E Diel, 1 Nëntor 2026

Dr. Hysenbegasi, armiku i fashizmit dhe i komunizmit

I mbylli sytë njëzet vjet më parë, më 4 tetor 1988. I mbylli i qetë, pa i rënduar njeriu, pa u ankuar. I mbylli siç i mbyllin burrat e mëdhenj. Por i mbetën dy brenga pa u plotësuar. E para, që nuk pa ditën e rilindjes së atdheut, ditën e demokracisë, së cilës i ishte përkushtuar dhe që do të vinte pas dy vitesh dhe e dyta, për djalin e vetëm, Enin, që nuk kishte mundur t’i transmetonte profesionin e tij, profesionin e mjekut, për të cilin ai kishte punuar gjithë jetën.

Megjithatë, të dy këto dëshira u plotësuan, ndonëse ai nuk mundi t’i gëzonte. Shqipëria e shpërtheu perden e hekurt që e kishte ngujuar për gati një gjysmë shekulli, ndërsa Eni, me përkujdesjen e jashtëzakonshme të nënës së tij të nderuar, fisnikes Gjyltere Hysenbegasi, sot punon në profesionin e mjekut në Romë, duke ndjekur shembullin e të atit.

Isuf Hysenbegasi lindi në vitin 1913 në fshatin Starovë të Pogradecit. Lindi në ato vite kur Shqipëria e porsalindur luftonte me të gjitha forcat e saj për mbijetesë nga intrigat e kurdisura nga fqinjët djallëzorë. Ishte i biri i Jasharit, një luftëtar i vendosur kundër pabesive greke që, në atë periudhë, ndesheshin në çdo hap që hidhte atdheu.

Por ati i tij ishte gjithashtu një intelektual i shquar që dinte se si duheshin edukuar fëmijët e tij. Kështu i shkolloi të dy djemtë. Isufin pas shkollës së mesme e dërgoi në Romë, në Universitetin Shtetëror, që më vonë do të merrte emrin “La Sapienza”, në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1932, ku u laureua për doktor në mjekësi dhe kirurgji me rezultate të larta. Nga 100 pikë të mundshme mori 97. Një rezultat me të vërtetë i mrekullueshëm.

Në kohën që Isufi ishte me studime në radhët e studentëve universitarë filloi të përhapej një ndjenjë diskriminimi dhe mospërfilljeje për shqiptarët. Një gjë e tillë nuk kishte si të mos binte në sy të Isufit dhe disa shokëve të tjerë të tij. Ndaj vendosën që t’i sfidojnë. Së bashku me mikun e tij, Kudret Kokoshin, i cili studionte në atë universitet për drejtësi, organizuan nja konferencë shkencore mbi karakterin e shqiptarit. Në këtë konferencë ftuan disa nga mendjet më të ndritura të asaj kohe në Romë. Atje u fol për Shqipërinë dhe shqiptarët, për shqipet dhe vendin e tyre, për doket dhe zakonet e këtij vendi, për besën dhe nderin e shqiptarit. U fol për Pirron dhe Teutën, për Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, për Faik Konicën dhe Fan Nolin. U fol për bilbilenjtë që “vanë në litarë vetë”, duke dredhur cigaret. Në fund u fol për historinë e malësorit krenar që luftonte pa u epur kundër hordhive otomane. Dikur malësori trim kapet dhe dërgohet para trekëmbëshit. Në ekzekutimin e tij merr pjesë edhe valiu i krahinës. Në momentin e hedhjes së litarit, ai i drejtohet:

- Eh, or mik, a e ke ndier veten ndonjëherë më ngushtë se sot?

Malësori i qetë, pa i lëvizur qepalla, i përgjigjet rëndë, rëndë me një krenari mospërfillëse:

- Po, mor zotni, e kam ndier atëherë kur më ka ardhur për darkë miku dhe nuk kam pasur as bukë dhe as kripë për t’i nxjerrë.

Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Qysh nga ajo ditë, asnjë nuk guxoi më të përgojonte shqiptarët. Bile nëpër gazetat e kohës filloi të shkruhej për Shqipërinë.

7 prilli i vitit 1939 e gjen në Tiranë. Është njëri nga tetë anëtarët e komisionit të të rinjve që shkuan për të kërkuar armë në Pallatin Mbretëror, por Mbreti tashmë kishte ikur. Në janar 1940, ndërsa kryente stazhin në spitalin e Tiranës, drejtori i këtij spitali, doktor Loxi, e prezanton me një mjek italian të veshur civil:

- Il nostro giovane!

Civili i zgjati dorën të cilën doktori bëri sikur nuk e vuri re.

- Io sono albanese! - ishte përgjigja e tij krenare.

Në vitin 1941 shkon për specializim në Itali. Dikush i propozon që të vishej mjek ushtarak në frontin italo-grek, kundrejt një page të konsiderueshme. Doktori përsëri refuzoi. Rezultati ishin tetë muaj internim në ishullin Kapraia, në derdhjen e lumit Arno në Firence.

Viti 1945 e gjen në klinikën e tij në Tiranë. Por komunizmi, që kishte vendosur të bëhej varrmihësi i inteligjencës nacionaliste shqiptare, e degdisi në Gjirokastër, ku në fund të dhjetorit 1946 arrestohet. Pas dy vjet torturash të tmerrshme në hetuesi, përballë të cilave qëndroi i paepur, dënohet nga Gjykata e Lartë Ushtarake me pushkatim. Pak më parë kishte vdekur nga torturat në hetuesi i vëllai, Feriti. Kjo bëri që me vendim të Kuvendit Popullor, vendimi t’i kthehej në burgim të përjetshëm. Lirohet pas nëntë vjet burg.

