojnë”. Sipas tij, kjo parti ndodhet në fazën e përmbylljes së këtyre projekteve. “E rëndësishme është që në këto zgjedhje, të fitojnë qytetarët dhe njeriu që i shërben qytetarëve. Pra në këto zgjedhje, jo vetëm Tirana, e cila është padyshim kryefjala e këtyre zgjedhjeve, por në shumë njësi vendore është koha që qytetarëve t’i ofrohet një projekt i ri zhvillimi, t’i ofrohet një njeri në drejtim, dhe nga kjo logjikë, unë gjykoj dhe besoj se do të konkludojmë në një marrëveshje bashkëpunimi të suksesshme dhe që garanton fitoren”, theksoi Rama. Jemi në këtë proces përgatitje për të konkluduar, insistoi ai, për të bërë zgjedhje të matura, që nuk burojnë në zgjedhje klienteliste dhe emocionale, por zgjedhje që burojnë në logjikën që qeverisja vendore, si një hallkë e rëndësishme e shërbimit ndaj qytetarëve, që të jetë efikase dhe që të jetë qeverisje me vizion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›