Kuli: Le të na thonë nëse sna duan, të luajmë për qejf
Kapiteni dinamovit është tepër i indinjuar për situatën e krijuar kundër skuadrës që ai luan, por kërkon drejtësi, sepse nuk mund të vazhdohet kështu
Dinamo luajti ndeshjen e javës së 6-të në superligë kundër Laçit në transfertë, por u mund 1-0 në minutën e fundit, jo nga loja e laçianëve, por nga loja e gjyqtarëve. Themi kështu, pasi u duk qartë gjykimi i tij tendencioz në atë takim, që prishi të gjithë atmosferën e krijuar nga publiku dhe nga drejtuesit e Laçit për këtë takim.
Loja e fortë në fushë e dinamovitëve u ndëshkua nga kryesori Labian Mustafaraj, i cili akordoi një 11-metërsh kundër Dinamos, po ashtu nxori nga fusha me karton të kuq kapitenin Kuli, i cili shkoi të protestonte me të drejtë për një 11-metërsh të padhënë për një ndërhyrje në brendësi të zonës të portierit dhe një mbrojtësi laçian kundër 19-vjeçarit Shtini, që po i afrohej portës për të shënuar.
Kapiteni Ishte një takim jo si gjithë të tjerët, pasi ne ndodhemi në zonën negative, pra me -1 pikë, dhe kërkuam që në këtë transfertë të bëjmë më të mirën për të dalë nga situata. Nuk janë vetëm fajet tona, pasi ne në tri takime transferte, po ashtu edhe një në Tiranë, mund të kishim marrë më tepër pikë dhe të ishim shkëputur nga kjo zonë me kohë, por gjykimet tendencioze për të dëmtuar këtë Dinamo tashmë po shihen nga java në javë. Nuk ka më turp se ai gjykim në Laç.
Para së gjithash dua të falënderoj publikun dhe mikpritjen laçiane, sepse kundër tyre askush nuk ka asgjë për të thënë. Më pas, dua të vazhdoj përsëri me gjykimin, që ishte si e si të na dëmtonte më shumë. Nuk na dhanë 11-metërsh në atë rast kur Shtinit i ndërhynë. Nuk e kuptoj pse na e bënë këtë. Unë më pas shkova të gjyqtari Mustafaraj për të protestuar, sepse të mos protestoja unë, që jam kapiteni, kush do të protestonte?
Ai më ndëshkoi edhe më një të verdhë të dytë dhe unë e lashë ekipin me 10 vetë në fushë. Më pas na ndëshkuan edhe me një penallti, që i dha fitoren Laçit, aty u kuptua që gjykimi ishte plotësisht kundër nesh. Ky është kulmi i arritur kundër Dinamos këtë vit, pasi në 6 javë kampionat, ndëshkohemi 4 herë nga gjykimi. Dua të them pse nuk erdhi Lorenc Jemini të na gjykonte, por na gjykoi një i papjekur dhe që dha ato vendime absurde.
Takimet delikate duan gjyqtarë profesionistë, jo të tillë adoleshentë, që marrin vendime të gabuara si për mirë ashtu edhe për keq, pra nuk ndajnë dot të mirën nga e keqja. Ata duhet të drejtojnë një ndeshje moshash, të mësojnë ti bien bilbilit atje, jo në ndeshje me emra të mëdhenj, ndaj një Dinamoje 18 herë kampione e vendit. Në katër vitet e fundit ka dalë dy herë kampione, apo mos duan të na e bëjnë si Partizanit, të na çojnë në të tretën?!
Pas të gjitha këtyre fjalëve nuk mendoj se ku të drejtohem për të kërkuar të drejtën, sepse të gjithë janë kthyer kundër nesh. Nëse duan të na rrëzojnë nga kategoria, të na e thonë dhe ne të luajmë për qejf dhe jo për të luajtur me nerva gjatë gjithë kohë. Do të jetë më mirë ashtu sesa në këtë mënyrë, që të shpif edhe futbollin, përfundon Bekim Kuli, kapiteni kavajas i dinamovitëve.
Sejdini dhe titullarët mungojnë në stërvitje
Seanca stërvitore te Dinamo ka nisur dje, në orën 16:00, deri në orën 18:00, atëherë kur muzgu i mbrëmjes mbuloi gjithçka dhe lojtarët nuk mund të shikonin njëri-tjetrin në sy. E veçanta qëndron te kreu i pankinës, Faruk Sejdini, i cili nuk ishte i pranishëm. Artan Mërgjyshi, zëvendës trajneri i ekipit gjithashtu edhe përgatitësi i portierëve, Ilir Bozhiqi, kanë drejtuar gjysmën e ekipit në këtë seancë. Fubollistët kanë kryer vrapime dhe në një pjesë të kohës janë marrë me topin. Pjesa tjetër, pra titullarët, kanë munguar, sepse u është dhënë një ditë pushim.
