E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-drejtorët e KESH, hetim dekonspirimit të “Indikatorit”

 

ELBASAN - Prokuroria e Elbasanit pritet të nisë hetimin dhe për punonjësit e policisë, që kishin dijeni për operacionin "Indikatori". Dekonspirimi i tij, duke sjellë mosekzekutimin e fletë-arresteve për tre ish-drejtorët e KESH ka sjellë dyshimet se ata u lajmëruan para se policia t'u trokiste në derë. Dhe gjatë ditës së djeshme janë ushtruar kontrolle për të zbuluar vendndodhjen e të akuzuarve për abuzime në tenderët e KESH, Nikolla Tuke, Artan Topi dhe Ndriçim Banja. Aktualisht në qeli ndodhet një punonjës i KESH-it, 4 të tjerë në arrest shtëpie dhe 3 ish-drejtuesit në kërkim, për të cilët gjykata kishte vendosur arrest me burg. Një prej ish-drejtorëve mendohet të jetë larguar jashtë vendit, ndërsa dy të tjerë janë ende brenda territorit shqiptar. Nga ana tjetër, grupi hetimor po punon për të zbardhjen e plotë të këtij abuzimi masiv, i cili dyshohet se i kalon 3 milionë euro. Gjatë ditës së djeshme janë marrë në pyetje punonjës të tjerë të OSSH-së në Elbasan me qëllim dokumentimin e plotë të abuzimeve, që janë kryer nga 2004 e deri në vitin 2007. Nga hetimet rezulton se Ndriçim Banja akuzohet vetëm për disa shkelje administrative. Para firmosjes së arresteve, të akuzuarit u morën në pyetje, por ata i mohuan kategorikisht abuzimet që pretendoheshin nga KLSH apo Prokuroria e Rrethit.           a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›