Dosti: Më mungon vetëm goli te Teuta
I riu Albi Dosti është paraqitur mirë në ndeshjet e fundit, duke marrë vlerësimet e trajnerit dhe të specialistëve
Kam punuar shumë derisa fitova rolin e titullarit dhe deri tani mendoj se kam lënë gjurmët e mia në ndeshjet ku jam aktivizuar, por në të ardhmen do të kërkoj golin. Kështu shprehet mesfushori me tipare sulmuese i Teutës, Albi Dosti, i cili ka qenë më i miri në fushën e lojës në ndeshjen kundër Skënderbeut, duke marrë edhe komplimentet e trajnerit Lika. Sipas Dostit, nuk mjafton më vetëm loja e mirë, por duhet patjetër goli. Më vjen keq që nuk fituam kundër Skënderbeut, pasi zhvilluam një lojë mjaft të mirë. Krijuam raste, por nuk arritëm të finalizojmë.
Po luaj mirë, por nuk mjafton, pasi unë kërkoj golin, sidomos në këto momente kur kemi probleme në finalizimin e aksioneve, ndaj në ndeshjet e ardhshme do të kërkoj golin, të cilit po i afrohem shumë në çdo ndeshje, thekson i riu Dosti. Trajneri Hasan Lika e nënvizon lojën e Dostit si zhvillim pozitiv në radhët e Teutës, duke e vendosur Dostin në pozicionin e vlerave që i takon. Është një futbollist i nevojshëm për Teutën dhe po shfaq dukshëm aftësitë dhe talentin e tij, ashtu sikundër punon edhe në stërvitje. Edhe në ndeshjen e fundit Dosti plotësoi më së miri misionin që i caktuam, pohon Lika.
Objektivat Në lidhje me komentet se Teuta është pragmatiste dhe fiton ngushtë, por ende nuk bind për pretendente, Dosti shprehet: Ne nuk e kemi filluar kampionatin duke thënë që jemi pretendentë për titull. Ne kemi hyrë me objektiv për të qenë ndër më të mirët dhe ndër më të mirët po e tregojmë që jemi. Natyrisht, edhe pse objektivin e kemi për zonën europiane, kjo nuk do të thotë që të mos synojmë titullin, pavarësisht nëse shumë njerëz nuk besojnë te kjo gjë.
Rëndësi ka që të besojmë ne dhe përderisa ne kemi besim se mund të fitojmë ndaj cilitdo ekipi, mund të synojmë edhe më lart. Gjithsesi, tani është akoma fillimi dhe, pavarësisht se çfarë komentesh bëhen poshtë e lart, ne i ruhemi euforisë dhe ecim me këmbë në tokë. I marrim ndeshjet një nga një, sepse të gjithë janë kundërshtarë të vështirë, madje tani e tutje do të jenë akoma më shumë, kështu që mjafton të vazhdojmë në këtë mënyrë, duke fituar dhe pak rëndësi ka se fitojmë minimalisht apo me diferencë golash. Ne na duhen pikët dhe pikët i marrim me meritë, duke treguar që jemi një skuadër kompakte dhe me forcë grupi.
