E Shtunë, 31 Tetor 2026

Draftet e Alibeajt, të gjithë kundër

 

Trazhgim Sokolaj

Nismat e Ministrisë së Drejtësisë për të ndryshuar ligjet e gjykatave, prokurorisë, avokatisë dhe noterëve u konsideruan dje një aksion i rrezikshëm që cenon autonominë dhe funksionimin e pavarur të këtyre institucioneve. Transparency International Albania organizoi dje një tryezë debati me përfaqësues të prokurorisë, gjyqtarëve, avokatëve, noterëve dhe KLD-së. Në fund të diskutimeve pjesëmarrësit firmosën një rezolutë, në të cilën e konsiderojnë problematike dhe të rrezikshme reformën e deritanishme në drejtësi. Pjesëmarrësit kritikuan mungesën e transparencës, njëanshmërinë dhe nxitimin e Ministrisë së Drejtësisë, për të hartuar drafte dhe për t’i miratuar ato duke vënë në rrezik pavarësinë e organeve të drejtësisë. Në diskutimet e djeshme mori pjesë edhe Roland Miklau, shef i misionit Evropian për Asistencën e Sistemit Shqiptar të Drejtësisë, EURALIUS. Ai tha se procesi i hartimit të drafteve për ndryshime në ligjet për reformën në drejtësi, kërkon kohë dhe diskutim me palët e interesuara dhe me profesionistët. “Procesi i hartimit të drafteve që po përgatiten për reformën në drejtësi, është një proces që kërkon transparencë dhe kohë. Në këtë proces, duhet të përfshihen të gjitha palët, grupet e interesit dhe profesionistët”, theksoi zyrtari i misionit evropian në Tiranë. Ai mbështeti qëndrimin e Presidentit Bamir Topi në mbledhjen e fundit të KLD-së, duke thënë se çështja e hartimit të ligjeve për organet e drejtësisë nuk mund të jetë e njëanshme por ajo duhet të jetë e të gjithë të interesuarve. “Demokracia ka nevojë për gatishmëri debati nga institucionet lidhur me të gjitha reformat që ndërmerren, për të cilat kërkohet kompromis para miratimit të tyre, pra para se ato të marrin formë përfundimtare”, apeloi shefi i misionit EURALIUS, Roland Miklau.
Gjyqtarët të ndarë
Kryetarja e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, në mënyrë të drejtpërdrejtë aprovoi nevojën për reformë në drejtësi por theksoi shqetësimin për mënyrën si po realizohet ajo. “Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve shpreh opinionin se reforma në drejtësi, nuk po kryhet në mënyrën e mirë të duhur, nuk ka informim dhe transparencë të publikut në lidhje me atë çfarë po bëhet, nuk ka përfshirje të grupeve të interesit, të profesionistëve apo subjekteve zbatues të ligjit, objekt i reformës. E gjithë kjo ndodh sepse mungon dëshira për ta bërë këtë proces siç duhet”, tha Manjola Bejleri. Sipas saj, procesi i reformës ka treguar se po kryhet me një shpejtësi, e cila vë në dyshim zgjidhjet më të mira profesionale e ligjore. “Nuk mundet që pas justifikimit se ky proces reformimi duhet të kryhet shpejt, për shkak të angazhimit të Shqipërisë në marrëveshjet ndërkombëtare, të lejojmë që të mos realizohet debati publik dhe të cenohet cilësia e ligjit”, theksoi më tej kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve. Sipas saj, kjo ndodhi me Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor, i cili u hartua dhe u miratua pa marrë as mendimin e gjyqtarëve. “Pak muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kushtetueshmëria e tij vihet në pikëpyetje nga paditë që janë ngritur e do të ngrihen në Gjykatën Kushtetuese. Shpreh shqetësimin e gjyqtarëve në atë çfarë po ndodh kohët fundit, midis Pushtetit Ekzekutiv (Ministrisë së Drejtësisë) dhe atij Gjyqësor. Vihet re një tendencë gjithnjë në rritje e Ekzekutivit për të ndërhyrë në punët e Gjyqësorit”, tha Manjola Bejleri. Ndryshe komentoi Artur Kalaja, përfaqësues i Unionit të Gjyqtarëve. Ai tha se me gjithë problemet ka arritje të cilat as vetë togat e zeza nuk i kishin menduar. “Presidenti apeloi që mbledhjet dhe vendimet e KLD-së të jenë transparente me gjyqtarët. Ministri i Drejtësisë ka përfshirë mjaft gjyqtarë në grupet e punës për reformën”, tha Artur Kalaja.

