Qirjako: E prisja atë fitore të bukur të Gramozit
Kolonjarët kanë gjunjëzuar në shtëpinë e tyre ekipin e Mamurrasit,duke e mundur pastër, 2-0. Ky trepikësh i ka kënaqur pa masë të gjithë në kampin kolonjar, sepse Gramozi vinte pas disa rezultatesh zhgënjyese dhe duhej patjetër të reagonte. Futbollistët e këtij ekipi, me atë që treguan në fushë, vërtetuan se janë një grup solid, që prodhon futboll tërheqës. Trajneri Ilir Qirjako nuk e fsheh gëzimin për fitoren dhe lojën e të tijve. Për Sportin shqiptar ai thekson:
Tripikëshi me Mamurrasin ka vlera të mëdha për Gramozin, pasi na dha mundësinë të afrohemi me vendet e kreut. Djemtë dhanë maksimumin në fushë dhe, falë grintës së tyre, arritën një fitore të pastër. E kisha shprehur besimin për fitore që para ndeshjes, ngaqë më ka bindur forma e futbollistëve. E vërtetuam se jemi një ekip pretendent, që do të luftojë deri në fund për superligën.
Është e qartë se ky kampionat është tepër i fortë, me shumë ekipe që kërkojnë një vend në superligë, ndaj dhe besoj se gara do të jetë e bukur deri në fund në fund. Gramozi do ta thotë fjalën e tij, duke luajtur një futboll të bukur dhe korrekt, pse jo dhe rezultativ. Uroj të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, pasi rezultatet nuk do të mungojnë. Ndeshja e radhës për kolonjarët është transferta e Vlorës dhe në stadium komod, siç është Flamurtari, ata shpresojnë të shfaqin vlerat më të mira dhe të marrin pikë.
