“Hiqini nga ligji kontrollet në Prokurori”
Trazhgim Sokolaj
Konstitucionalisti i njohur Njazi Jaho i konsideroi dje shqetësuese nismat e Ministrisë së Drejtësisë për ndërhyrje në ligjin “Për Prokurorinë”. Kritikat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ai i konsideroi shqetësuese për faktin se “po kalojnë ligje të cilave do të duhet t’u rikthehemi shumë shpejt”. Profesori Jaho kritikoi draftet e Ministrisë së Drejtësisë, të cilat, sipas tij, kanë nënvlerësuar mendimin e specialistëve, grupeve të interesit e të medias dhe janë hartuar pa studime të qarta mbi atë që kërkohet të rregullohet në veprimtarinë e institucioneve. Konstitucionalisti i njohur ndaloi në mënyrë të veçantë te ndryshimet në ligjin “Për Prokurorinë”, duke kërkuar shpalljen antikushtetuese të së drejtës së ministrit të Drejtësisë për kontroll mbi punën e organit të akuzës. Jaho tha se kjo dispozitë jo vetëm që nuk duhet të jetë në projektligjin e ri, por duhet hequr edhe nga ligji aktual i Prokurorisë i miratuar në vitin 2001. “Nuk e di nëse Prokuroria ka qenë dakord me nenin 56 në ligjin e vitit 2001, i cili sanksionon kontrollin e Ministrisë së Drejtësisë ndaj Prokurorisë. Që në vitin 2001 ka pasur reagime për këtë, por askush nuk ka dëgjuar. Ky nen legjitimon ministrin e Drejtësisë të kontrollojë dosjet penale të përfunduara, afatet e hetimit, kohën e paraburgimit, politikën penale dhe rregullsinë e hetimit”, tha Njazi Jaho. Ai kërkoi që neni 56 i ligjit “Për Prokurorinë” të shfuqizohet si antikushtetues, pasi ligji themeltar i shtetit e ka vendosur Prokurorinë në një pozitë të veçantë si organ i centralizuar. “Të shfuqizohet kjo dispozitë, pasi ka dy vendime të Gjykatës Kushtetuese që thonë se komisionet hetimore parlamentare nuk kanë të drejtë të shqyrtojnë e vlerësojnë vendimet e marra nga prokurorët. Jo vetëm komisionet apo Parlamenti, por asnjë organ tjetër. Ato janë vendime të Gjykatës Kushtetuese të detyrueshme për të gjithë, nuk e ka Parlamenti të drejtën të ndërhyjë në vendimet e Prokurorisë dhe me këtë ligj i jepet e drejta Ministrisë së Drejtësisë, domethënë ekzekutivit”, tha më tej Njazi Jaho. Ai tha se termi raportim i ministrit të Drejtësisë në Parlament është i çuditshëm, pasi edhe nëse ministri paraqet një raport, Kuvendi nuk ka si të veprojë, pasi pikërisht këtë ka vendosur Gjykata Kushtetuese në dy vendime të saj, që të mos ndërhyjë Parlamenti në vendimmarrjen e Prokurorisë. “Kjo është esenciale dhe prek direkt pavarësinë e Prokurorisë”, përfundoi konstitucionalisti fjalën e tij.