E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike mund ta godasë Greqinë edhe politikisht

Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e politikës greke. Skandalet e njëpasnjëshme dhe kriza ekonomike kanë tronditur mbështetjen e të djathtës greke, prej tetë vitesh në pushtet, megjithatë kryeministri Karamanlis po kërkon ta kapërcejë situatën me anë të ndryshimeve të pjesshme në kabinet

Muaji tetor 2008 dhe veçanërisht java aktuale në të cilën ndodhemi (21-25 tetor 2008) mund të vendosë mbi fatin e skenës politike në Greqi dhe përmbysjen e saj në favor të qendrës së majtë pas gati 8 vitesh të triumfit të qendrës së djathtë. Kjo për disa arsye që lidhen me ecurinë e krizës ekonomike ndërkombëtare, fenomenin e pakënaqësisë politike ndaj skandaleve të qeverisë Karamanlis dhe publikimit të sondazheve mbi influencën elektorale të partive në skenën politike të Greqisë. Rritja në përqindje e “Pasok” kohët e fundit sipas sondazheve mujore të kompanisë “Public Issue” është mbresëlënëse pasi del se vetëm për muajin e kaluar (shtatorin 2008) “Pasok” fitoi 3,5% në krahasim me “Nea Demokracinë”, e cila që nga zgjedhjet e shtatorit të vitit 2007 ka humbur rreth 8% të mbështetësve të vet. Sipas sondazhit për herë të parë që nga viti 2004, “Pasok” kalon përpara. Edhe pse në thelb vlerësohet se nuk kemi zhvendosje të votuesve nga “Nea Demokracia” tek “Pasok”, por nga partitë e majta drejt “Pasok”, kjo nuk ndryshon ecurinë shumë pozitive në karahsim me më parë të “Pasok”. Megjithatë, rrethanat aktuale politike të Greqisë dhe konfigurimi partiak i shoqërisë greke do të venë në shumë vështirësi parashikuesit e rezultateve të zgjedhjeve që priten të mbahen vitin tjetër. Kjo për shkak të diferencave shumë të vogla mes partive të mëdha dhe presionit në rritje që këto parti do të ushtrojnë mbi votuesit tyre. Vlerësohet se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshsme mbetet opsion real pas ndjekjes së kujdeshme të përqindjeve që sondazhet japin për Greqinë cdo muaj. Është hera e parë që pas zgjedhjeve të vitit 2001 diferenca mes partive kryesore në përqindje mbetet shumë e vogël dhe kjo nuk bëhet enkas nga mediat për të rritur interesimin e qytetarit për të votuar, pra për arsye propogandistike. Vlerësohet se mbetet reale situata ku asnjë nga forcat kryesore politike në Greqi për herë të parë të mos ketë mazhorancën e nevojshme për të qeverisur.
Megjithatë periudha e krizës ekonomike që po ecën po tregon se partitë e vogla, nga krahu i majtë apo edhe ekstremi i djathtë nuk kanë programe reale të daljes prej saj (përjashtohet këtu pjesa e menaxhimit oratorik të krizës nga ato për qëllime politike) çka mund të bëje që një pjesë e elektoratit të tyre të mbështesë partitë e mëdha dhe në këtë mënyrë t’i hapet një korridor shprese stabilitetit qeverisës në Greqi pas zgjedhjeve të ardhshme. Aktualisht në Greqi shtë rindezur debati i vjetër ideologjik mes të majtës e të djathtës mbi rolin e shtetit në ekonomi dhe ndërhyrjes së formave socialiste për të shpëtuar kapitalizmin nga kriza, nëse do të mund të shpreheshim në këtë formë. Një debat i tillë nga SHBA ka mbërritur i shumëfishuar në Greqi dhe mund të ketë ndikim në vendimet e votuesve para kutive të votimit. Që “Nea Demokracia” të mund të rifitojë një pjesë të elektoratit të saj duhet të marrë masa për të pakënaqurit e bazës së partisë. Sondazhet kanë matur se pjesa e pavendosur e votuesve ka qenë rreth 11%. Brenda kësaj shifre 30% e të pavendosurve janë pjesë e së djathtës në Greqi që përkthehet rreth 3% në shkallën e sondazheve (referimet e shifrave sipas adresës: www.publicissue.gr)