Personalisht, e njoha në kampin e punës së detyruar të Urës Vajgurore në gushtin e vitit 1952. Me një trup mesatar dhe të rregullt, me ballin e gjerë prej dijetari, me sytë e shndritshëm që të ngjallnin shpresë dhe besim, me fjalën e ëmbël dhe të matur, ai zëvendësoi tek unë prindërit që më mungonin. Isha vetëm 16 vjeç, ndërsa ai 39. Këshillat e tij të herëpashershme apo edhe tërheqja e veshit kur unë gaboja, formuan karakterin tim.

Më lejoni tani të përshkruaj disa çaste të paharruara që kanë ndodhur gjatë atyre katër vjetëve që jetuam së bashku, nëpër ato shkallë ferri.

Prill 1953. Djali gjashtëvjeçar i togerit katil, Ademit, ishte sëmurë rëndë. Një ftohmë e tmerrshme e kishte shpënë në buzë të varrit, me gjithë kujdesin që kishte treguar doktor Isufi. Shpëtimi i vetëm ishte injeksioni me penicilinë oleoze, një medikament i kohëve të fundit që vinte nga SHBA-ja. Një të tillë kishte avokati Jani Ikonomi nga Narta, një i burgosur politik. Togeri e mësoi një gjë të tillë dhe iu lut doktorit t’ia merrte duke i premtuar se do t’ia kthente përsëri. Papritmas, ujku ishte shndërruar në dele. Doktori ndërhyri, e mori penicilinën dhe ia injektoi fëmijës që u shërua, por bashkë me sëmundjen, togeri harroi edhe premtimin. Delja ishte kthyer përsëri në ujk

Pas pak kohe u sëmur rëndë Bejo Vrazhdua nga Bolena. Edhe për këtë rast shpëtimi ishte penicilina oleoze. Doktori i kërkoi togerit të mbante premtimin, por ai ishte i atij brumi që premtimet i hidhte në koshin e plehrave pa e vrarë farë ndërgjegjja, sepse nuk kishte ndërgjegje. Në fillim të qershorit Bejua mbylli sytë. Ajo ishte një ditë zie për gjithë kampin. Më i prekuri, më i revoltuari, ishte doktori. Një i burgosur, një nga ata që fjalën e fundit e thonë në fillim, i tha një fjalë të rëndë. Doktori iu përgjigj:

- Unë jam mjek. Detyra ime është të shëroj çdo të sëmurë, aq më tepër kur ai është fëmijë. Ndoshta një ditë këtij djali do t’i vijë rëndë për gjestin e të atit.

Nuk e di nëse ky djalë rron apo jo dhe se çfarë mendon për të atin, por po ta

takoja do t’i thosha se jeta e tij është ngritur mbi vdekjen e dikujt tjetër.

Nuk mund ta harroj kurrë atë natë shtatori të vitit 1955 në kampin e Bulqizës, kur

me nismën e tij organizuam një pasdite përkujtimore, kushtuar 35-vjetorit të Luftës së Vlorës. Doktor Isuf Hysenbegasi nuk mund ta linte pa përkujtuar një përvjetor të tillë. Në atë pasdite nuk pati fjalime dhe kumtesa, nuk pati kokteje dhe darka. Në vend të koktejit ishte çaji i ftohtë dhe pa sheqer, ndërsa në vend të kumtesave, ishin vargjet e poetit nacionalist, mikut të doktorit, vlonjatit të shquar, Kudret Kokoshi. Në atë pasdite në pjesën më të madhe ishim të rinj, ndoshta unë isha më i madhi, njëzet vjeç. U deklamuan “Toto Bolena” dhe “Epopeja”, “Luftëtarit të Kombit” dhe “Vegimi epik”, “Vlorës” dhe “Këngën më të bukur këndoj”, “Spartaku” dhe “Neroni”, “Nënës” dhe “Gruas shqiptare”. Mua më caktuan të recitoja poezinë “Një ditë vjeshte”.

Cinizmi i toger Ademit, që nuk na u nda në çdo kamp që shkonim, na përplasi të gjithëve në qeli për kremtimin e kësaj dite të shkëlqyer. Kriminelit i dhembnin sytë nga kremtimi i ngjarjeve historike të vendit tonë ku shkëlqente ndjenja e nacionalizmit.

Kujtimet ndjekin njëri-tjetrin. E për cilin të flas më parë? Për Vlashukun ku punonim në tridhjetë metra thellësi dhe ku u vra Skënder Dinia që e zuri dheu apo vinçier Qemali të cilin vinçi e ndau në mes apo për Bulqizën, ku galeria zuri Markun dhe Vasilin? Në këta kataklizma shkëlqente gjenia e doktor Isufit që nuk hezitonte kurrë për t’u ardhur në ndihmë me ato pak mjete që kishte. Pyetni të burgosurit që e kanë njohur dhe do të dëgjoni ato lëvdata që rrallë i dëgjon për ndonjë.

Në verën e vitit 1992 takova zonjën e nderuar Gjyla. Ishte e dëshpëruar se djali i saj kishte emigruar në Itali dhe po përpiqej të regjistrohej në Fakultetin e Mjekësisë. Deri në atë kohë nuk kishte mundur të bënte gjë. Djaloshi i ri e ndiente veten të pafuqishëm para asaj bote të re dhe të madhe që e rrethonte. Sa do të doja të isha në ato momente pranë atij djali, t’i flisja, ta këshilloja dhe ta ndihmoja, ashtu siç kishte bërë dikur i ati me mua. Por kjo ishte e pamundur

Megjithatë, Eni mundi ta gjente vetë rrugën e jetës. Ai sot po ecën me ballin lart në rrugën e së drejtës dhe moralit, ashtu si dikur ati i tij i paharruar, doktori Isuf Hysenbegasi.

*Me rastin e 20-vjetorit të vdekjes

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›