ǒfat që s’kemi bursë!
Firma e madhe japoneze “Sony” po pushon nga puna gjashtë mijë punonjës të saj. Shumëkombëshet e tjera po e ndjekin. Tregu i bursave në atë segment të tij që ka të bëjë me shitjen dhe blerjen e kompanive apo aksioneve të tyre, duke marrë për bazë kreditë që kanë marrë nëpër banka të ndryshme, është i përmbytur. Pothuajse nuk funksionon më. Pasi të kalojë ky cunam financiar, padyshim që ai do të ndryshojë kokë e këmbë. Por të gjitha këto “të këqija” ndodhin nëpër bursa. Edhe bursat e vendeve ku kemi rreth nëntëqind mijë emigrantë (Greqia dhe Italia) janë në vështirësi. Ndërsa në vende ku është investuar pa sistem në tregun dytësor të aksioneve (Hungaria, Ukraina etj.), Fondi Monetar Ndërkombëtar po ndërhyn me paketa ndihmash prej dhjetëra-miliarda dollarësh. Nëse Shqipëria do të kishte ndjekur shembullin e Hungarisë, e cila që të gjitha asetet (kapitalet) e marra nga privatizimet i futi në bursë, duke i shitur dhe stërshitur, ne do të ndodheshim në një pozitë shumë të vështirë. Si lum ne që themeluam një bursë në vitin 2000, ku ka tetë vjet që nuk tregtohet as edhe një aksion i vetëm! Sinqerisht. Madje, këtë nuk e themi vetëm ne, ekonomistët shqiptarë. Na e përmendin edhe studiuesit e huaj. Të paktën jemi larg përmbytjes nga kriza financiare botërore sot. Por a mos vallë jemi fare të paprekshëm? Është shumë herët ta themi këtë. Vetë vrojtuesit e specializuar të huaj na këshillojnë që patjetër do të kemi probleme me eksportet tona, pse fuqia blerëse (pra rrjedhimisht dhe ajo importuese) e vendeve perëndimore do të bjerë. Kështu që pritet në mos rënie, të paktën një rritje jo aq e vrullshme e eksporteve shqiptare. Së dyti, investimet e huaja, prej të cilave varen shumë gjëra tek ne, patjetër që do të bien. Investuesit në tërësi në botë janë trembur dhe sikur nuk kanë qejf të investojnë, të rrezikojnë kapitalet e tyre. Për më tepër në tregje me paparashikueshmëri të lartë, sikurse ende për fat të keq konsiderohet vendi ynë. Dhe së treti, gjithçka do të varet (sikurse ka qenë përherë) nga sjellja e emigrantëve tanë. Ata e kanë furnizuar në mënyrë të vazhdueshme Shqipërinë me 800 milionë deri një miliard euro çdo vit dhe kjo është arsyeja kryesore e bumit tonë ekonomik. Po ashtu, emigrantët mbajnë gjallë lekun shqiptar, që të mos shkojë dymijë lekë të vjetra një euro, me prurjet e tyre në verë, por edhe gjatë gjithë vitit. Mirëpo tani, ata po u shprehen të dashurve të tyre këtu në atdhe se ka filluar të jetë shumë e vështirë për ta jeta dhe puna jashtë. Dhe jo vetëm për emigrantët në SHBA. Janë me qindra-mijëra telefonatat ankuese të emigrantëve tanë në Greqi dhe Itali. Po bëhet gjithnjë e përherë më e vështirë për të gjetur punë dhe shumë kompani po shkurtojnë vendet e punës. Dhe kuptohet, të parët që do ta pësojnë janë emigrantët, njerëzit pa kurrfarë mbrojtje shoqërore. Në këto kushte, të pretendosh se emigrantët do të vijojnë të sjellin rreth një miliard euro në këta dy muaj dhe për pjesën tjetër të vitit 2009, nuk ka logjikë. Me siguri kjo shifër do të pakësohet. Dhe edhe sikur të zbresë me vetëm dhjetë për qind (pra njëqind milionë euro më pak), përsëri pasojat për ekonominë tonë do të jenë të ndjeshme. Ja përse, duke uruar veten dhe Zotin që na la pa bursë dhe pa probleme me paratë e thata nëpër banka, opinioni ynë publik ia vlen të reflektojë dhe mundësisht mediat, por edhe studiuesit e ekonomisë t’i kërkojnë qeverisë dhe Bankës Qendrore të parashikojnë ndërhyrjet për një skenar, ku të ardhurat nga emigrantët do të vijnë në pakësim e sipër. Qeveria duhet të përmbajë shpenzimet e saj, sidomos ato joprodhuese, ndërsa Banka Qendrore duhet të ushtrojë një regjim më të kontrolluar ndaj kreditit bankar, në mënyrë që presioni inflacionist i kredive të pajustifikuara mirë, të mos rritet. Prurja më e paktë e parave të emigrantëve përkthehet menjëherë në inflacion të rritur dhe ky tregues duhet të ndiqet me shumë kujdes në muajt e ardhshëm. Rritja e pakontrolluar e inflacionit menjëherë do të zhvlerësonte lekët që kemi nëpër xhepa. Banka e Shqipërisë ka parashikuar inflacion 3 për qind për vitin e ardhshëm. Do të jemi me fat nëse në fund të 2009-s inflacionin do ta kemi 5 për qind. Viti që vjen do të jetë shumë i vështirë. Jo vetëm që ka gjashtë muaj që s’po bie shi dhe Fierza është në ditë të hallit me nivelin e ujit. Do të na duhet shumë fat, edhe më shumë nga fati i mospasjes së bursës (ndoshta nëntorin që sapo hyri dhe dhjetorin të përmbytur në shira).