Dosjet, miratohen ndryshimet në ligj
bledar hoti
Maxhoranca miraton pa praninë e opozitës disa amendamente të saj për projektligjin për “Hapjen e dosjeve”. Komisioni Parlamentar i Ligjeve, dhe pse nuk i ka mjaftuar seanca maratonë, ka zhvilluar mbledhjen e tij pas tetë orësh, duke votuar vetëm amendamentet e paraqitura nga ana e deputetëve të maxhorancës. Ndërsa deputetët e opozitës, edhe pse janë lajmëruar për mbledhjen, nuk kanë qenë të pranishëm. Maxhoranca është munduar që të realizojë numrin e votave, duke thirrur në mbledhje deputetët zëvendësues. Ndërsa amendimet e kryera më tepër janë një formalitet, se sa një ndryshim thelbësor i draftit, pasi nuk prek një shtresë të gjerë në nenin e papajtueshmërisë. Në Komisionin Parlamentar të Ligjeve janë depozituar gjithsej tre amendamente. Një pjesë e tyre është depozituar nga ana e pesë deputetëve të maxhorancës Aurel Bylykbashi, Safet Sula, Edi Paloka, Gjok Vuksani dhe Gëzim Karapici, që janë edhe pjesë e Komisionit Parlamentar të Medias. Një amendament tjetër ka qenë i deputetit të LDK-së, Nikoll Lesi, ndërsa amendamenti tjetër është propozuar nga dy deputetët demokratë të Shkodrës, Arenca Trashani dhe Astrit Bushati. I vetmi amendament i pranuar ka qenë ai i paraqitur nga pesë deputetët, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Medias. Por duke i bërë një shtesë të posaçme për amendamentin te pjesa e papajtueshmërisë që përfshin nenin 4 të draftit.
Kriteret për drejtorët e RTVSH-së
Amendamenti i 5 anëtarëve parashikon që në verifikimin e zyrtarëve të përfshihen drejtuesit e medias publike. “Drejtori i Përgjithshëm, nëndrejtorët e përgjithshëm, Drejtori dhe Nëndrejtori i Radios, Drejtori dhe Nëndrejtori i Televizionit dhe Drejtorët e Departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar; drejtori, nëndrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe anëtarët e këshillave drejtuesve të mediave publike”, është amendamenti i miratuar nga Komisioni i Ligjeve. Kjo pjesë përfshihet në nenin 3 te subjektet e verifikimit. Komisioni ka hedhur poshtë amendamentin e deputetit Lesi, që lidhet me verifikimin e gjithë pronarëve të medias së shkruar dhe vizive. “Pronarët, bashkëpronarët, drejtorët dhe kryeredaktorët e mediave të shkruara dhe ato autodiovizive”, thuhej në propozimin e deputetit Lesi, që parashikohej të përfshihej në neni 3 të draftit.
Falen deputetët e Kuvendit Popullor
Propozimi tjetër i miratuar nga Komisioni ka falur sërish deputetët e Kuvendit të atëhershëm Popullor. Një amendim i paraqitur me shkrim dore, kërkon që komisioni të fusë te neni 4 i papajtueshmërisë “kryetarët e degëve të Punëve të Brendshme, si dhe anëtarët e presidiumit të Kuvendit Popullor”. Në presidiumin e Kuvendit Popullor ka qenë një numër i limituar të zgjedhurish, kur pjesa më e madhe e tyre nuk jeton. Edhe pse një pjesë brenda PD-së kërkonin që të përfshihen të gjithë deputetët e Kuvendit Popullor, një gjë e tillë nuk u realizua. Amendamenti tjetër i rrëzuar ka qenë ai i paraqitur nga dy deputetët Trashani dhe Bushati. Ata kërkonin që nenin 20 të ligjit të shtohet kjo pikë e veçantë: “Për subjektet e verifikuara, në funksion të nenit 4 të ligjit, të cilët në përfundim të procesit të verifikimit rezultojnë të kenë marrë pjesë në procese gjyqësore, të përcaktuar si të tillë nga ligji 7514 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politik”, depozitohet kallëzim penal pranë Prokurorisë, për fillimin e çështjes penale në ngarkim të tyre”. Ndryshimet e reja të projektligjit për hapjen e dosjeve pritet të paraqiten për votimin në seancën parlamentare të së hënës, më 22 dhjetor.