Dinamiti shkatërron 113 kg zhivë
POLIÇAN / DILAVER XHELILI
Vetëm 15 minuta u deshën për asgjësimin e lëndëve kimike në depot e ish-kombinatit ushtarak, që të merrte fund njëherë e përgjithmonë ankthi prej disa dekadash i banorëve të Poliçanit. Në praninë e ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë Maksim Malaj, si dhe dhjetëra përfaqësues të tjerë civilë e ushtarakë, dje u krye asgjësimi i 113 kilogramë zhive. Procesi u realizua nën masa të forta sigurie, ndërsa një pjesë e qytetit të Poliçanit u evakuua. Në orën 11:00, ashtu sikurse edhe ishte parashikuar, ekspertët e ushtrisë dhanë "OK" për vënien e dinamitit të lëndës iniciale, fulminant zhive së bashku me depot ku ndodheshin ato. Specialistët e kishin planifikuar shpërthimin për një kohë shumë të shkurtër dhe pikërisht ashtu ndodhi. Pas 15 minutash u asgjësua lënda e rrezikshme pa sjellë as edhe një incident. Për ndezjen e dinamitit u veprua me anë të tubave nga një distancë brenda parametrave teknikë. Kjo u bë për të shmangur ndonjë incident me pasojë për personelin e specialistëve, por edhe për vetë banorët e Poliçanit. Lënda kimike që ndodhej në depot e ish- kombinatit të armëve ishte tepër e rrezikshme dhe kishte kaluar të gjitha parametrat e kohës. Sipas ekspertëve ushtarakë, ishte një sasi e konsiderueshme zhivë që rrezikonte jetën e punëtorëve në këtë kombinat, por edhe të qytetarëve. Pas shpërthimit të kësaj lënde, ministri Oketa u shpreh se asgjësimi i këtyre depove i hap rrugën procesit të demontimit të armëve dhe municioneve luftarake. Dje qyteti i Poliçanit ishte blinduar si asnjëherë tjetër. Forca ushtarake, policore, zjarrfikëse dhe personel shëndetësor ishin në gatishmëri për çdo të papritur që mund të rrezikonte qytetin. Në operacion ishte edhe kreu i bashkisë, Adriatik Zotka, i cili prej disa muajsh përcolli tek instancat më të larta shqetësimin e banorëve të qytetit të tij për rrezikun nga sasia e lëndëve kimike. Banorët e lagjes "Kalluc", që ndodhej vetëm 50 metra larg ish-kombinatit, u evakuuan që në mëngjes. Por edhe qytetarë të tjerë të Poliçanit u larguan nga frika e shpërthimit. Në përfundim të këtij procesi, banorët u shprehën se këtu mbaroi edhe ankthi i tyre për këto lëndë të rrezikshme. Zotka falënderoi ministrin Oketa për zgjidhjen e kësaj gjendje, e cila sipas tij prej kohësh ishte kthyer në shqetësimin primar të qytetarëve. Prej disa muajsh ishte projektuar mënyra e asgjësimit të lëndëve iniciale të Poliçanit. Pas një studimi të mirëfilltë, lejes mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe bashkëpunimit me pushtetin lokal, kjo sasi u eliminua me sukses të plotë. Në 3 depot e Poliçanit ishin të depozituara rreth 113 kg lëndë iniciale të mbetura prej vitesh, të cilat përbënin rrezik serioz për jetën e punonjësve dhe ambientin gjithashtu. Për asgjësimin e tyre, u angazhuan rreth 58 forca ushtarake dhe civile, përfaqësues të strukturave të asgjësimit të municioneve e eksplozivit, të laboratorit Qendror të Forcave të Armatosura, personelit të mbrojtjes nga zjarri, policia e shtetit dhe ajo bashkiake e Poliçanit.
Lezhë, eksploziv qendrës shëndetësore
LEZHE - Dy javë para se të inaugurohej hidhet në erë qendra shëndetësore e komunës Dajç. Persona ende të paidentifikuar i vunë eksploziv rreth orës 23:15 të së shtunës, por vetëm dje u zbulua ngjarja në zonën me 7 mijë banorë. Ekspertët e policisë konstatuan se sasia e lëndës ishte vendosur në dy vende, njëra në dhomën e qendrës dhe tjetra në tualetin e saj. Për pasojë janë dëmtuar dyert dhe dritaret, si dhe janë plasaritur muret e godinës në ndërtim. Policia ka shoqëruar 15 persona, por ende nuk ka të arrestuar për këtë ngjarje. Materialet do t'i referohen prokurorisë për veprën penale të "Shkatërrimit të pronës me eksploziv". Sipas policisë, ngjarja nuk ka motiv konflikte pronësie. Komuna e kishte blerë tokën ku do të ndërtohej qendra shëndetësore, ndërsa kishte gjetur mirëkuptimin e pronarit të truallit. Burimet pohuan se të dyshuar janë punonjës të shëndetësisë, të cilët pretendonin vendet e punës në qendrën shëndetësore. Të gjithë ata që kanë depozituar dosjet në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Lezhë do të merren në pyetje. r.n