E Shtunë, 31 Tetor 2026

a: Berishës t’i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë

 

“Sali Berishës t’i vijë turp për dyfytyrësinë e tij”. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, iu përgjigj përmes një konference për shtyp deklaratave të Kryeministrit Berisha bërë dy ditë më parë në Parlament. Kreu socialist tha se, “shfaqja e mbrëmshme e Berishës, nuk ishte për të dënuar diktaturën komuniste, por për të mbrojtur diktaturën e korrupsionit”. “I dyfytyri Sali Berisha,  i cili në moshën time ishte ende shërbëtor në partinë e Enver Hoxhës, u tha mbrëmë shqiptarëve se unë, Edi Rama, paskam qenë i lidhur me diktaturën, dhe për t’i bindur shkeli mbi kujtimin e të ndjerit babait tim”. Kryetari i PS-së theksoi se, pavarësisht sharjeve në publik për familjen Rama, si kryetar opozite ai nuk do të flasë në emrin personal, por në emër të të gjithë shqiptarëve dhe sidomos të persekutuarve. “Unë jam këtu sepse nuk jam i vetmi që i preket familja nga ky njeri... Unë jam këtu sepse kjo politikë që hyn çdo mbrëmje në shtëpitë e shqiptarëve për të mbjellë urrejtje, për të trazuar mendje e zemra prindërish e fëmijësh me egërsinë e saj, për të rënduar shpirtërisht e moralisht miliona njerëz që duan shpresë”. Duke iu mëshuar “dyfytyrësisë” së Berishës, Rama deklaroi se Berisha duhet të ndihet i turpëruar për gjuhën e përdorur dhe për shkeljet që po i bën shtresës së të persekutuarve. Rama akuzoi Berishën se po i përdor këta të fundit. “Sali Berishës duhet t’i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse ndërkohë që të përndjekurve politikë u ka marrë prej 17 vjetësh jo vetëm votën, por kërkon që me gjakun, plagët, vuajtjet, sakrificat, të mbulojë duart e pista të kësaj qeverie të kalbur nga korrupsioni, po edhe të marrë përsëri një mbështetje tërësisht të pamerituar për të përfaqësuar këtë shtresë të vrarë e të torturuar nga Enver Hoxha”. Më tej, Rama theksoi se Kryeministri duhet të ndihet i turpëruar edhe për mos kompensimin dhe djegien e fondeve për të persekutuarit nga diktatura komuniste. Një ndër arsyet e turpërimit që Rama numëroi ishte dhe biznesmeni Fazlliç, që sipas kryesocialistit, me paratë që ai ka bërë me korrupsionin si sekser i Berishës do dëmshpërblente mijëra ditë burg për të persekutuarit. Kryeministri Berisha gjatë seancës parlamentare ku po diskutohej lidhur me projektligjin “Për pastërtinë e figurës” akuzoi liderin e opozitës, Edi Rama, se po mban peng të majtën për shkak të lidhjeve të tij genetike me komunizmin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›