E Diel, 1 Nëntor 2026

Mersini: Luftëtari i meritoi 3 pikët në Sarandë

Nga  SOKRAT  PAPADHOPULLI

Mesfushori që fitoi 11-metërshin e kthyer në gol nga Nora beson se me Burrelin do të arrihet fitorja e radhës

Në stadiumin Gjirokastra Luftëtari pret nesër Besën, në kuadrin e ndeshjeve në grupe për Kupën e Shqipërisë. Me këtë kundërshtar do të ndeshet 4 herë këtë sezon, dy herë në kupë dhe dy herë në kampionat, ku gjirokastritët janë të përqendruar, sepse kërkojnë kthimin në superiore. Kështu Luftëtari, ndoshta edhe Besa, nuk do të luajnë me formacionin bazë, pasi mendjen e ka te Burreli, që vjen të shtunën për kampionat.

Gjirokastritët luajtën me Butrintin në Sarandë, ku realizuan fitoren e 5-të. Ata kanë pësuar vetëm një humbje, ndërkohë që kanë edhe një ndeshje më pak, atë me Elbasanin, që do ta luajnë më 16 nëntor. Në kombinim me rezultatet e tjera, fitorja e fundit e nxori Luftëtarin në krye, me 1 pikë diferencë nga Besëlidhja. Duke mos i mohuar vlerat e asnjërit prej atyre që luajtën, veçohen Nora, autori i dy golave, dhe Selimaj, që nuk lejoi të shënohej një gol i dytë nga sarandiotët, të cilët e kërcënuan seriozisht portën gjirokastrite.

Mersini Një hero i heshtur i duelit të fundit është Ergys Mersini, që fitoi 11-metërshin dhe rezultati shkoi 2-0. Mersini, i cili ka shënuar dy gola deri tani, po aq sa kanë shënuar edhe Nora dhe Sinani, pasi jep mendimin e tij në lidhje me ndeshjen e fundit, shpreh bindjen se të shtunën do të merret 3-pikëshi i radhës me Burrelin: 11-metërshi i akorduar për rrëzimin tim brenda zonës solli reagim nga pala kundërshtare, por them se ishte i saktë dhe Luftëtari e meritoi fitoren.

E rëndësishme është që jemi në krye të renditjes, edhe pse kemi një ndeshje më pak. Ndeshjen e radhës e kemi në fushën tonë, ku jemi më se të detyruar për të fituar. Burreli në fakt është ekip luftarak, por shpresoj se do ta kapërcejmë me sukses, ashtu si edhe ekipet e tjera, që kanë ardhur në Gjirokastër. Do të isha shumë i kënaqur, nëse do të shënoja në këtë ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›