Rezoluta e TIA dhe përfaqësuesve

1. Në emër të Shoqatave dhe grupeve të interesit që përfaqësojmë, shprehim sot shqetësimin tonë publik, për nismat e fundit ligjore që po ndërmerren nga qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, në kuadrin e reformës në drejtësi.
2. Në pjesën më të madhe të tyre projektligjet e hartuara janë produkt i një procesi legjislativ të mbyllur dhe në komponentë të rëndësishëm është anashkaluar ekspertiza ndërkombëtare
3. Ne mbështesim reformimin e sistemit të drejtësisë dhe jemi të gatshëm për të luftuar korrupsionin kudo që ai shfaqet, por jemi të shqetësuar për mungesën e një strategjie të përbashkët
4. Arnimet ligjore dhe kontrolli i ekzekutivit mbi institucionet nuk e reformojnë sistemin e drejtësisë, por e rrënojnë atë.
5. Fryma e imponimit në drejtim të institucioneve të pavarura, realizuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, është frymë e cila synon rritjen e kontrollit dhe të nënshtrimit.
6. Procesi i reformës ka treguar se po kryhet me një shpejtësi e cila vë në dyshim zgjidhjet më të mira profesionale e ligjore. Justifikimi se ky proces reformimi duhet të kryhet shpejt për shkak të angazhimit të Shqipërisë në marrëveshjet ndërkombëtare, nuk është i bazuar dhe nuk duhet t’i hapë rrugë shkeljes së transparencës, mungesës së debatit publik dhe cenimit të cilësisë së ligjeve.
7. Ka një tendencë gjithnjë në rritje e Ekzekutivit për të ndërhyrë në punët e Gjyqësorit, prokurorisë si dhe në profesionet e avokatisë dhe noterisë.
8. Nuk duhet të lejojmë që reforma të përdoret për të monopolizuar apo fuqizuar një pushtet ndaj tjetrit
9. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të kenë një imunitet të kufizuar, por edhe të mos lihen të pambrojtur përballë krimit dhe abuzimit të politikës.
10. Të rriten kompetencat e institucioneve të pavarura dhe të reduktohet kontrolli i politikës nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, e cila është kthyer në burim të ushtrimit të arrogancës, frikësimit dhe imponimit të iniciativave ligjore, pa marrë parasysh nevojat, por duke paragjykuar punën e organeve dhe profesionistëve të sistemit të drejtësisë.
11. Disa prej drafteve parashikojnë ulje të standardeve profesionale, kritereve të licencimit, ulje të nivelit të transparencës
12. Në tërësi projektligjet kanë një cilësi të dobët dhe cenojnë rëndë integritetin e institucioneve të drejtësisë, duke mos realizuar dot qëllimet që ka reforma.

Të hapur për luftë ndaj korrupsionit
TIRANE – Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, theksoi dje në tryezën e diskutimeve se “Shoqata Kombëtare e Prokurorëve, ashtu siç ka kërkuar me forcë, që prokurorët të jenë të mbrojtur në ushtrimin e funksioneve të tyre nga trysnia apo ndërhyrja e ekzekutivit, mirëkupton dhe ndan të njëjtin shqetësim me opinionin publik dhe me politikën shqiptare, e cila me të drejtë kërkon që ky organ të pastrohet nga prokurorët e pa aftë dhe të korruptuar, që mund të jenë brenda radhëve tona”.

“Të ruhet pozicioni i Presidentit”
TIRANE – Kryetarja e Shoqatës së Prokurorëve tha se nuk duhet lejuar që reforma në drejtësi të përdoret për të monopolizuar apo fuqizuar një pushtet ndaj tjetrit. “Përkundrazi, reforma duhet të ndihmojë dhe të japë rezultatet e veta pozitive në ruajtjen e balancave midis tre pushteteve dhe ruajtjen e pozicionit të Presidentit si përfaqësues i unitetit kombëtar dhe një nga garancitë e respektimit të Kushtetutës. Duke qenë ligji themeltar i shtetit, Kushtetuta është e shenjtë dhe çdo ligj duhet të shprehë frymën e saj”, tha Bejleri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›