Një hap i domosdoshëm
Sot është një ditë e veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Më në fund, Parlamenti shqiptar miratoi ligjin që, në mos spastron, kufizon pushtetin e tentakulave të diktaturës komuniste në politikë dhe pushtete të tjera. Për nga rëndësia, ky ligj mund të radhitet pa frikë pas lëvizjes antikomuniste të dhjetorit 1990 dhe fitores së parë të opozitës demokratike në mars të vitit 1992. Pa këtë ligj, liria dhe demokracia e shqiptarëve ishin pa dyshim të gjymtuara dhe jofunksionale, gjë që mund të vërehet lehtë nga kushdo. Prania në pushtet e autorëve të krimeve komuniste e kishte bërë të zbehtë, jofunksionale e në momente të veçanta edhe të pavlefshme lirinë dhe demokracinë tonë. Prania në politikë dhe në pushtetet e tjera e të inkriminuarve të diktaturës përbën sfidën më të madhe post-diktatoriale të forcave demokratike dhe krejt shoqërisë shqiptare. Duke shprehur keqardhje për vonesën, karakteristikë kjo për Shqipërinë, na duhet të vlerësojmë këtë moment të rëndësishëm të historisë dhe të ardhmen tonë si një hapat më të sigurt, më të domosdoshëm drejt konsolidimit të lirisë dhe demokracisë. Mungesa e këtij ligji për një periudhë rreth 18-vjeçare ka qenë arsye nga më kryesoret të tranzicionit tonë të gjatë e të dhimbshëm. Me të dhe me ata që ai ka në objektiv lidhen ditët më të zeza të demokracisë shqiptare që natyrisht kulmojnë me rebelimin komunist të 1997-ës. Dua të kujtoj se fillimi i shkëlqyer i integrimit që Shqipëria nisi në vitin 1992, prosperiteti politik, shoqëror e ekonomik është penguar më së shumti pikërisht nga pamundësia për të pastruar nga krimi politikën dhe institucionet e shtetit ligjor që po përpiqemi me mundim të ndërtojmë. Ligji nëse arrin të zbatohet, pritet të këtë efekte të menjëhershme në realizimin e standardeve të demokracisë dhe shtetit ligjor, çështje të cilat politika dhe shoqëria jonë nuk mund t’i anashkalonte dot më. Ndëshkimi i krimit komunist, pavarësisht butësisë së theksuar të ligjit, përbën sidomos për Shqipërinë një çështje përtej ligjit dhe të drejtës. Ky moment përbën ndarjen de jure të shtetit tonë me të kaluarën komuniste, pjesën më të zezë të historisës shekullore. Largimi i të inkriminuarve nga politika dhe pushtetet e tjera përbën fillimin e një epoke që lidhet me integrimin apo më mirë të themi rikthimin tonë në familjen euroatlantike. Ky ligj do të rrisë dukshëm besimin te institucionet shtetërore, njëherazi edhe mundësitë e reformimit deri tani të pamundur të tyre, gjë që do të thotë më shumë vendime të drejta e demokratike shumë më pak abuzim me pushtetin, shumë më pak korrupsion dhe veprime të tjera të paligjshme në politikë dhe administratë. Nuk mund të pretendosh të presësh drejtësi e zbatim të ligjit nga njerëz që mbajnë mbi supe përgjegjësinë për krime deri në gjenocid. Prania e këtyre njerëzve në institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar detyronte një klimë terrori e pasigurie jo vetëm për shkak të historisë dhe lidhjeve kriminale që ata sjellin me vete, por edhe për edukimin, bindjen dhe praktikat që detyrimisht dominonin vendimmarrjet e institucioneve që ata dominonin dhe dominojnë. Kjo situatë përbën edhe barrierën kryesore që ka çuar në dështimin e përpjekjeve për reforma në institucione me rëndësi jetike për funksionimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. Ligji ka rëndësi të veçantë edhe për procesin e jashtëm të integrimit euroatlantik të vendit. Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, por edhe për parterët tanë euroatlantikë që iterlokutorët e procesit të integrimit të jenë njerëz me integritet të garantuar moral politik e profesional. Nuk mund të shpresohet integrimi në NATO nëse kjo punë u besohet ithtarëve të “Traktatit të Varshavës” apo “Bashkimit Sovjetik”. Nuk mund të pretendojmë të bëhemi anëtarë të organizatave të sigurisë euroatlantike me zyrtarë apo spiunë të Sigurimit të Shtetit. Nuk e di se sa mund të besojnë partnerët atlantikë tek kjo kategori e zyrtarëve shqiptarë kur dihen lidhjet e strukturave sekrete të diktaturës shqiptare me struktura e vende që sot konsiderohen si pjesë e terrorizmit dhe krimit ndërkombëtar, ish-KGB-ja, Irani, OCP-ja, Libia, PKK-ja etj. Besoj se në ketë pikë, ky ligj kufizon gjerësisht mundësinë e përfshirjes në strukturat shqiptare të integrimit dhe sigurimit euroatlantik të personave me lidhje e prirje të dyshimta edhe në aspektin ndërkombëtar. Besoj se ky proces lustracioni do të këtë efekte të dukshme edhe ne këtë pjesë të sfidës sonë euroatlantike. Këto që përmenda janë vetëm pak nga ato që vendi, shteti dhe shoqëria pritet të përfitojnë nga ky ligj. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë për të arritur tek një efekt pragmatik aq i nevojshëm që shqiptarët e thjeshtë të kuptojnë e ndiejnë në mënyrë masive rëndësinë e këtij ligji. Gjithsesi, është shumë më mirë se situata që kishim. Fakti që opozita ish-komuniste nuk e votoi, ka gjithashtu një efekt pozitiv. Elektorati ka mundësinë ta konstatojë pa pasuar nevojë për sqarime lidhjen e saj me krimin komunist, por edhe ndërkombëtarët kanë gjithashtu mundësinë të shohin përtej maskës hipokrite të lidershipit të së majtës shqiptare.