Dossier/ Në vëmendje të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama

Edi Rama për 2 muaj i shiti dhe i legalizoi klientit të vet 1310 m2 tokë publike të Parkut “Rinia”
Votimi i 17 shkurtit 2005 nga ana e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shitjen e 1310 m2, tokë në qendër të Tiranës për pronarin e “Taiwan”-it Besnik Sulaj, ndërsa përngjante me një përpjekje për të copëtuar përgjegjësinë, deri në nivelin e askujt, u pasua shpjet e shpejt, brenda 2 muajve, me legalizimin e këtij abuzimi, duke hartuar një kontratë shit-blerje dhe më pas duke tentuar edhe legalizimin e objektit me gjithë shtesën e tij pa leje, por edhe të truallit të grabitur nga Besnik Sulaj dhe të falur nga Edi Rama.
Por ndërsa, nxitimi për “të bërë letrat gati”, i shërbente nxitimit për të mbyllur skandalin, ajo ç’ka ngelej mbrapa, në formë gjurmësh, më tepër denoncojnë skandalin.
Shitja e 1310 m2 tokë, mashtrimi me citimin e bazës ligjore
Në datën 10 mars 2005, Bashkia e Tiranës, nënshkruan kontratën e shitjes me Bensik Sulaj, pronarin e “Taiwan”-it për 1310 m2, te Parku Rinia, në qendër të kryeqytetit.
Që në krye të kësaj kontrate, Bashkia e Tiranës e vetëshpall veten “palë shitëse”, kur në dosjen e abuzimit me këtë truall, askund nuk figuron asnjë dokument që të provojë pronësinë e kësaj bashkie, qoftë edhe mbi 1 m2 të vetëm sipërfaqen e Parkut “Rinia”.
Në nenin 3 të kësaj kontrate shitje, Bashkia e Tiranës, duke ripërsëritur se është pronare e truallit prej 1310 m2, “këmbëngul” se kjo pronësi “vërtetohet me shkresën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, Nr 3918/1 Prot. datë 06. 12. 2004”.
Në fakt, kjo shkresë e firmosur nga ish-Kryeregjistruesi Gazmend Zeneli, nuk është asgjë më shumë se një shkresë që tregon se trualli për të cilin bëhet fjalë është “pronë shtete” që nuk do të thotë që është pronë e Bashkisë së Tiranës, apo që kjo bashki, ka të drejtë të shesë çdo “pronë shtet”.
Përpos kësaj, shkresa me një fjali të vetme të nënshkruar nga Gazmend Zeneli, ku thuhet se, “Në përgjigje të kërkesës tuaj, Nr. 11342 Prot., datë 06. 10. 2004, ju informojmë se: Sipas librit të ngastrave, prona me nr. pasurie 7/189, kufizohet nga të gjitha anët me pasurinë me Nr. 7/187, figuron shtet”, nuk shoqërohet me asnjë dokument tjetër të tipit vërtetim hipotekor, apo edhe hartë, që të provojë “pronësinë” e kësaj sipërfaqe trualli nga ana e Bashkisë së Tiranës.
Çmimi i shitjes së kësaj sipërfaqe trualli, në qendër të Tiranës, në vitin 2005, është më shumë se qesharak, kur një metër katror sipas kontratës ju shit Besnik Sulajt nga Edi Rama, për vetëm 12 mijë lekë (të reja).
Legalizimi, akti i fundit i abuzimit me shitjen e 1310 m2 tokë
Fillimi i vitit 2005, ndoshta nga hamendësimet e Edi Ramës, se disa muaj më vonë, konfiguracionet politike do të ndërronin vendet në qeverisjen qendrore, shoqërohet me një intensitet veprimesh, nga Bashkia e Tiranës, për të mbyllur sa më shpejt “hesapet” me Besnik Sulajn, për shitjen e truallit në qendër të Tiranës. Në funksion të kësaj, ishte edhe nxitimi për legalizimin e shtesës pa leje, si edhe e truallit nën, por edhe përgjatë kësaj shtese, që sigurisht kishte pësuar “zgjerim”.
Ndërsa në 17 shkurt 2005, Edi Rama, me mbështetjen e këshillit Bashkiak, i shiti 1310 m2 tokë Besnik Sulajt, shpejt e shpejt, në disa ditë më vonë, në 10 mars 2005, nënshkroi edhe kontratën e kësaj shtije.
