E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në mbledhjen e Grupit: “PS-ja është trashëgimtare e Partisë së Punës”



Kryeministri Sali Berisha kërkoi bashkëpunimin e Partisë Socialiste për hartimin e ligjit për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se PS-ja është trashëgimtare e Partisë së Punës, por lidershipi i saj është ri, ndaj dhe këta nuk duhet të tremben ndaj ligjit për hapjen e dosjeve. “Nuk ka diskutim që PS-ja është trashëgimtare, me ligj dhe frymë, e Partisë së Punës. Por, nga ana tjetër, sot lidershipi i saj nuk është ish-nomenklatura e vjetër. Shumë prej tyre janë të rinj, të cilët duhet të bashkoheshin në këtë nismë dhe u takonte atyre të faktonin reformimin dhe vendosmërinë e tyre për t’u shkëputur nga faqja më e zezë dhe tragjike e historisë sonë kombëtare, që është diktatura dhe që kishte një përgjegjës Partinë e Punës dhe diktatorin”, - është shprehur Berisha. Ai kundërshtoi pretendimin e PS-së se projektligjet e paraqitura në Kuvend bien në kundërshtim me Kushtetutën. Përkundrazi, sipas Berishës, projektet janë në përputhje me kërkesat e Këshillit të Europës për dënimin e krimeve të komunizmit. “Ata dolën kundër dhe citonin ligjin, që absolutisht m’u duk sikur po i referoheshin Kushtetutës së Enver Hoxhës, duke thënë se është shkelur Kushtetuta në 14 nene. Vetë po të ishte shkelur Kushtetuta e vitit ’74, me këtë do të isha dakord. Por, me këto ligje, Kushtetuta e Shqipërisë nuk është shkelur në asnjë nen, madje as edhe ndonjë kushtetutë e vendeve ish-komuniste”, - është shprehur Berisha. Sipas kryeministrit Berisha, Partia Socialiste është përfshirë në një përplasje midis të rinjve dhe të vjetërve, që janë pasardhës të regjimit komunist, ndaj dhe ka qëndrime të ndryshme për këtë ligj. “Por kjo fakton se aty ka një involcion, forcat që përfaqësojnë nomenklaturën dhe krimet monstruoze të komunizmit janë të gjithëfuqishme në vendimmarrjen e tyre”, - është shprehur kryeministri. Berisha më tej bëri të ditur se përveç ligjit për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të shtetit, qeveria është duke hartuar një ligj për ngritjen e një instituti studimor mbi pasojat e sistemit totalitar. “Qeveria ka pasur një projekt për të ngritur një institut studimor mbi pasojat e sistemit totalitar, i përbërë nga historianë dhe studiues, të cilët do të mund të studiojnë dhe të nxjerrin në pah të gjithë shëmtinë dhe pasojat tmerrësisht të rënda të atij sistemi, që Bernard Henri Levi e quan “barbari me fytyrë njerëzore”. Mendoj se ky Institut duhet të ngrihet nga Parlamenti dhe jo nga qeveria. Për ngritjen e këtij Instituti duhet të ketë një ligj, të cilin po e përgatisim mbi bazën e eksperiencës së vendeve të tjera dhe shpresoj t’jua sjellim në Parlament”, - është shprehur Berisha.

9 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›