E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurozonë, shtohen radhët e të papunëve

Niveli i papunësisë në shtetet që ndajnë monedhën e përbashkët euro muajin e shkuar arriti nivelin më të lartë të shënuar gjatë dy viteve të fundit. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Bashkimi Evropian, mesatarja e papunësisë u ngrit në shifrën 8 për qind. Numri i të papunëve, mbetet më i lartë në Spanjë, në nivelin 14.4 për qind.

Ndërkaq, inflacioni në Eurozonë ra nga 1.6 për qind në dhjetor, në shifrën 1.1 për qind në janar, niveli më i ulët i shënuar që prej dhjetë vjetësh. Dhe ndërsa Spanja shënonte shifrën më të lartë të papunësisë, shtetet me mesataren më të ulët qenë Holanda me 2.7 për qind dhe Austria me 3.9 për qind.

Të dhënat e fundit mbi nivelet e papunësisë dhe të inflacionit do të rrisin presionin mbi Bankën Qendrore Evropiane për të ulur edhe më tej normat e interesave të kredive për të ndihmuar ekonominë dhe për ta çuar inflacionin në nivelin e parashikuar, rreth 2 për qind. Gjatë ditëve të para të këtij muaji, Banka Qendrore Evropiane i uli normat e interesit më tej në shifrën 2 për qind, ulja e katërt që nga shatori i vitit të shkuar kur norma e interesit të kredisë qe 4.25 për qind. Gjithsesi, norma e interesit mbetet më e lartë se 1.5 për qind në Britani dhe nga 0 deri 0.25 për qind në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pritet që Banka Qendrore Evropiane të shpallë vendimin për uljen e radhës së normave të interesit gjatë javës së ardhshme, ndërkohë që presidenti i saj, Zhan Klod Trishe, ka bërë me dije se nuk pritjen rritje të paktën deri në mars. Ekonomisti Metju Sharrat i Bankës Amerikane tha se të dhënat e fundit e kanë vënë institucionin më të rëndësishëm bankar evropian në pozitë shumë të vështirë.

Të dhënat mbi papunësinë për dhjetorin e vitit të shkuar nuk pasqyrojnë Sllovakinë, e cila e adaptoi monedhën evropiane vetëm ditët e para të këtij muaji. Për Bashkimin Evropian në tërësi, niveli i papunësisë u rrit për muajin dhjetor në 7.4 për qind nga 7.3 për qind që ishte në nëntor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›