Jo më larg se dy javë pas nënshkrimit të kontratës së shitjes, Edi Rama, duke u investuar personalisht, i mundësoi legalizimin e gjithë sipërfaqes ë truallit në qendër të Tiranës, prej 3125 m2, Besnik Sulajt.
Me nënshkrimin e legalizimit të shtesës dhe truallit, tashmë pronë e Besnik Sulajt, Edi Rama nënshkroi abuzimin e tij të radhës me këtë sipërfaqe publike, kur ndërsa në 21 korrik 2001 si kryetar i të KRRT-së së Bashkisë së Tiranës, kishte nënshkruar miratimin e lejes ndërtimit për llogari të Besnik Sulajt, në një sipërfaqe sheshi 1815 m2, jo më larg se 4 vjet më pas, saktësisht në 24 mars 2005, nënshkruan legalizimin e përafërsisht dyfishit të sipërfaqes për të cilin kishte firmosur dikur një leje ndërtimi.
(Vijon)
Nesër do të lexoni
Raporti i KLSH, shkeljet e Edi Ramës që evidenton
Denoncimi i familjes Mezini për grabitjen e truallin në Parkun “Rinia”
Dokumente denoncuese të publikuara nga familja Mezini
Shkeljet dhe abuzimet ligjore të Edi Ramës me shitjen e 1310 m2 tokë te Parku “Rinia”
* Në referim të bazës ligjore të kontratës së shitjes të datës 10 mars 2005, ku mbështet shitja e pronës “shtet”, vërehet se pika 11, e Ligjit Nr. 9209, datë 23. 03.2 004 “Për legalizimin e shtesave në ndërtime”, është shfuqizuar me hyrjen në fuqi e nenit 28, të Ligjit Nr. 9235, datë 29. 07. 2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, ku citohet se, “Për tokat që janë në pronësi të shtetit organet kompetente të administratës publike ndalohet të lidhen kontrata posedimi a pronësie me të tretë deri në përfundim të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave” , çka do të thotë se Bashkia e Tiranës nuk ka pasur dhe nuk ka të drejtë të shesë pronën publike, për deri sa nuk ka përfunduar procesi i kthimit dhe i kompensimit të pronave për ish-pronarët.
* Kontrata e shitjes e datës 10 mars 2005, është e pavlefshme, për faktin se, në nenin 3 të saj, në “Përshkrimin e pronës” citohet se, “Pala shitëse është pronare e një trualli me sipërfaqe 1310 m2”, dhe nuk përshkruhet se në çfarë numri hipoteke është regjistruar prona e shitësit “Bashkia e Tiranës”.
* Në nenin 4 të kontratës “Gjendja e pronës” citohet se, “Prona është e lirë nga çdo barrë dhe hipotekë dhe është e regjistruar ekskluzivisht në emër të shitësit”, sipas shkresës së zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, nr. 3918/1, datë 06. 12. 2004. Po t’i referohesh kësaj shkrese të ZVRPP, Tiranë thuhet se, “Pasuria me nr. 7/187, me sipërfaqe 1310 m2 figuron shtet”, çfarë dot thotë se kjo pasuri me sipërfaqe 1310 m2 nuk është e regjistruar më parë në regjistrat e hipotekës në emër të shitësit (Bashkia e Tiranës), në zbatim të nenit 37 e 38, të ligjit nr. 7843, datë 13. 07. 1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
* Ndërsa në nenin 8.2 të kontratës në pjesën “të ndryshme” citohet se, “Me nënshkrimin e kontratës, pala shitëse, në rastin konkret Bashkia e Tiranës, zhvishet plotësisht nga pronësia mbi truallin e treguar në nenin 1, trualli me sipërfaqe 1310 m2 e regjistruar në ZVRPP, Tiranë zona kadastrave nr 8310, pasuria 7/187, me adresë rruga “Dëshmorët e 4 shkurtit”.
Ky nen (8.2) i kontratës është në kundërshtim me nenin 1 i po kësaj kontrate, për faktin se Bashkia e Tiranës nuk ka qenë pronare e kësaj pasurie, aq më tepër kur kjo pronë figuron e regjistruar në librat e kadastrës “shtet”.
