E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karburantet, nuk ka konkurrencë për çmimet në treg

 

Fabiola Çela

Nuk ka konkurrencë të lirë në tregun e karburanteve. Kompanitë e mëdha të karburanteve bashkëpunojnë me tregtarët e pakicës për të fiksuar çmime të larta për shitjen e karburanteve. Një konstatim i tillë është dhënë nga vetë autoriteti i konkurrencës. 
Sipas burimeve zyrtare nga ky institucion, mësohet të ketë përfunduar raporti "Mbi Hetimin e Thelluar në Tregun e Karburanteve". "Raporti konkludon se vihen re kufizime të konkurrencës në treg, si pasojë e sjelljes së koordinuar mes ndërmarrjeve kryesore që kanë fuqi të ndjeshme në tregun e shumicës dhe ndërmarrjeve të integruara vertikalisht në tregun e shitjes me pakicë", thuhet në deklaratën për shtyp të konkurrencës. Në bazë të ligjit, Autoriteti i Konkurrencës ka ftuar ndërmarrjet nën hetim të tërheqin një kopje të raportit dhe të paraqesin pretendimet e tyre në seancën dëgjimore që do të zhvillohet më 26 dhjetor. Vetëm pas përfundimit të seancave dëgjimore me ndërmarrjet nën hetim, Komisioni i Konkurrencës do të vendosë me objektivitet nëse ka pasur apo jo shkelje të konkurrencës së lirë në treg.
Çmimet
Çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka pësuar rënie të ndjeshme krahasuar me pak muaj më parë. Por për fat të keq kjo rënie nuk është reflektuar në tregun vendas. Me një llogari të thjeshtë, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është ulur nga 145 USD/fuçi në 50 USD/fuçi. Por këtu ka ndikim edhe kursi i këmbimit dhe llogaria duhet të bëhet në lekë. Kështu në momentin që një fuçi nafte në tregjet ndërkombëtare ishte 145 USD, në Tiranë kjo fuçi kushtonte 11020 lekë. Ndërsa sot që çmimi është 50 USD/fuçi, në Shqipëri me konvertimin në dollarë kushton 4800 lekë. Nga llogaritja del që çmimi i një fuçie nafte në tregjet ndërkombëtare, të konvertuara me lekë, është sot sa 44 për qind e çmimit maksimal, ose është ulur me 56 për qind. Por kjo s'ka ndodhur me çmimin e naftës. Në Shqipëri, çmimi i naftës ishte maksimalisht 170 lekë/litër, ndërsa dje u tregtua mesatarisht me 115 lekë/litër. Sot çmimi në Shqipëri është sa 74 për qind e atij të verës, ose me një ulje prej rreth 26 për qind. Pra çmimi në treg prej 45 lekësh (nga 170 lekë/litër në 115 lekë/litër), është sa gjysma e uljes së çmimit në tregjet ndërkombëtare, nga ku blihet karburanti. Sot, duke ruajtur të njëjtin nivel fitimi si në verën e këtij viti, tregtarët duhet ta shisnin naftën të paktën 90 lekë më lirë. Sot një litër naftë duhet të tregtohej me 80 lekë/litër. E gjithë pjesa tjetër e çmimit vetëm maksimizon fitimet e grosistëve dhe tregtarëve të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›