Legjitimiteti i cunguar apo humbës radikal
Ndriçim Kulla
Është një situatë e veçantë ajo që krijohet me realizimin e një bojkoti parlamentar nën emrin e një legjitimiteti të cunguar, por që nëse përthyhet me realitetin merr emrin e humbjes në zgjedhje. Është një situatë që të sjell ndërmend një sindromë të çuditshme. Humbësit që rrojnë me humbjet e tyre, shkrimtari i madh gjerman Hans Magnus Enzensberger i quan humbësit radikalë. “Te humbësi radikal, vëzhgon shkrimtari, duke cituar filozofin Odo Marquard, “deziluzioni rritet pas shfaqjes së çdo progresi, sepse aty ku progreset janë efektivisht të suksesshëm në eliminimin efektiv të së këqijave, ato rrallë arrijnë të shkaktojnë entuziazmin e tij; përkundrazi ato kthehen në arritje të vetvetishme, në gjëra që duhet të ndodhnin medoemos, për ta përqendruar atëherë vëmendjen vetëm mbi të këqijat që mbeten. Për të rron dhe sundon kështu ligji i ngulmimit akoma dhe më shumë tek ajo që mbetet. Sa më shumë negativitet zhduket nga realiteti, aq më shumë irritues shndërrohet për të negativiteti që mbetet, pikërisht pse zvogëlohet”. Duket një përshkrim gati i përpiktë me situatën e krijuar pas zgjedhjeve të fundit në Shqipëri. U konstatua nga disa lloj burimesh të besueshme të qenë zgjedhjet më të mira të bëra deri tani, pra një masë e madhe negativitet që i ka shoqëruar ato me anomali e shtrembërime serioze për legjitimitetin për vite e vite me radhë, është eliminuar.
Ka probleme e procedura që lipset të korrigjohen, të ndryshohen a rregullohen, pra ka negativitet që mbetet; kjo është e qartë e nuk shtrohet për diskutim. Mirëpo niveli i këtij negativiteti të mbetur, konstatohet nga të gjithë se nuk i përligj majat e proporcionit që kërkon të arrijë bojkoti parlamentar, duke nënkuptuar që ai kërkonte zgjedhjet më të mira të mundshme që arrijnë të realizohen në Shqipëri. Është një flluskë iluzioni të kapesh pas realizimit praktik të një parimi të tillë, që nënkupton një hop cilësor të atij lloji, që nuk merr parasysh modalitetin dhe strukturën pikënisëse të organizimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Edhe nga pikëpamja e perspektivës politike, ashtu siç na e ka mësuar edhe eksperienca, sa më të mëdha të jenë iluzionet në atë qëllim që dëshirohet të arrihet, aq më e durueshme dhe e zgjatshme në kohë mund të jetë flluska, por aq më brutal dhe shkatërrues shpërthimi i saj. Sepse, njësoj si me një flluskë sapuni, flluska e iluzionit të mbështjell me një membranë transparente, që të shkëput nga realiteti; e kjo sepse “motori” i një iluzioni është shtrembërimi i realitetit, fshirja e një parimi të realitetit dhe krijimi i një realiteti krejt të ri që peshon akoma dhe më rëndë se i pari. Pse vallë, a e meriton realiteti i zhvillimit të këtyre zgjedhjeve një realitet të tillë si bojkoti parlamentar? Po realiteti i ri i bojkotit, a kuptohet deri në fund se ç’peshë rëndese ka mbi vendin, shoqërinë, madje dhe vetë popullin e majtë që votoi? Mirëpo kush jeton në botën e flluskave të iluzionit nuk përkujdeset për pasojat, deri kur realiteti të arrijë të hakmerret kundrejt iluzionit. Veçse atëherë shumë gjëra janë shprishur, shumë kohë është harxhuar, shumë energji kanë shkuar dëm. Për atë që jeton me iluzionin, dy plus dy nuk bëjnë katër, për të ky ekuacion është një paturpësi tmerrësisht e padurueshme, ashtu siç është edhe për “Njeriun e nëndheshëm” të Dostojevskit’ “Dy plus dy katër, ka një pamje moskokëçarëse”, thotë ai, duke u pozicionuar në mes të rrugës me duar në ije e duke pështyrë. “Jam dakord, vazhdon, që dy plus dy katër është diçka e mrekullueshme, por nëse duhet të lëvdojmë vërtet gjithçka, edhe dy plus dy pesë ngandonjëherë është diçka goxha e këndshme”.