* Në bazë të nenit 6, të Ligjit nr. 8743, datë 22. 02. 2001 “Për pronat e paluajtshme të Shtetit”, Bashka e Tiranës nuk ka të drejtë të shesë një pronë publike, që nuk e ka regjistruar në regjistrat e ZVRPP, (në përputhje me Ligjin nr. 7843, datë 13. 07. 1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”). Çdo veprim në regjistër, që ka si efekt ndryshimin e gjendjes juridike të një pasurie të paluajtshme , bëhet kur akti ose vendimi gjyqësor që e konstaton atë, është regjistruar më parë në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
* Regjistrimi i fitimit apo i kalimit të së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme, të njohura ose të fituara me anë të ligjit, vendimit gjyqësor, apo aktit administrativ bëhet nga ZRPP, në zbatim të nenit 38, të Ligjit nr. 7843, datë 13. 07. 1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, pas verifikimit të plotë të elementëve të formës dhe përmbajtjes së aktit përkatës, që njeh ose përmban fitimin e së drejtës së pronësisë , për efekt të plotësimit të kushte vetë regjistrimit, të përcaktuara në nenin 193 të Kodit Civil.
* Abuzimi i Bashkisë së Tiranës denoncohet më së miri nga VKM nr. 834 datë 13. 12. 2006, ku qeveria i ka kaluar Parkun “Rinia”, Bashkisë së Tiranës, si Pjesë e Inventarit të Pronave të Paluajtshme Shtetërore. Ndërkohë që akti i shitjes së pasurisë në fjalë është përpiluar në datë 10.03.2005.
Kryeministri Sali Berisha kërkon amendimin e ligjit për lojërat e fatit dhe kazinotë
Ankohen familjarët për shpenzimin e të hollave - gati sanksionet edhe për pronarët dhe menaxherët
Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar nga Ministri i Financave Ridvan Bode, përgatitjen e amendimeve për ligjin e lojërave të fatit dhe kazinove. Jo vetëm kaq, por Kryeministri Berisha ka kërkuar marrjen e masave të rrepta ndaj pronarëve dhe menaxherëve të lojërave të fatit dhe kazinove, që lejojnë frekuentimin e këtyre ambienteve e lojërave të personave, ndaj të cilëve janë paraqitur ankesa nga familjarët e tyre, për shpenzimet e shumave të konsderueshme në të holla.
“Kryeministri Berisha ka marrë një numër të madh shqetësimesh nga familjarë, bashkëshortë të personave, të cilët shpenzojnë të gjitha rrogat dhe të ardhurat e tyre në lojërat e fatit dhe në kazino, duke krijuar kështu drama të vërteta familjare”, ka bërë dje të ditur nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Këshilli i Ministrave.
Duke marrë shkas, nga ky shqetësim qytetar, Kryeministri Berisha, ka bërë të ditur më tej iniciativën e tij.
“Kryeministri Berisha thekson se në përputhje me standardet e vendeve te tjera, ligji shqiptar parashikon që personi ndaj të cilit paraqesin ankesa familjarët për këtë problem nuk duhet të lejohet që të luajë më në lojërat e fatit dhe në kazino. Por nga ana tjetër ligji nuk është i qartë në sanksionet që duhet të merren ndaj biznesmenëve dhe menaxherëve të kësaj kategorie të biznesit, të cilët vazhdojnë të lejojnë që personat ndaj të cilëve janë paraqitur ankesa të luajnë dhe të shpenzojnë paratë e tyre”, vijon njoftimi zyrtar i Këshillit të Ministrave.
Më tej, i njëjti njoftim, bënë të ditur edhe kërkesën e Kryeministri Berisha për Ministrin Bode, për sa i përket gjetjes së mundësive dhe hapësirave për mendimin e ligjit të lojërave të fatit dhe kazinove.
“Kryeministri Berisha i kërkoi Ministrit të Financave, Ridvan Bode që të amendohet ligji me shpejtësi dhe duke përcaktuar masat më të rrepta ndaj shkelësve të ligjit, pra ndaj pronarëve dhe menaxherëve të lojërave të fatit dhe kazinove që lejojnë në kundërshtim me ligjin, që personat e paditur në polici apo në institucionet e tjera përkatëse të vazhdojnë të luajnë duke thelluar kështu konfliktin e tyre familjar”, përfundon njoftimi zyrtar i këshillit të Ministrave.