E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët shpërngulen, serbëve ua qajnë hallin!



Po lejuam pastrimin etnik të Luginës strategjike të Preshevës, nuk na mbetet gjë, pos ta vajtojmë pastaj sikurse e vajtojmë krahinën e Toplicës, me Nishin kryeqytet.

Kur trupat e NATO-së hynë në Kosovë më 1999, një miku im nga Tërnovci i Preshevës, megjithëse i entuziazmuar që u dëbua pushtuesi, me pati thënë: “Me ne çka do të bëhet? Ku do të mbetemi?” Në entuziazmin e përgjithshëm ishte hera e parë që nuk pata përgjigje dhe heshta, sepse sinqerisht me erdhi keq për mikun tim dhe për gjithë të tjerët. Ai e donte Kosovën, e konsideronte atdhe te vetin, ishte përpjekur me mundësitë e veta që të jepte kontribute për çlirim dhe kishte shpresuar se rrethi i tij me gjithë Luginën e Preshevës (emërtim gjeografik) do të mbetej në Kosovë. Ai sikurse të gjithë bashkëvendësit e tij të Kosovës lindore priste që edhe fati i tyre të zgjidhej një herë e përgjithmonë si duhet dhe të mos i përtypte makineria serbe e dhunës. Mirëpo, nuk u bë ashtu sikurse shpresuan ata dhe sikurse do të duhej të ishte. Komunat e Preshevës, Medvegjës dhe të Bujanovcit mbetën nën Serbinë dhe fatkeqësisht këtë gjë nuk e problematizoi asnjë nga subjektet politike të shqiptarëve në Kosovës, edhe më pak e bënë problematike në Shqipëri. Sekush e shihte hallin e vet, ndërsa do të duhej të ishte hall dhe problem për institucionet e Kosovës dhe për partitë politike si Presheva, Medvegja, Bujanovci, si Mitrovica apo Prizreni etj., sepse edhe ato janë qytete shqiptare që i përkasin arealit gjeografik të Kosovës, prandaj do të duhej t’i takonin edhe arealit shtetëror. Mirëpo, sa të ngarkuar me veten dhe me fshatrat e veta subjektet tona politike e shtetërore jo vetëm që e harruan tërësisht këtë problem, çështjen më të dhimbshme shqiptare në gadishullin ilirik, por bënë presion të jashtëzakonshëm në subjektet e atjeshme politike që të dalin në zgjedhjet e Serbisë. Me fjalë të tjera, u bënë presione nga më të ndryshmet që të pranojnë zgjedhën e Beogradit. Dhe ato subjekte politike, pjesa më e madhe e të cilave ishin që të hyjnë në kuadër të shtetit të Kosovës, e pranuan sugjerimin dhe presionin e madh të Kosovës, për të hequr dorë nga shteti i tyre dhe të pranojnë shtetin serb, i cili ishte dhe është vazhdimisht tejet armiqësor ndaj tyre. Fundja ne këtë armiqësi e kemi sprovuar gati njëqind vjet mbi kurriz, e kanë provuar edhe ata. Kosova u shpall e pavarur, u shkëput njëherë e përgjithmonë nga Serbia, mirëpo një entitet i madh etnik shqiptar po mbetet në Serbi dhe për këtë nuk shoh ndonjë shqetësim të madh të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, nuk shoh brengë në institucionet e Shqipërisë, edhe më pak janë të shqetësuara institucionet ndërkombëtare e shtetet e fuqishme. Një shurdhëri politike, një indiferencë e pafalshme dhe një neglizhencë që po na hakmerret tash dhe do të na hakmerret edhe në të ardhmen. Shqiptarët e Kosovës lindore janë nën një dhunë sistematike, janë duke iu nënshtruar spastrimit të qetë etnik, sepse asnjë institucion ndërkombëtar nuk po e problematizon këtë gjë, kështu që mijëra refugjatë preshevarë e të qyteteve e të fshatrave të tjera, pas vitit 1999 janë shpërngulur dhe janë vendosur në Gjilan, në Prishtinë, Fushë-Kosovë etj. Madje tashmë janë bërë lagje të tëra të tyre që kanë shitur çdo gjë në fshatrat e veta dhe janë shpërngulur përgjithmonë nga vendlindja.

