E Shtunë, 31 Tetor 2026

Synojnë uljen e papunësisë

Nga Express më 02 qershor 2011 në ora 20:00

Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë ka lansuar programin “Kosova e Bukur”, i cili synon krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së, Kjartan Bjornson ka thënë se projekti është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe se ky projekt ka për qëllim gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe mundësinë e rritjes ekonomike.

“Qëllimi i projektit është të sigurojë punësim dhe trajnim profesional për personat e papunë në veçanti të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara në mbarë Kosovën dhe presim që me mundësin e rritjes ekonomike ne do të mund të ndihmojmë në zbutjen e varfërisë në Kosovë”, ka thënë Bjornson.

Për më tepër ai ka shtuar se përveç gjenerimit të vendeve të punës, duhet të gjenerohen aktivitete ekonomike, duke mbështetur zhvillimin e infrastrukturës publike dhe financimin e projekteve urbane.

Programi parasheh rregullimin e fasadave, zgjerimin i hapësirave të gjelbra dhe zonat rekreative që janë disa fushat ku mund të fitohen projektet.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq ka thënë se për ministrinë që e drejton ai prioritet mbetet punësimi, por sipas tij papunësia nuk mund të zvogëlohet për një kohë afat shkurtër.

“E di që ky është nivel i shqetësimit që transferohet edhe te ju, edhe qytetarët ju trokasin çdo ditë në derë. Papunësia nuk mund të zgjidhet për një ose dy vjet, por kërkon vite dhe nuk mundet në mënyrë të përshpejtuar të zgjidhet ky problem. Por duhet përmes projekteve të ndryshme një nga një dhe kur t’i mbledhim të gjitha ato në aktivitetin tonë të përbashkët, atëherë do të bëjmë këtë ndryshim që të punësojmë për çdo dit njerëz që është e mundur”, ka thënë ministri Rashiq.

Programi i Komisionit Evropian “Kosova e Bukur” është një projekt i financuar nga BE dhe menaxhuar nga Zyrë Ndërlidhëse e Komisionit Evropian. Projekti do të implementohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), në partneritet me Këshillin Danez për Refugjat (DRC). Programi do të zbatohet gjatë një periudhe prej 30 muajsh.

Afati për dorëzim të projekteve është 10 qershori, ndërsa pas kësaj date është një periudhë prej katër javësh apo deri më 15 korrik kur duhet të bëhet aplikimi për të fituar donacionin.

Projekti duhet të jetë deri në një vlerë 100 mijë euro, ndërsa 30 për qind e të hollave të projektit duhet të jenë të dedikuara për punësim.

Nga viti 2010 Bashkimi Evropian ka ndarë një projekt mbi 5 milionë euro për të adresuar varfërinë dhe papunësinë afatgjate nëpërmjet masave aktive të tregut të punës, duke promovuar mundësi për punë të lidhura me skemat publike të rigjenerimit që rrisin cilësinë e jetës për të gjithë banorët e Kosovës. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›