E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali heq bluzat e bardha



Pacientët: Nuk dallojmë mjekët nga sanitarja, për shkak të veshjes së njëjtë. Studimi: Përparësja e bardhë është mbajtëse mikrobesh. Ngjyra blu më e përshtatshmja për mjekët. QSUT: Ndryshimi, vitin e ardhshëm

“Bluzat e bardha”, klisheja me të cilën veshim gjithnjë mjekët dhe infermieret, nuk do të ketë më kuptim. Kjo, pasi vitin e ardhshëm, drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të ndryshojë uniformat e punonjësve. Aktualisht, të gjitha kategoritë e punonjësve, si sanitare, infermiere, sekretare dhe mjekë, përdorin përparësen në ngjyrë të bardhë. Por, një situatë e tillë është parë e papërshtatshme, pasi shkakton konfuzion dhe paqartësi tek pacientët.

Këta të fundit thërrasin nëpër korridoret e spitaleve sanitaret dhe infermieret për mjekë. Sipas pacientëve, kjo ndodh pasi nuk ka ndonjë shenjë dalluese se cili është mjek dhe cili jo. Ndërsa për sa i përket mbajtjes së stetoskopit si shenjë dalluese, jo të gjithë mjekët e vendosin rreth qafës.

Pacientët

Nëpër korridore apo pavijone të spitaleve, pacientët rendin pas bluzave të bardha duke u thirrur “doktoreshë” apo “doktorë të lutem na ndihmoni”. Kur personi i veshur në të bardhë kthen kokën pas për të parë kush e thërret për t’u përgjigjur, merret vesh se është infermiere apo sanitare.

Pacienti i zhgënjyer i kërkon ndihmë për të gjetur doktorin e “vërtetë”. Dhe kështu pacienti dhe doktori ‘i shtirur”, jo për faj të saj, por të uniformës që mban, rendin për të kërkuar mjekun e shërbimit.

Kështu ndodh prej kohësh. Qendra Spitalore Universitare mbart me vete edhe histori të tilla. Vetëm para pak ditësh vrojtoja disa pacientë që prisnin në pavijon, kur kalonte ndonjë person me bluzë të bardhë i thërrisnin “doktor”. Pasi merrnin përgjigjen se nuk ishte i tillë, pacientët nevrikoseshin dhe thoshin: “Ku ta marrim vesh ne të gjorët se kush është mjek e kush jo, këtu të gjithë vishen njësoj”.

Ndërsa Manjola, vajzë rreth të njëzetave, kur e pyet se si i dallon mjekët nga pjesa tjetër e punonjësve, përgjigjet: “E kam të vështirë t’i dalloj. Unë shoh se gati të gjithë punonjësit kanë përparëse të bardhë dhe se mjekët e vërtetë fshihen duke u lënë rolin atyre të shtirurve, sanitareve dhe infermiereve që nuk përtojnë të marrin përsipër përgjegjësi që nuk u takon”, - pushon pak dhe pastaj vijon duke thënë: “Mbaj mend se kur isha e vogël, erdha një herë në spital. Mjeku që vizitoi mamin kishte stetoskop. Që atëherë jam munduar t’i identifikoj mjekët në këtë mënyrë, ndërsa tani shoh se mjekët e vërtetë, me sa duket përtojnë të mbajnë stetoskopin”.

Uniformat

Përparësja e bardhë prej kohësh funksionon si uniformë për punonjësit e shëndetësisë. Gati në të gjithë botën uniforma e mjekëve dhe infermierëve është një përparëse e bardhë. Ngjyra e bardhë shërben si për të shprehur shpirtin human të mjekëve dhe profesionin fisnik që kanë. Gjatësia e saj duhet të shkojë deri poshtë gjurit, megjithëse kohët e fundit shikohet tendenca për ta shkurtuar atë.

E menduar si uniforma ideale për të gjithë punonjësit e shëndetësisë, së fundmi po shikohet mundësia për ta ndryshuar atë. Edhe në vendin tonë, në QSUT, burime pranë kësaj drejtorie pohojnë se vitin e ardhshëm do të ketë ndryshime në uniformën e punonjësve.

Uniforma e njëjtë që ka i gjithë stafi, tek pacientët ka shkaktuar konfuzion. Për këtë drejtoria pohon se po shikohet mundësia për t’i rimodeluar. Burimet sqarojnë se do të ketë diferencime në bazë të kategorive të punonjësve, ku normalisht sanitaret do të kenë tjetër uniformë nga mjekët dhe infermierët. Deri në fund të vitit punonjësit e QSUT-së do të vazhdojnë të mbajnë uniformën aktuale, pasi pritet që vitin tjetër të vihet në jetë ndryshimi i premtuar.

Nga ana tjetër një shembull shumë i mirë dhe që mund të ndiqet edhe nga vendi ynë është vendimi që ka marrë Skocia. Ky është i pari vend që ka vendosur t’u thotë lamtumirë përparëses së bardhë. Mjekët e spitaleve publike në këtë vend nuk do të mbajnë më përparësen e bardhë, por përparëse me ngjyrë blu.

Kështu, ngjyra blu në uniformë do të jetë vetëm për mjekët ndërsa për pjesën tjetër të stafit do të jetë si mollë e ndaluar. Sipas personave që kanë marrë këtë vendim, uniforma e re do t’i bëjë mjekët më lehtësisht të njohshëm sesa pjesa tjetër e punëtorëve, duke shmangur konfuzione të panevojshme tek qytetarët.

Studimi

Sipas një studimi të fundit të zhvilluar në Skoci, ka rezultuar se përparësja e bardhë e përdorur në të gjithë botën në mjekësi nuk është edhe aq higjienike. Sekretari i shëndetësisë skoceze, Nicola Sturgeon, ka shpjeguar se uniformat e bardha duhen ndryshuar për të adaptuar një tjetër ngjyrë. Në këtë vend është propozuar që mjekët t’i thonë lamtumirë bluzave të bardha dhe të veshin me ngjyrë blu. Sipas Sturgeon adaptimi i kësaj uniforme vjen në kuadër të normave të reja që duhen vendosur në shëndetësi. Kështu përparësja në ngjyrë blu jep edhe më shumë paraqitje për mjekët dhe është më higjienike.

Gjithashtu, mjekët në spitalet e Skocisë do të jenë më lehtësisht të identifikueshëm nga pjesa tjetër e stafit. Adaptimi i ngjyrës blu në uniformat e mjekëve vjen edhe për të rritur shkallën e pastërtisë dhe ulur mundësinë e infeksioneve. Prej pak kohësh të gjitha spitalet publike në këtë vend do të pajisen me uniformën e re, e cila ka një material mbrojtës ndaj infeksioneve spitalore, baktereve dhe mikrobeve. Gjithashtu, ngjyra dhe materiali janë më të rehatshme për mjekët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›