Gjithçka mund të sjellë e gjenerojë shtegtimi mendor nëpër flluska të tilla, por ajo që kurrë s’duhet anashkaluar është fakti se realitetet, që ndërtohen nga qëndrime të tilla nuk kanë peshë të madhe rëndese vetëm mbi partitë dhe opozitën. Ato ndikojnë për keq edhe mbi vetë pozitën, qeverisjen, sepse i heqin asaj një pikë referimi ku të shohë dobësitë dhe gabimet e saj, i heqin vendit mundësinë e dëgjimit të një alternative tjetër. Ndaj, në shërbim të interesave madhore të vendit i takon ndoshta qeverisë dhe koalicionit fitues ta mbushë këtë boshllëk me një përgjegjësi, tolerancë dhe efikasitet të dyfishtë; i takon aftësisë dhe cilësisë së saj të luftojë dyfish, edhe në emër të opozitës, për të bashkëpajtuar legalitetin me legjitimitetin, për të rivendosur madhështinë e ligjit, jo vetëm për të mirën, por edhe për dobinë e vendit. E kjo se të rivendosësh madhështinë e ligjit nuk është vetëm çështje etike. Nuk është vetëm orvatja për të themeluar mbi norma të bashkë-pranuara e jo arbitrare qoftë legalitetin ashtu dhe legjitimitetin. Ai është një proces i tërë i domosdoshëm që lipset për të nisur funksionimin e ekonomisë kundra krizës, të rriten e konsolidohen bizneset, të paguhen dhe mblidhen taksat, të përmirësohen shërbimet sociale dhe shëndetësore në prag epidemish, të funksionojë me autonomi drejtësia, e kështu me radhë. Të rivendosësh madhështinë e ligjit, nga ana tjetër, nuk do të thotë aspak të ulësh tonet dhe “konfliktet”, por t’u heqësh këtyre konflikteve njelmësinë e destruktivitetit dhe aventurizmit.
E kjo për arsye se trazimi dhe pozicionimi në një nivel të tillë i konfliktit pozitë-opozitë, nuk është vetëm paaftësia jo elegante e të humburit, që mund të dënohet edhe nga vetë ndërkombëtarët që në vështrim të parë. Është më keq. Mungesa e elegancës së brendshme është një helm i tmerrshëm, ashtu siç është opakësia dhe injoranca militante. Natyrisht që në këtë ndërmarrje të saj të mundimshme koalicioni qeverisës duhet medoemos të mbështetet edhe në “ishujt” e racionalitetit që së majtës s’i kanë munguar kurrë. Por gjithsesi, duhet të jetë ky sens i dramës në të cilin po zhytet opozita dhe dëmi që ajo i sjell vendit, përtej vetvetes, shkaku i ndryshimit të veprimit, jo qëndrimit të saj, stilit dhe politikat që ndjek, jo qëllimit të saj. Nga ana tjetër, e kjo vlen po kaq edhe për qeverisjen në koalicion, partitë dhe identiteti i tyre kanë shumë rëndësi të ruhen, të ravijëzohen, të qartësohen dhe konsolidohen, por më shumë rëndësi ka kohezioni i një programi që lipset të favorizojë rikthimin në normalitet, në një jetë të rregullt (aspak pa debate, qoftë edhe të ashpra) parlamentare, por mbi të gjitha të favorizojë besimin e shqiptarëve ndaj shtetit të tyre, drejtësisë, të drejtave dhe detyrave që ata kanë ndaj tij. Kjo është urgjenca imperative e kësaj faze të parë të periudhës pas-zgjedhore, jo tam-tami i bojkotit parlamentar.
Në fjalimin e vet të 20 janarit, Obama citon letrën e parë të Palit ndaj Korinthasve, duke thënë “se ka ardhur koha t’i lëmë mënjanë gjërat foshnjarake”. E kjo do të thotë të rikthehesh te ligji, te zbulimi i limiteve të veta, te braktisja e asaj arrogance të veçantë të bashkuar me cinizmin që karakterizon gjërat foshnjarake. Në këtë kuptim, çështja morale përkon me rikthimin e kulturës së ligjit. Ja, kjo është nevoja më e madhe e momentit: pa të nuk ka për t’u restauruar kurrë ai raport i qëndrueshëm e jetëgjatë midis qeveritarëve dhe popullit. Pa rikthimin e “madhështisë së ligjit” nuk kanë për t’u shëndoshur as ekonomia, as politika e as ambienti. Alternativa është mbyllja në flluskën e bukur të anashkalimit apo injorimit të parimeve të tilla: tek e fundit edhe një flluskë e tillë është diçka foshnjarake, që shkëlqen aq shumëngjyrëshe për deri kur shpërthen papritmas, e lë pas mbeturina rastesh patologjikë të raporteve me ligjin, moralin, etikën publike dhe njëanshmërinë e emërimeve, që janë toka më pjellore e njelmësisë së batakut, intrigës dhe autoritarizmit.