Mesazhi i “Federalistit” dhe hapja e dosjeve
Historianët, juristët dhe shkencëtaret politologë bashkëkohorë përgjithësisht janë të mendimit se “Federalisti” është vepra më e rëndësishme e filozofisë politike dhe e qeverisjes pragmatike që mund të jetë shkruar ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. Ajo është krahasuar me “Republikën” e Platonit, “Politikën” e Aristotelit etj. Me të janë konsultuar udhëheqësit e shumë kombeve të reja në Amerikën Latine, Azi e Afrikë, në kohën që kanë qenë duke përgatitur kushtetutat e tyre. Ndokush mund të mendojë se një vepër kaq shumë e lëvduar dhe kaq ndikimplotë, si “Artikujt e Federalistit” do të kenë qenë fryt i një përvoje të gjatë jetësore në hulumtimet shkencore dhe të qeverisjes. Në të vërtetë, në pjesën më të madhe ajo është krijim i dy burrave të rinj: Aleksandër Hamiltonit të Nju Jorkut, 32 vjeç dhe Xhejms Medisonit të Virxhinias, 36 vjeç... Në “Artikujt e Federalistit”, që janë cilësuar çështje të përjetshme të politikës, ka vëzhgime lapidare mbi qeverisjen, shoqërinë, lirinë, tiraninë dhe natyrën e njeriut të politikës, ato janë të domosdoshme për cilindo që interesohet seriozisht për çështje të teorisë dhe praktikës politike. “Përgjigje më elokuente, më të argumentuara nuk janë dhënë kurrë nga penë e ndonjë amerikani”, - shkruan historiani politolog Rositor në shekullin XX. Mesazhi i “Federalistit” është ky: Nuk ka lumturi pa liri, nuk ka liri pa vetëqeverisje, nuk ka vetëqeverisje pa kushtetutshmëri,nuk ka kushtetutshmëri pa moral... Sikurse thuhet më sipër me këta artikuj të famshëm janë konsultuar hartuesit e kushtetutave të shumë vendeve. Nuk di sa janë konsultuar hartuesit e Kushtetutës sonë të vitit 1998, por një gjë është e qartë, se në disa kapituj ka pak vend për moral. Në ligjin e ri, ta quajmë si i thotë populli, i hapjes së dosjeve, nuk lejohet të mbajnë poste shtetërore kudo, por sidomos në drejtësi, persona të cilët kanë marrë pjesë ose kanë gjykuar çështje që i kanë privuar të tjerët nga të drejtat themelore të njeriut ose më tepër kanë marrë pjesë në torturimin e tyre siç deklaronte z. Peshkëpia ditët e fundit haptas në disa media të shkruara. Dje po rrija me mikun tim, të dënuarin e ndërgjegjes, piktorin dhe shkrimtarin Sadri Ahmeti. Ai më tregoi një rast rrëqethës nga burgu i Spaçit: “Në burg kam njohur të dënuarit Kokomani, Lezha dhe Koprencka. Ata ishin miqtë e mi më të mirë. Shkëmbenim mendime për letërsinë e për çdo gjë. Kur dola nga burgu në vitin 1973, Kokomani m’u lut që të përgatis në ndonjë klinike dentare një palë dhëmbë, sepse të tijtë ia kishin thyer nga torturat. Për madhësinë tha: “Zëre si për vete”. Dhëmbët i bëra, bile m’i bënë shokët e tij pa shpërblim. Kur u bëra gati t’ia dërgoja, mora vesh se ai dhe dy shokët e tij ishin pushkatuar... “Dhëmbët e porositura nga Fadil Kokomani i kam edhe sot në shtëpi”, - thotë Sadria. Tani ai ose ata që kanë thyer dhëmbët e të ndjerit Kokomani, që kanë torturuar dhe urdhëruar deri për pushkatim - dihet që prokurori duhet të ishte i pranishëm - mijëra persona të tjerë a mund të gjykojnë më. Ata mbahen në kushtetutshmërinë, por Hamiltoni thotë se nuk ka kushtetutshmëri pa moral. Morali i vërtetë i tyre është dorëheqja. Vetëm ajo mund t’i ndajë nga e kaluara e tyre. Vetëm ajo mund t’i pastrojë sadopak shpirtrat e tyre të trazuar. Ajo që më bën përshtypje sot, janë disa deklarata të ndërkombëtarëve për kushtetutshmëri etj. Ata duhet të lexojnë Hamiltonin që gjen zbatim në SHBA, vendin më demokratik në botë, vendin për të cilin u sakrifikuan dhe e nderuan edhe Kokomani me shokë. Në qoftë se e kanë lexuar dhe harruar, le ta lexojnë përsëri. Libri “Vështrim mbi sistemin amerikan të qeverisjes”,nga ku kam marrë disa fragmente, është aty.