E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri gjëra që sigurojnë integrimin e Kosovës në BE



Kosova ka probleme të shumëllojshme dhe të natyrave të ndryshme. Besoj se të gjithë neve na janë mërzitur demonstratat e protestat. Të gjithë dëshirojmë të jetojmë e punojmë për vete, familjet tona e kombin tonë. Por realiteti i Kosovës sot është shumë i vështirë. Nuk bën t’ia bëjmë vetes verë, kur nuk është verë. Por, çka mund të bëjmë atëherë? Ta kuptojmë realitetin kosovar edhe nëse nuk na pëlqen të reagojmë. Në demokraci ka vend për mendime e veprime të ndryshme, përderisa ato nuk ua cenojnë jetën njerëzve apo themelin e shoqërisë demokratike d.m.th. institucioneve që janë për popullin. Kosova, përmes Kuvendit të zgjedhur nga populli (edhe pse ishe një numër shumë i vogël i votuesve që dolën në zgjedhjet e fundit) e ka miratuar planin e ish-kryetarit finlandez Marti Ahtisari. Në këtë plan rregullohet dhe vendoset për një mision ndërkombëtar evropian, d.m.th. EULEX. Ju që jeni kundër veprimit të EULEX-it në Kosovë, jeni kundër normalizimit të gjendjes në Kosovë. Vini re, nuk them për këto apo ato 6-pikësha (sepse politikanët e mirëfilltë mund të thonë një gjë e të veprojnë ndryshe kur e do interesi i kombit), por për ekzistimin e EULEX-it në Kosovë. Drejtësia e Kosovës është shumë e brishtë, këtë e dimë të gjithë. Po ashtu ne duhet ta kuptojmë se pa ndihmën e miqve tanë në rrethanat si të sotmet, ne kurrë nuk do mundeshim që ta rregullojmë situatën në Kosovë. Populli i Kosovës po vuan dhe ka vuajtur. Sigurisht që gjithçka merr kohë, institucionet e tanishme kosovare nuk duhen fajësuar për çdo gjë. Mos harroni, drejtuesit e institucioneve politike ndërrohen shumë lehtë. Nëse ata nuk e mbarojnë punën e vet ashtu si duhet, d.m.th. për të mirën e popullit, atëherë në zgjedhjet e ardhshme (që sipas Planit Ahtisari duhen mbajtur së shpejti), votoni për dikë tjetër apo angazhohuni edhe vetë në politikë. Pse jo? Ne që kemi studiuar shkenca politike, që jemi të zgjedhur nga populli apo jemi aktivë të interesuar në politikë, nuk kemi monopol në qëndrime politike e miratime dhe ekzekutime të ligjeve. Partitë politike dhe liderët e tyre nuk janë të shenjtë. Partitë ndahen e ndërrohen, po ashtu edhe liderët partiakë e institucionalë në demokraci shumë lehtë mund të ndërrohen, sepse puna që e bëjnë apo s’e bëjnë, është më me rëndësi sesa kush është në krye të ndonjë partie apo institucioni. Para disa muajsh ne ishim kundër vendosjes se misionit evropian vetëm në zonat ku jetojnë shqiptarët e Kosovës dhe kjo u ndërrua, tash po vendoset EULEX-i në tërë Kosovën. Ka vite me radhë që ne flasim e flasim për integrime në Evropë dhe ja tash përbërja dhe puna e EULEX-it e shpejton këtë gjë. Janë 3 gjera që e sigurojnë Kosovën në rrugë të sigurt integrimi në UE (Union Evropian). 1. Përcjellja dhe zbatimi i çdo pike nga raportet zhvillimore që Komisioni Evropian i lëshon çdo vjeshtë. Ikja nga përgjegjësia institucionale dhe individuale dhe mosmarrja seriozisht e këtyre raporteve e dëmton të tashmen e të ardhmen e Kosovës. Raportet e Komisionit Evropian përfshijnë çdo segment të një shoqërie demokratike. 2. Bashkëpunimi e bashkëkoordinimi i ngushtë me EULEX-in na jep vizën për integrime evropiane më të shpejta. 3. Forcimi vetanak i demokracisë dhe ekonomisë së Kosovës, mes tjerash, duke i respektuar rregullat për mbajtjen e zgjedhjeve dhe mbajtjen korrekt të tyre, çrrënjosjen e familjarizimit e korrupsionit në arsim e në vende pune, blerjen e produkteve të prodhuara në Kosovë pa menduar në cilësinë (kjo, nëse dëshironi që të krijohen vende të reja pune në Kosovë) etj., etj. Ju që jeni kundër bashkëveprimeve me aktorë tjerë që përfaqësojnë demokracinë e Evropës, SHBA-ve etj., ju sigurisht që dëshironi të vetizoloheni dhe për një kohë të gjatë ta largoni Kosovën larg Brukselit e Uashingtonit. Ne që mendojmë ndryshe, e dimë se duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkëta për të mirën e shtetit të ri të Kosovës. Lëvizja “Vetëvendosje” apo organizata COHU, Lëvizja e Grave të Kosovës etj. dhe OJQ të tjera, sigurisht që u garantohet e drejta me ligj që të protestojnë në mënyrë të qetë. Mirëpo, lëvizja “Vetëvendosje” nuk është opozitë politike, siç po e quajnë disa kosovarë, por lëvizje e atyre me mendime e qëndrime të ndryshme që duhet të marrin përgjegjësi për veprimet e veta. Ato që janë opozitë politike, janë partitë e sotme që nuk janë në qeveri dhe ata deputetë të partive qeveritare që nuk pajtohen me çdo mendim të dy partive të mëdha, edhe pse vetë i përkasin asaj, gjë që duhet të jetë e pranueshme në çdo demokraci partiake. Po ashtu, ka edhe zëra nga grupe militante në Kosovë që thonë se "deputetët e Kosovës në Parlament nuk e përfaqësojnë popullin" dhe thonë se kanë alternativa të tjera. Demokracia - si në Kosovë, që është një shtet i varur e më kushte, po ashtu edhe në shtete të vërteta që janë të pavarura - duhet të mbrohet në mënyra të ndryshme. Nëse e kërkon nevoja, edhe me forcë. A dëshirojmë ligje të xhunglës (d.m.th. anarki) apo dëshirojmë rregulla që duhet të vlejnë për të gjithë (d.m.th. demokraci)? Nëse me të vërtetë dëshirojmë që Kosova të zhvillohet ekonomikisht e politikisht ku ne, fëmijët tanë dhe gjeneratat e ardhshme të jetojnë në siguri e prosperitet dhe barazi me moshatarët e tjerë të Evropës, duhet ta kuptojmë e pranojmë realitetin tonë dhe t’i respektojmë bazat e institucioneve tona, si dhe t'i qortojmë apo edhe ndërrojmë ata vendimmarrës politikë apo drejtues institucionesh, që nuk e kryejnë punën ashtu si thonë rregullat dhe si e do nevoja e popullit. Sigurisht, në mënyrë demokratike, që është rruga e vetme e pranueshme. Mirë se vjen Evropë dhe ti fëmija i Evropës që quhesh EULEX! Ke qenë i mirëpritur!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›