Gjasat e ndryshimet në kabinetin “Karamanlis”/Opcion i Kryeministrit grek z. Karamanli mbetet ushtrimi i të drejtës për të ndryshuar qeverinë apo persona të caktuar brenda saj. Është evidente se shumica e Ministrave dhe Zëvendësministrave apo edhe e deputetëve grekë të së djathtës mendojnë ndryshime në kabinet. Së fundmi nga mediat greke diskutohet emri i z. Antoni Samara si një kandidaturë për Ministër, ndoshta të Ekonomisë, por nuk janë dëgjuar për këtë shumë zëra mbështetës. Skenarët janë të shumtë dhe do i përmendim duke iu referuar publikimeve tek media greke. Kështu thuhet se Ministrja e Jashtme znj. Dora Bakojani mund të jetë një kandidaturë për Ministre të Ekonomisë. Vetë ajo ka pohuar se dëshiron të jetë në krye të Ministrisë së Jashtme për shkak të çështjeve të hapura që ka, sidomos me emrin e Maqedonisë. Megjithatë nëse i kërkohet me këmbëngulje nga Kryeministri thuhet se ajo do pranojë. Por ndryshimi i Ministrit të Ekonomisë, z Alogoskufit i jep këtij të fundit 3 mundësi. E para tek Ministria e Jashtme nëse do kemi ndërrim me znj. Bakojani. E dyta për tek Ministria e Mbrojtjes dhe e treta tek Ministria e Zhvillimit. Për tek kjo e fundit mundësitë janë më të mëdha.Z Meimarakis mund të shkojë nga Ministër i Mbrojtjes, Ministër i Brendshëm dhe Ministri aktual i Brendshëm, z Pavlopulos mund të shkojë tek posti i Ministrit të Drejtësisë. Shumë prej njerëzve të mazhorancës në pushtet mendojnë se z. Meimarakis mund të jetë zëvendësues i Zëdhënësit të Kryeministrit z Rusopulu. Ky i fundit thuhet se dëshiron të lëvizë në Ministrinë e Brendshme ose atë të Kulturës nga e cila nuk përjashtohet largimi i z. Liapis. Për Ministrinë e Zhvillimit dëgjohet edhe emri i z.. Avramopulu që është aktualisht Ministër i Shëndetësisë. Zëvendësimi i tij mund të bëhet me znj. Fani Petralia që është aktualisht Ministre e Punës. Thuhet se për Ministrinë e Arsimit mundësitë e ndryshimit janë më të pakta dhe z. Stilianidhi mund të qëndroj aty edhe pse nuk përjashtohet që ai të përzgjidhet nga z. Karamanlis si Zëdhënës në vend të z Rusopulos. Nuk përjashtohet të ndryshojë post edhe Ministri i Turizmit Aris Spiliotopulos. Për sa i përket kohës të ndryshimeve qeveritare, ajo fillimisht llogaritej pas dhjetorit kur të kalohej buxheti për vitin 2009. Por zhvillimet e fundit dhe presioni në rritje ndaj Kryeministrit Karamanli për të marrë masa për z Rusopulu ka shtuar zhurmën rreth ndryshimeve të mundshme qeveritare para muajit dhjetor 2008. Nëse gjatë kësaj jave z. Karamanli arrin të garantohet se do të kalojë pa probleme votimet në Parlament e të mos ketë rrjdhje të votave kundrejt propozimeve të “Pasok” ditën e premte, atëherë ai mund të shtyjë për më vonë ndryshimet. Në të kundërt, nëse do të ketë sinjale mosbindëse të deputetëve të grupit të tij parlamentar atëherë surprizat nuk përjashtohen madje edhe brenda kësaj jave që jemi (21-25 tetor 2008).
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›