Shpërngulja po bëhet masive dhe duhet të alarmohemi, ashtu sikurse do të duhej të alarmohen edhe organizatat humanitare e qendrat e vendosjes. Shqiptarët po shpërngulen, ndërsa serbëve disa po ua qajnë hallin. Edhe ne sikur nuk po dimë ta bëjmë problem këtë kaptinë të dhimbshme të shqiptarëve. Shumë herë heshtim nga hutimi, nga harresa apo nga presioni? Kryesore derisa serbët vajtojnë gjërat që nuk janë për t’u vajtuar dhe i kanë ngritur në piedestalin e qarqeve më të larta ndërkombëtare, deri në OKB, ne të ngatërruar nga mosgjendshmëria, i heshtim klithmat dhe vuajtjet e bashkëkombësve tanë. Dhe nuk është fjala për disa lagje a disa fshatra sikurse puna e serbëve kolonë në Kosovë, por për një krahinë të tërë me qindra kilometra katrorë me mijëra banorë, që ishin vendës e jo ardhacakë.

Shqiptarët e Kosovës lindore bënë një luftë të vogël, të ashpër, ku u përzien faktorë të ndryshëm, por fatkeqësisht, e lanë në gjysmë atë luftë, sepse faktorët ndërkombëtarë garantuan se do t’u jepen të drejta. Nga presioni i ndryshëm, po ashtu hoqën dorë nga bashkëngjitja Kosovës. Dhe kur u ndërpre lufta, nuk fituan asgjë ose aq pak, saqë nga pasojat e kësaj “fitoreje” tash janë duke e braktisur vendlindjen.

Ta bëj çështje Kosovën lindore, ashtu sikurse është, më nxiti prapë kur e lexova në një faqe interneti shkrimin problematizues të një lideri politik të shqiptarëve të Kosovës lindore, i cili e paraqet gjendjen reale në të cilën janë bashkëkombësit e tij dhe njëkohësisht po me tone kritike e akuzuese thotë se një pjesë të fajit për këtë gjë e kanë edhe liderët politikë e shtetërorë të Kosovës e të Shqipërisë, të cilët i detyruan të dalin në zgjedhjet e Serbisë, bënë presione nga më të ndryshmet që të bëhen qytetar luajalë të një shteti i cili vazhdimisht ushtron dhunë mbi ta, ndërsa hapësirën e tyre gjeografike e jetësore e kanë bërë poligon ushtarak për të ushtruar terrorin dhe për të përgatitur forca për mundësi të reja luftimi. Me fjalë të tjera, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe të Bujanovcit janë bërë shënjestër e militarëve serbë, që nuk mund të jetojnë ndryshe, pos me ushtrim të dhunës ndaj shqiptarëve në mënyrë që të pastrojnë fshatrat dhe qytetet e ta bëjnë territor të tyre, ashtu sikurse kanë bërë territore të tëra duke filluar nga Vraja e Nishi, sepse kur të dëbojnë me forma të ndryshme banorët është vështirë ta kërkosh atë territor, edhe më vështirë ta konsiderosh territor tëndin. Po lejuam pastrimin etnik të Luginës strategjike të Preshevës, nuk na mbetet gjë, pos ta vajtojmë pastaj sikurse e vajtojmë krahinën e Toplicës, me Nishin kryeqytet. Nishi e Vraja para më shumë se njëqind vjetësh ishin qytete shqiptare, ndërsa sot nuk e kanë asnjë shqiptar apo banor që ka guxim të deklarohet shqiptar. Këtë tragjedi e pësuan edhe shqiptarët e Toplicës, prandaj nuk duhet ta pranojmë ose të heshtim para shpërnguljes së heshtur që është tragjedi e pazhurmë e shqiptarëve të Preshevës, të Medvegjës e të Bujanovcit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›