Dosjet, zjarri nuk shuhet pa shuar shkëndijat
Pak kohë më parë, një mik nga Vlora më thotë duke qeshur: “E di ti që nëse je në autobus në Unazë në këmbë dhe kërkon të të lirojë dikush vendin do përpiqesh më kot, sepse se ka kush mendjen të çohet që të ulesh ti, edhe këta të rinjtë apo të rejat. Kjo në aq pak minuta e kilometra sa zgjat ky udhëtim një stacion të vetëm, duke e ditur që do zbresë pranë shtëpisë, e lëre më pushtetin që nuk ka lajthitur kush që të ta lëshojë o mik...” M’u kujtua kjo që i shkon për shtat debatit të gjatë të hapjes së dosjeve apo në gjuhën parlamentare atë të lustracionit, pastërtisë së figurës së funksionarit e zyrtarit të lartë. Kuvendi, më saktë mazhoranca, ka votuar me 74 vota ligjin e saj dhe i ka thënë “po” leximit të inventarit të së shkuarës, duke i dhënë të drejtë pasjes dijeni se kush janë punëtorët, bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Drejtpërdrejt ky ligj që pret dekretin e Presidentit, do të zgjasë për t’u miratuar duke lexuar, parë e dëgjuar reagimet e shumta.
Janë disa gjëra që të vijnë ndërmend sapo ndeshesh me lustracionin që i bëhet ligjit të lustracionit më plotësisht. Nga sa kuptohet pa qenë jurist, thjesht ajo që u votua nuk duhet të lejojë pretendentë që kanë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, pra pjesë e pushtetit më të egër të diktaturës, të jenë sërish pjesë e pushtetit demokratik që ne po ndërtojmë. Një përputhshmëri absurde e cila zor se justifikohet me faktin se po i dëmtojmë të shkretët se dhe ata kanë të drejtë të jenë në një punë. Të drejtë atëherë, të drejtë tani, atëherë nuk paskemi pasur të drejtë si shoqëri që kemi përmbysur prodhimin e tyre politik. Ashpërsia e të reaguarit të një pjese të opozitës, të një pjese të drejtësisë, flet për atë që ne nuk kemi bërë në 20 vite. Madje habia e një ndërkombëtari se përse u dashka që pas 20 vitesh të hapen dosjet, shkon pak më larg pasi nuk ofron premtimin e largimit të trashëgimisë që çoi dëm mijëra jetë njerëzish. Për të shkatërruar diktaturën në Irak të Sadam Hyseinit, që ka ngjashmëri milimetrike me atë enveriane të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, SHBA, eksportuesit më të mëdhenj të lirisë në planet luftuan e po luftojnë gjatë duke dhënë jetë njerëzish në këmbim. E kanë bërë këtë në shumë raste të tjera duke qenë garantues të ëndrrës që prodhojnë vetëm amerikanët. Por do t’i besoja edhe Tolstoit në thënien e tij që “nëse nuk ke shuar shkëndijat, atëherë nuk ke shuar zjarrin”, pra nëse nuk ke rikthyer të drejtën, bërë katarsisin për këtë armë famëkeqe, atëherë e ke lënë zjarrin hapur, këtu nuk kam parasysh kategorikisht aspak hakmarrjen. Shqetësimi ndërkombëtar, ai i Departamentit të Shtetit, OSCE, ODHIR, e të tjerë ambasadorë që kanë ndjekur këtë proces pastërtie, është realisht i drejtë dhe në disa raste i ngutur. Që ky është një veprim politik i kërkuar nga shoqëria shqiptare prej 20 vitesh kjo dihet dhe ky është një premtim i mandatuar nga sheshi “Skënderbej” që në protestat e dhjetorit të vitit ‘90. Pra kjo është politike dhe bëri mirë që ndodhi. Nëse opozita që pretendon ndryshime i sjell ato duke mos cenuar thelbin, atëherë le të përfshihen dhe ata e të rivotohen duke korrigjuar këtë ligj që ai të bëhet gjithëpërfshirës, duke marrë në konsideratë që dosjet duhet të hapen.
Duhet sqaruar një moment të rëndësishëm që për disa organizata ndërkombëtare reagimi përdoret vetëm për çështje asistence teknike (kupto - financiare) si zgjatje mandati e këshilla të tjera për histori që janë vetëm të lexuara e jo të jetuara. Ndaj shumë ekspertë ndërkombëtarë të Perëndimit janë vërtet lektorë të mirë të së drejtës e të të drejtave të njeriut, por hapja e sekretëve të punës së fshehtë e agjentit të Sigurimit që ka ndëshkuar dhjetëra të pafajshëm, nuk është nxitim. Duhet marrë në konsideratë dhe fakti që ca punëtorë e bashkëpunëtorë kanë qenë për nga niveli, diku te “ku thërret qameti”. Por një detaj i rëndësishëm nëse duhet t’i shkohet deri në fund të së vërtetës, është dhe hapja e dosjeve të Partisë së Punës. Aty Sigurimi me punëtorë e bashkëpunëtorë është urdhëruar e udhëzuar që të linçojë e masakrojë armiqtë e partisë. Kjo mbase nuk është se bëhet me ligj, por nëse trashëguesit politikë marrin përsipër ta bëjnë, do të shohin se çfarë fshihet mbi Sigurimin e Shtetit, ku janë punëtorët e bashkëpunëtorët dhe realisht si janë urdhëruar e kanë punuar me direktiva. Kjo pjesë është fshehur përsëri në pushtetin e sotëm dhe duhet marrë në konsideratë që duhet ndaluar të vazhdojë të prodhojë pushtet e para, për atë që ka bërë gjithnjë. Nesër në prillin e pas katër muajve, ne në NATO me mbështetjen amerikane të gjithhershme, nuk shpresoj se mund të udhëtojmë me elitën e Sigurimit të Shtetit. Kjo është ndihma e çmuar që duhet të na e ofrojnë ndërkombëtarët. Mbase kjo kërkon ashpërsimin e ligjit të mazhorancës që në disa vende seç ka pamjen e ligjit tolerant. Sepse shkëndijat janë gjithnjë burimi i zjarrit, ndaj ligji është mënyra për t’i shuar. Opozita e shëndetshme ka gjasa të ofrojë vetë ashpërsi, sepse kërkon politiken e re që nuk bëhet me përfaqësuesit më të vjetër në pushtet, që është e shkuara.