E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja fiton besimin e munguar, futet në shinat e superligës

Nga Julian Kasapi

Lushnjarët kanë gjetur njeriun-gol, Cankën, ndërsa spostimi i Byzhytit në mbrojtje i ka dhënë më shumë siguri prapavijës

Pas fitores me Elbasanin të shtunën që shkoi, lushnjarët kanë nisur dje punën për ndeshjen e radhës, që do ta luajnë përsëri në fushën e tyre. Kundërshtari i kësaj fundjave do të jetë Butrinti, për të cilin verdhejeshilët po përgatiten shumë seriozisht. Edhe trajneri Saimir Malko është shprehur pas fitores me Elbasanin se nuk ka shumë kohë për festë, pasi skuadra ka shumë punë për të bërë.

Skuadër bindëse Lushnjarët janë kthyer më në fund te fitorja, por i rëndësishëm është fakti se kanë bindur ndaj një kundërshtari të denjë, siç është Elbasani. Ata kanë shkëlqyer në pjesën e dytë lushnjarët me lojën dhe golat e shënuar, pasi pjesa e parë ishte për tu harruar. Gjithashtu, verdhejeshilët kanë gjetur njeriun-gol, Mikel Cankën, i cili ka shënuar tri herë për skuadrën e tij. Nga ana tjetër, për shkak mungesash në mbrojtje, spostimi i Byzhytit në repartin difensiv i dha atij më shumë siguri.

Meritë në fitoren e Lushnjës ka në masë të madhe portieri Bejte. Ndërhyrjet e tij në mjaft raste në pjesën e parë ishin vendimtare, duke e shpëtuar Lushnjën nga gola të sigurt. Portieri lushnjar ka dhënë një shembull mjaft të mirë për të gjithë futbollistët, duke e bërë detyrën ashtu si duhet. Me rikthimin e Bejtes nga dëmtimi, porta lushnjare është e sigurt dhe skuadra është e qetë, kur ka një portier si ai.

Interesimi i tifozëve Në ambientet sportive lushnjare është shtuar interesimi dhe kjo u vu re edhe nga numri i madh i syve kureshtarë në seancën e djeshme stërvitore. Pas një analize të ndeshjes së shkuar, verdhejeshilët, nën drejtimin e Malkos dhe stafit të tij, kanë nisur  javën stërvitore për ndeshjen e radhës dhe tifozët i kanë ndjekur ata plot besim. Lushnjarët kanë një tjetër mundësi të mirë përpara, pasi presin një kundërshtar të panjohur, të cilit kanë shanse të mëdha ti marrin 3 pikët në stadiumin Roza Haxhiu.

4 pikë

kanë shpërdoruar lushnjarët në fushën e tyre, ku kanë barazuar fatalisht me Himarën dhe më pas me Besëlidhjen rivale. Janë pikërisht këto pikë të lëna në shtëpi, që u kanë kushtuar shumë atyre, por tani duket se skuadra ka rilindur

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›