Elbasani, një ekip i tjetërsuar jashtë fushe
Në 3 transferta verdheblutë kanë marrë vetëm 1 pikë, duke mbetur kështu prapa rivalëve
Elbasani tjetërsohet jashtë fushe, ku, ndryshe nga pretendentët e tjerë, nuk po fiton. Janë dy humbje të thella në fushat e rivalëve të drejtpërdrejtë, si Besëlidhja dhe Lushnja, që në fund të kampionatit do të kenë koston e tyre. Verdheblutë u mundën 3-0 në stadiumin Roza Haxhiu, ku zhvilluan një ndeshje për tu harruar, edhe pse pjesa e parë ishte e mirë për ta. Tashmë Elbasani ka mbetur në vendin e 7-të, me një ndeshje më pak, por që e ka jashtë fushe edhe atë. Kuptohet lehtë se Elbasani transformohet në transferta, ndryshe nga ai ekip kompetitiv që shfaqet në “Ruzhdi Bizhuta”.
Edhe në Lushnjë luajti po ai ekip që fitoi me Adën, por niveli i lojës ishte shumë i dobët. Verdheblutë nuk shfaqën asgjë nga vlerat e tyre dhe duket se ndeshjet jashtë fushe po shndërrohen në tabu për ta, sepse në 3 të tilla ka marrë vetëm një pikë. Duhet pranuar se kundërshtarët e deritanishëm në transfertë kanë qenë shumë të fortë, por kjo gjë nuk i justifikon aspak ato humbje të thella. Elbasani pretendon kthimin në superligë, por me këtë ritëm do ta ketë shumë të vështirë, sepse objektivi kërkon patjetër edhe fitore jashtë fushe.
Nuk mjaftojnë vetëm ndeshjet e fituara në shtëpi, sepse disa nga rivalët e verdhebluve po marrin pikë edhe jashtë fushe, ndaj dhe qëndrojnë para tyre në tabelën e renditjes. Për Elbasanin e deritanishëm mund të thuhet se është një ekip me dy fytyra, i fortë dhe efikas në fushën e tij, por mjaft i brishtë në transfertë. Stafit teknik i duhet të ndërhyjë sa nuk është vonë, ndërsa ndeshja e radhës me Kukësin, që luhet të shtunën në “Ruzhdi Bizhuta”, duhet fituar patjetër. Më pas duhet punuar fort edhe për të prishur “tersin” e transfertave.
